Projektligji i ri: Shqetësimet e emigrantëve paraqiten në parlamentin grek
Tribuna TV
26 Prill 2018
Vetëm pak ditë pas publikimit të projektligjit të ri për emigracionin, vërejtjet e emigrantëve për dispozitat frenuese do të dëgjohen në parlamentin grek.
Aktivisti i njohur Fatos Malaj, në emër të organizatës “Arogji-Përkrahja” do të paraqesë në mënyrë të përmbledhur një vlerësim për projektligjin, ku do të nxjerrë në pah anët pozitive, do të shpjegojë në mënyrë të argumentuar anët negative dhe do të paraqesë edhe disa propozime, me shpresën se do të përfshihen në projektligjin që është duke u diskutuar, fillimisht në komisionin përkatës parlamentar e pastaj edhe në seancë plenare.
Në ftesën e drejtuar kryetarit të organizatës, Fatos Malaj, thuhet:
Pas vendimit që mori Komisioni i Përhershëm parlamentar i Administratës Publike, Rendit Publik dhe Drejtësisë në mbledhjen e datës 24.04.2018, luteni të paraqiteni në mbledhjen e Komisionit të mësipërm, të premten 27 prill 2018, ora 12,00 në Pallatin e Parlamentit, që të ekspozoni pikëpamjet lidhur me projektligjin e Ministrisë së Politikës së Emigracionit. Ndaj këtij komisioni mund të paraqisni edhe një promemorie me shkrim.
Kryetari i Komisionit Parlamentar Antonios Syrigos”.
Tribuna TV ka mundur të sigurojë një përmbledhje të fjalës që zoti Malaj do të mbajë para deputetëve dhe po e publikon të plotë:
Projektligji i ri që do të diskutohet në parlamentin grek, do të sjellë ndryshime të rëndësishme në të drejtën e emigracionit, siç e njohim deri më tani.
Në dispozitat e projektligjit parashikohet se tashmë për leje qëndrimi për arsye të jashtëzakonshme nuk mund të aplikojnë ata që kishin në të kaluarën qoftë dhe një leje qëndrimi, as ata që kishin ardhur ne Greqi me vizë tre vitet e fundit dhe deri më tani e kishin mundësinë e aplikimit nëse kishin dëshmi për krijimin e lidhjeve me vendin për të paktën tre vjet.
Rrjedhimisht, shfuqizohen këto dy kategori dhe mundësinë për të aplikuar e kanë ata që jetojnë prej të paktën shtatë (7) vjetësh në Greqi, por me kusht që të kenë dokumente zyrtare nga institucionet shtetërore, ndërsa deri më sot pranoheshin edhe dokumente nga institucione private (remitanca nga bankat, analiza mjekësore, etj.). ky fakt do të ketë si rezultat që të mos mundin të aplikojnë për leje qëndrimi disa mijëra emigrantë.
Projektligji gjithashtu parashikon që edhe aplikimet që janë depozituar dhe nuk janë shqyrtuar ende nga shërbimet kompetente, do të shqyrtohen mbi bazën e kritereve që shtron ligji i ri, gjë që me saktësi matematike do të shpjerë në nxjerrjen masive të akteve refuzuese nga këto shërbime, përderisa shumica e emigrantëve nuk disponojnë dokumente shtetërore për të dëshmuar qëndrimin e tyre. Dhe kjo sepse, duke mos pasur leje qëndrimi nuk munden të kryejnë veprime me shtetin grek.
Këto ndryshime, sipas projektligjit, do të hyjnë në fuqi tre muaj pas publikimit të ligjit në Gazetën Zyrtare të qeverisë greke.
Anët pozitive
Ndërkaq, projektligji sjell edhe disa ndryshime pozitive.
Leja e re e qëndrimit që do të nxirret në bazë të dispozitave të reja, do të ketë vlefshmëri për tre vjet dhe do të kushtojë 300 euro, ndërsa e njëjta leje sot vlen për dy vjet dhe kushton po 300 euro.
Një tjetër risi pozitive e projektligjit është se barazon institucionin e martesës me institucionin e bashkëjetesës së provuar. Domethënë një çift që është i martuar konsiderohet se ka të njëjtat të drejta e detyrime edhe në të drejtën e emigracionit, me një çift që ka hartuar kontratë bashkëjetese.
Në fund, një tjetër anë pozitive, është se do të zgjidhet një problem serioz për shumë prindërit që nuk kanë asnjë dokument të qëndrimit të ligjshëm, përderisa tashmë do t’u ofrohet mundësia që të mund të regjistrojnë fëmijët e lindur në Greqi në gjendjen civile greke, gjë që deri tani nuk e bënin dot, me rezultat shumë prindër të mos mundnin të pajisnin me pasaportë dhe dokumente të tjera identiteti fëmijtë e tyre.
“Arogji-Përkrahja” poropozon
Ne, organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja” propozojmë që të bëhen këto ndryshime në përmbajtjen e projektligjit:
1.Në asnjë rast të mos shfuqizohet neni i lejes për arsye të jashtëzakonshme që u jep mundësinë atyre që kishin dikur një leje qëndrimi, të pajisen sërish me leje qëndrimi.
2. Të mos shfuqizohet neni që u ofron mundësinë atyre që erdhën në Greqi me vizë para tre vjetësh, të aplikojnë për leje qëndrimi për arsye të jashtëzakonshme.
3.Në asnjë rast të mos shqyrtohen aplikimet për leje për arsye të jashtëzakonshme që ndodhen aktualisht pranë shërbimeve, me dispozitat e reja nëse këto janë më të këqija,. Kjo të bëhet vetëm në rast se dispozitat janë më favorizuese.
4.Të hiqet dëshmia e qëndrimit në Greqi me dokumente shtetërore, përderisa një emigrant i paligjshëm nuk mund të kryejë veprime me shtetin dhe le të mjaftojë vetëm qëndrimi shtatëvjeçar në Greqi, ose të pranohen edhe dokumentet private.
5.T’u jepet mundësia fëmijve të brezit të dytë që u kthyen në atdheun e tyre si të mitur dhe pa miratimin e tyre, të mundin të rikthehen në legjitimitet, pa marrë parasysh nëse kanë munguar nga Greqia. Por mjafton të kenë lindur në Greqi dhe të kenë ndjekur këtu shkollën.
Dhe së fundi, siç kemi propozuar edhe në përpara:
6.Të shndërrohen lejet dhjetëvjeçare në leje rezidenti afatgjatë (pesëvjeçare).
Shpresojmë që këto propozime të merren parasysh nga ligjvënësit dhe të ndryshohet projektligji në interes të emigrantëve.
Kryetari i organizatës së emigrantëve “Arogji-Përkrahje”
Fatos Malaj
Ndaje me miqte