Prioritetet e diplomacisë në 2025, rrugëtimi evropian i Shqipërisë dhe hapja e ambasadave të reja
ATSH
05 Janar 2025
Buxheti i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për vitin 2025 arrin në shifrën e 3,8 miliardë lekëve, më i madhi në historinë e Shërbimit të Jashtëm, dhe do të financojë një sërë iniciativash kyçe, duke përfshirë mbështetje të fortë për funksionimin e misioneve diplomatike dhe konsullore, si dhe angazhimin e vendit tonë në nismat rajonale dhe në programet e BE-së.
Ky buxhet gjithashtu do të mbështesë avancimin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian dhe përpjekjet për të forcuar diplomacinë ekonomike.
Investimet për vitin 2025 përfshijnë projekte inovative, si modernizimi i shërbimit konsullor online dhe sistemit e-Visa, që do të përmirësojnë shërbimet për qytetarët shqiptarë jashtë vendit.
Po ashtu, mbështetja për diasporën shqiptare është një prioritet i veçantë, me synimin për të forcuar lidhjet kulturore dhe ekonomike, si dhe për të mundësuar zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Objektivat e politikës së jashtme të Shqipërisë për vitin 2025
Disa nga objektivat më të rëndësishëm të politikës së jashtme të Shqipërisë për vitin 2025 përfshijnë:
Avancimin e procesit të integrimit evropian dhe përgatitjen e vendit për anëtarësim deri në vitin 2030, duke forcuar angazhimin tonë në reformimin e institucioneve dhe proceseve.
Pjesëmarrjen aktive në nismat rajonale, si Procesi i Berlinit dhe Plani i ri i Rritjes, si dhe programet e tjera të BE-së, për të siguruar integrimin gradual të rajonit në Bashkimin Evropian.
Ruajtjen e profilit të Shqipërisë në fushën e multilateralizmit dhe angazhimin proaktiv në organizatat ndërkombëtare, si anëtar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së dhe në Bordin Ekzekutiv të UNESCO-s.
Thellimin e marrëdhënieve me partnerët strategjikë, përfshirë SHBA-në, BE-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, për të forcuar bashkëpunimin në fusha të ndryshme, si siguria dhe zhvillimi ekonomik.
Forcimin e diplomacisë ekonomike, me fokus në rritjen e shkëmbimeve tregtare, promovimin e eksporteve dhe thithjen e investimeve të huaja për të nxitur zhvillimin ekonomik të vendit.
Rolin e diasporës shqiptare si një burim i çmuar për zhvillimin e vendit, duke mbështetur modernizimin e shërbimeve konsullore dhe forcimin e lidhjeve me komunitetet jashtë vendit.
Përmirësimin e shërbimeve për qytetarët përmes platformave digjitale, duke ofruar ndihmë të menjëhershme dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve tanë jashtë vendit.
Mbështetje për Kosovën në procesin e njohjes ndërkombëtare dhe forcimin e kohezionit të faktorit shqiptar në rajon, duke promovuar një dialog konstruktiv dhe bashkëpunim të ngushtë.
Ndaje me miqte