0030 210 33 18 483

Patentat shqiptare në Greqi, votohet marrëveshja. Kur hyn në fuqi

TV TRIBUNA 30 Janar 2020

Parlamenti grek ka votuar me shumicë të zgjeruar marrëveshjen për njohjen e ndërsjelltë të lejeve të drejtimit midis Republikës Greke dhe Republikës së Shqipërisë.

Të gjitha partitë parlamentare, me përjashtim të Zgjidhjes Greke (Elliniki Lysi), kanë votuar pro. Domethënë, Demokracia e Re, SYRIZA, Lëvizja për Ndryshim (Kinima Allagis), partia Komuniste dhe MeRA25 kanë votuar në favor të Marrëveshjes.

Është një nga rastet e rralla që në parlamentin grek shprehet një frymë kaq e lartë unanimiteti.

Procedura e diskutimit dhe e votimit ka qenë relativisht e shpejtë: Është pozicionuar dy herë shkurtimisht zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Transporteve, Ioannis Kefalojanis, që në nderhyrjen e parë ka thënë ndër të tjera:

“Sa i përket marrëveshjes me Shqipërinë, do të doja të vija në dukje se ajo prek edhe grekët e Shqipërisë, minoritetin grek, domethënë voriepirotët, të cilën zgjedhin të kthehen në atdheun e tyre dhe të vendosen këtu. Në këtë mënyrë i lehtësojmë, nuk i detyrojmë që t’i nënshtrohen sërish procesit të nxjerrjes së lejes së drejtimit.

Gjithashtu, dua t’ju sjell në kujtesë se që në vitin 2008 është përkthyer lënda e testeve për kandidatët edhe në gjuhën shqipe, pikërisht që të mund të kenë lehtësira shtetasit shqiptarë që jetojnë në vendin tonë.

Kryetari i partisë Zgjidhja Geke, Kyriakos Velopoulos, e ka shpjeguar kundërshtimin e partisë së vet, me së shumti me argumente politike, duke akuzuar qeverinë se “i jep gjithçka Shqipërisë, pa marrë asgjë në këmbim”. Me këtë rast, Velopoulos ka rreshtuar një sërë çështjesh, sipas tij mjaft të rëndësishme, si vrasja e Konstantino Katsifas, çështja e pronave në Himarë, marrëveshjen për zonat detare. Ai ka shtuar se me lejimin e patentave shqiptare, do të vihet në rrezik jeta e qytetarëve grekë dhe do të vijnë në Greqi emigrantë klandestinë...

Gjithsesi, debati parlamentar nuk ka zgjatur shumë dhe marrëveshja është hedhur në votim, ku siç thamë, u votua nga pesë prej gjashtë partive pjesëmarrëse në parlament.

 

Kur hyn në fuqi

Ashtu si shumica e ligjeve të tjera të votuara nga parlamenti grek, edhe ligji për njohjen e patentave merr fuqi ligjore dhe fillon të zbatohet menjëherë pas publikimit në Gazetën Zyrtare. Është një praktikë e cila zakonisht nuk zgjat veçse dy – tri ditë.

KUJDES: Vetëm pasi të publikohet ligji në Gazetën Zyrtare mund të shkoni në drejtoritë e transportit (Diefthinsi Metaforon) të vendbanimit që të konvertoni patentën Shqiptare në greke.

 

Si do të bëhet konvertimi (ndryshimi)  patentës

Neni 4 i marrëveshjes që sapo u miratua nga parlamenti grek përcakton se për ndryshimin e patentës nga shqiptare në greke, nuk nevojitet kryerja e testeve praktike.

NENI 4: Nëse mbajtësi i një lejeje drejtimi të lëshuar nga autoritetet kompetente të secilës Palë Kontraktuese i është dhënë rezidenca normale në territorin e Palës tjetër Kontraktuese, autoritetet kompetente të asaj Pale tjetër Kontraktuese konvertojnë lejen pa kërkuar kryerjen e testeve teorike dhe praktike.

Autoritetet kompetente të Palës Kontraktuese që kryejnë konvertimin kërkojnë një vërtetim mjekësor, i cili vërteton se një person është i aftë fizikisht të drejtojë një mjet motorik ose një kombinim të mjeteve të kategorisë specifike.

KUJDES: Nëse vazhdoni të drejtoni mjetin tuaj në Greqi me patentën shqiptare siç e keni marrë në Shqipëri, (domethënë pa kryer konvertimin e patentës), rrezikoni të penalizoheni.

Nuk ka rëndësi votimi i ligjit, ju duhet të bëni medoemos konvertimin e patentës.

 

 

Ndaje me miqte