Pranvera Poetike në Likovë dhe Z. Ali Qerimi bashkudhëtarë të Poezisë Shqipe
Armela HYSI
08 Korrik 2020
Poezia e gjen rrugën gjithmonë për të ardhur, tek njerëzit. Për të ripërtërirë vetveten në shpirtin dhe magjinë e saj. Përherë gjen dhe personat e përshtatshëm për t’u manifestuar, ashtu hyjnore siç është. Edhe në këto ditë që distancat sociale njehsuar me vetmi dhe frikë kishin pothuajse pezulluar jetën në planet, i nderuari poeti dhe botuesi nga Likova, në Maqedoninë e Veriut, z. Ali Qerimi nuk ndaloi së shpërndari fjalën poetike të gjithë ngjyrimeve, si atë që shkruan ai vetë, ashtu edhe duke e botuar. Si poet zoti Qerimi dallon për lirika të frymëzuara ku kondeson me art virtytet e fjalës së tij poetike, dhe ato të vendit të tij. Si botues, e drejtor i Edronia Art Produksion ka marrë përsipër një sërë botimesh në gjuhën shqipe, që shtojnë gamën e botimeve dhe krijojnë një atmosferë cilësore kulturore, vitet e fundit ndihmuar e mbështetur edhe nga Ministria e Kulturës së këtij vendi.
Nuk ka si të ndodhë ndryshe, sepse siç thotë i ndieri Leonard Cohen: “Poezia është vetëm dëshmia e jetës. Nëse jeta juaj po digjet mirë, poezia s’është veçse hiri.” Dhe s’mund të gjendet një jetë që digjet më mirë, se një jetë që i përkushtohet kombit, gjuhës dhe artit.
Në këtë kuadër dhe me këtë frymë e fuqi u zhvilluan në datën 28-29 Qershor edhe sivjet, Takimi Poetik “Pranvera Poetike në Likovë”, një traditë kulturore tashmë, që realizon me atdhedashuri e energji fitimtari, sido që me vështirësitë aktuale, për të tretin vit, z. Ali Qerimi; mbështetur dhe financuar nga Ministria e Kulturës së Republikës së Maqedonisë së Veriut si dhe me mbështetjen e Komunës së Likovës. Veç fjalës së bukur, organizimit cilësor dhe dashamirësinë jo vetëm profesionale, por në radhë të parë të shpirtit të gjerë, Edicioni i Tretë i Takimit Poetik kishte dhe risinë të transmetohej on-line në radio Cabrati, në Austri, ku siç cilësoi vetë z. Qerimi, Kryetar i Shoqatës dhe Drejtor i Shtëpisë Botuese Edronia: “Kështu u krijua mundësia që zërin poetik nga atdheu ta dëgjojnë edhe mërgimtarët tanë!”.
Të ftuarit e nderit prezent në takim, kësaj radhe detyrimisht ishin më të pakët dhe jo nga vendet e largëta jashtë kufijve të Maqedonisë së Veriut, por për të gjithë pjesëmarrja e tyre do të qe e dukshme nëpërmjet poezive të dërguara e fjalës së tyre përshëndetëse, që u recituan në auditor dhe përcollën emocionet e kësaj ngjarjeje të vyer kulturore, për zonën dhe tërë shqiptarët kudo që gjenden.
Kështu pra bujtën në sofrën mikpritëse të shtruar në Likovë, poetët nga Shkupi: Sami Sherifi; Tahir Seferi; Rrahim Ganiu; Nuri Rexhepi-Dana; Era Qerimi; Semine Hasani; Afrim Shatku; Nehas Sopaj; nga Kumanova poetët Selajdin Shabani; Arben Ibrahimi; Sunaj Rrahimi; Fatos Rushiti; si dhe poetët Ismail Ganiu e Sejdi Jahiu nga Likova; Bajramali Selimi, nga Gostivari; dhe poeti Bajram Ramadani nga Sllupcan.
Poezitë e poetëve shqiptarë jashtë Maqedonisë së Veriut të cilat u dërguan në formë elektronike, u recituan nga vetë zoti Ali Qerimi. Në këtë manifestim të poezisë nuk munguan as çmimet simbolike për poezitë më të bukura të edicionit. Juria u përbë nga prof dr. Sherif Selimi kryetar dhe zotërinjtë Ismail Ganiu dhe Ali Qerimi i cili deklaroi për mediat: “Vendosëm për tre poezitë me të mira dhe shpallëm fituesit e këtij takimi:
Vendi i Parë i takoi poetit nga Kumanova profesor Sunaj Rahimit,
Vendi i Dytë i takoi poetes e cila jeton në Athinë te Greqisë znj. Armela Hysi,
Vendi i Tretë i takoi poetit me origjinë nga Çamëria Agim Bajrami.
Çmimi Special i Nderit, të këtij takimi me emrin e atdhetarit, publicistit dhe Veprimtarit të Rilindjes Shqiptare “Jashar Erebara”, iu nda poetit e veprimtarit Nuri Rexhepi-Dana.” – z. Qerimi në vazhdim shprehu mirënjohjen për bashkëpunëtorët e miqtë e tij: “Falënderoj edhe poetin Sami Sherifi i cili ndihmoi dhe ishte urë lidhje që këto takime t’i tejkalojnë kufijtë dhe të dëgjohet zëri poetik nga vendlindja, prej gjithë bashkatedhetarëve tanë.
Falënderoj edhe dy rapsodët z. Tahir Seferi dhe Halim Haliti, që na sollën tingujt e muzikës sonë burimore!”
Nga poezitë e dërguara me formë elektronike spikatën autorët:
Armela Hysi, Athinë; Agim Bajrami, Durrës; Nehat Ramizi, Bujanovc; Sare Gjergji Viti; Gjin Morina, Austri; Ibrahim Bakiji, Belgjikë; Brikena Qama, Athinë; Bardha Mance, Greqi; Rovena Toska Koci, Berat- Shqipëri; Ildije Xhemali, Elbasan-Shqipëri.
Mbresat dhe vazhdimi i traditës janë dhe trofetë më të mira nga ky takim si për organizatorët, ashtu edhe për pjesëmarrësit, dhe më gjerë për shqiptarët kudo që ndodhen, për kombin e gjuhën shqipe, ndaj dhe falënderimet e të gjithëve që i drejtoheshin z. Ali Qerimi për këtë aktivitet kishin dhe urimet dashamirëse për vazhdimësinë e tyre në edicionet e reja pranverore!
Nderim, Suksese e Urimet më të mira për në takimet e ardhshme në Likovën Poetike!
Ndaje me miqte