Policia greke ka arrestuar pas një operacioni rrufe një shtetas shqiptar të moshës 29 vjeç. Ai akuzohet për vjedhje me armë dhe armëmbajtje pa leje.
Bashkë me të u arrestua dhe një 32 vjeçar nga Pakistani, të cilin shqiptari e mori peng.
29 vjeçari shqiptar dhe dy bashkëkombës të tij -që tashmë janë në kërkim- shkuan në një magazinë në Kolono, ku mbaheshin produkte duhani kontrabandë.
Të tre ata u prezantuan si punonjës të policisë dhe nën kërcënimin e armëve morën një sasi cigaresh që i ngarkuan në makinën e tyre.
Mirëpo ata u diktuan nga një patrullë e policisë dhe filloi përndjekja, ku morën pjesë edhe përforcime nga rajoni i policisë i Omonias dhe Agio Panteleimonas.
Gjatë përndjekjes, 29 vjeçari iu kanos policëve me pistoletën që mbante në dorë, por policët mundën ta çarmatosnin e t’i kalonin prangat dhe t’i sekuestronin armën.
Më makinën që kishte ndaluar disa metra më tej u gjet dhe pakistanezi, viktimë e hajdutëve, ndërsa u arrestua pse si roje e magazinës akuzohet për shkelje të kodit doganor.
Nga kontrolli në magazinën e vjedhur u gjetën dhe u sekuestruan 21.645 paketa cigare si dhe 906 qese duhani që nuk kishin pullën fiskale, si dhe 46 fishekë dhe një sasi e vogël kanabisi.
Nga hetimet rezultoi se ndaj 29 vjeçarit kishte dalë urdhër arresti ndërkombëtar i autoriteteve shqiptare për vepra penale që lidhen me drogën dhe armët.