Pezullimi i AMKA-s për emigrantët, SYRIZA kërkon interpelancë
TV TRIBUNA
26 Shtator 2019
58 deputetë të SYRIZA-s kanë kërkuar interpelancë pas vendimit të ministrit të punës që të pezullojë dhënien e numri të amzës të sigurimeve shorërore (AMKA).
Deputetët e opozitës kërkojnë interpelancë me ministrin e punës dhe ministrin e mbrojtjes së qytetarit, duke i ftuar që të ndërmarrin gjithë veprimet e nevojshme, me qëllim që të garantohen të drejtat e qytetarëve nga vendet e treta, por edhe kohezioni social, në përputhje me rregullat e Bashkimit Europian, por edhe legjislacionin kombëtar.
Sipas 58 deputetëve, pavarësisht se ekziston kuadri i nevojshëm ligjor që u votua nga qeveria e mëparshme, “po vërehen probleme gjatë nxjerrjes së AMKA-s nga qendrat e shërbimit të qytetarëve (KEP), për shtetasit e vendeve të treta”.
Deputetët e SYRIZA-s komentojnë që “me pezullimin e dhënies së AMKA-s shtetasve të huaj shkelen të drejta themelore të tyre, ndërsa faktikisht po vërehen probleme serioze në aksesin e lirshëm në trajtimin mjekësor dhe farmaceutik, në regjistrimin e fëmijve të refugjatëve në shkolla, si dhe në nxjerrjen e lejes së punës për punëtorët e sektorit të bujqësisë”.
Ata nënvizojnë se në raportin e zyrës europiane të organizatës Botërore të Shëndetësisë për vitin 2018, thuhet qartë se “nuk mund të ketë shëndet publik pa mbrojtjen e refugjatëve dhe emigrantëve”.
Deputetët sqarojnë se për këtë problem i kanë dërguar një letër Avokatit të Popullit si dhe ministrave përkatës.
Kërkesën për interpelancë e nënshkruajnë mes të tjerëve, ish ministrja e punës Efi Ahcioglu, ish ministri i shëndetësisë Andreas Ksanthos, ish ministri alternat i shëndetësisë Pavlos Polakis, si dhe Dimitris Tzanakopoulos (ish zëdhënës i qeverisë), Alekos Flamburaris (ish ministër shteti pranë kryeministrit), Panos Skourletis (ish ministër i brendshëm), Nikos Filis (ish ministër i arsimit), Aleksandros Haritsis (ish ministër i brendshëm), etj.
Pse u pezullua dhënia e AMKA-s
Ministri i punës Janis Vroutsis, ka shfuqizuar qarkoren që u jepte të drejtë edhe emigrantëve pa dokumenta të pajiseshin me numrin e amzës së sigurimeve shoqërore, ose siç njihet gjerësisht, AMKA.
Ky ishte akti i parë i ministrit të ri të punës, ende pa u ulur mirë e mirë në karrigen ministrore.
Qeveria e mëparshme, kishte nxjerrë një qarkore që u mundësonte pajisjen me AMKA edhe atyre emigrantëve që kishin aplikuar për leje të jashtëzakonshme dhe vazhdonin të mbeteshin pa përgjigje, me vërtetimin e bardhë në dorë.
Një tjetër kategori ishin ata që aplikonin për mbrojtje ndërkombëtare dhe për këtë mjaftonte vetëm vërtetimi se kishin aplikuar.
Në argumentimin për shfuqizimin e qarkores, zyrtarët e ministrisë së punës nënvizojnë që një numër i madh shtetasish nga Shqipëria dhe Gjeorgjia që ishin pa dokumenta, aplikuan për mbrojtje ndërkombëtare dhe morën vërtetimin përkatës, duke siguruar edhe AMKA.
Më tej, ministria e punës thotë se gjithashtu u vërejt shtimi gjeometrik i qytetarëve shqiptarë që vinin nga vendi i tyre dhe shtroheshin në spitalet greke, dhe prezantoheshin si bujtës në masat e të afërmve të tyre, duke marrë edhe ata AMKA, e rrjedhimisht shërbim mjekësor falas.
Televizioni Tribuna u interesua t’i verifikonte këto informacione, por nuk ishte e mundur.
Menjëherë pas vendimit të ministrit aktual, nga ana e SYRIZA-s reagoi zëvendësministri i sigurimeve shoqërore në qeverinë Tsipras, Tasos Petropoulos.
“U befasova me lajmin se emigrantëve u heqin të drejtën e pasjes së AMKA-s, të kenë mundësi të punojnë e të gëzojnë trajtimin mjekësor dhe farmaceutik. Qarkorja jepte mundësinë që emigrantët të trajtoheshin si të barabartë me gjithë banorët e vendit tonë, ashtu siç përcakton Kushtetuta. Prisja që qeveria e re të kishte një qëndrim tjetër”.
Përgjigjja nga ministri i punës, Janis Vroutsis erdhi menjëherë, me një status në Twitter:
“Pa ditë para zgjedhjeve SYRIZA nxorri një qarkore që u jepte në mënyrë të parregullt AMKA shtetasve nga vendet e treta. Vetë shërbimet e ministrisë së punës e kundërshtuan atë. Unë e shfuqizova menjëherë. Vendi ynë nuk është vresht pa zot!”.
Ndaje me miqte