0030 210 33 18 483

Provimet e nënshtetësisë, kur do të bëhen

Maria GJIKOKA

09 Janar 2023

Të hënën pasdite, ministria e brendshme ka aktivizuar platformën e regjistrimit për provimet e nënshtetësisë.

Platforma do të qëndrojë hapur nga ora 17:00 e datës 9 janar deri në orën 23:59 minuta të datës 10 shkurt.

Pra, të interesuarit kanë një afat 30 ditor që të mund të regjistrohen.

Ndryshe nga dy vitet e mëparshme, sezoni i parë i provimeve për 2023-shin do të zhvillohet të dielën, më 19 mars.

Qendra provimesh janë parashikuar të funksionojnë në 14 qytete të Greqisë dhe konkretisht në Athinë, Selanik, Iraklio Kretë, Janinë, Kalamata, Komotini, Korinth, Larisa, Mitilini, Patra, Rodos, Tripoli, Halkida, Hania.

Ndërkaq, kjo do të varet nëse në secilin qytet grumbullohen të paktën 70 kandidatë.

Personat me invaliditet mbi 67%, personat me vështirësi mësimore dhe ata që kanë mbushur moshën 62 vjeç do të testohen vetëm në qendra speciale provimi, në Athinë dhe Selanik.

Ashtu si dhe herët e tjera, regjistrimi në platformë do të bëhet duke përdorur kodet individuale të taksis Net.

Nuk lejohet të përdorni kodet e një personi të tretë.

Para regjistrimit duhet të paguhet një paravolo prej 150 eurosh.

Nga pagesa e kësaj takse përjashtohen kush ka aplikuar për marrjen e nënshtetësisë deri në 31 mars 2021 dhe merr pjesë në provime për herë të parë.

Taksa prej 150 eurosh duhet të paguhet dy ditë para bërjes së aplikimit, me qëllim që pagesa të shfaqet në sistemin e informatikës.

Në faqen elektronike të sekretariatit të nënshtetësisë, mund të gjeni informacion më të zgjeruar.

Ndaje me miqte