Portofoli i bonove shtetërore greke rritet në 32.18 miliardë euro
ATSH
10 Nentor 2021
Banka Qendrore Europiane ka blerë bono shtetërore greke me vlerë nominale 2.8 miliardë euro në periudhën gusht-shtator, në kuadër të programit të blerjes emergjente gjatë pandemisë (PEPP), duke e rritur portofolin e saj në 32.18 miliardë euro.
Ky program është planifikuar të përfundojë në mars 2022. Banka Qendrore Europiane po shqyrton mënyrat për të vazhduar blerjen e bonove greke pavarësisht faktit se borxhi grek nuk është vlerësuar ende si shkallë investimi nga agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit të kredisë.
Banka bleu bono shtetërore me vlerë 1.365 trilion euro përmes programit PEPP deri më 21 shtator, me një tavan prej 1.85 trilion euro.
Bordi i Bankës Qendrore Europiane vendosi së fundmi të ngadalësojë ritmin e blerjeve të bonove.
Volumi i madh i bonove greke të Bankës Qendrore Europiane i mundëson shtetit grek të vazhdojë emetimin e bonove të reja në vitin 2022, në mënyrë që të sigurojë volum të mjaftueshëm në tregun sekondar të bonove të thesarit.
Ndaje me miqte