0030 210 33 18 483

Përmirësohet legjislacioni për emigrantët e ligjshëm

TV TRIBUNA 27 Prill 2022

Komisioni Europian ka propozuar të mërkurën reformimin e legjislacionit për emigracionin, me qëllim që të tërheqë punonjës të specializuar nga vendet e treta.

Gjithashtu, masat synojnë lehtësimin e mëtejshëm të qarkullimit të emigrantëve të ligjshëm ndërmjet 27 vendeve anëtare.

Brukseli synon thjeshtëzimin e procedurave që shtetasit nga vende të treta të marrin leje qëndrimi dhe pune në territorin e BE-së.

Kjo leje unike nuk do të ndërlidhet më me një punëdhënës të vetëm, dhe poseduesit e lejeve të qëndrimit e të punës mund të ndërrojnë profil sa herë që ta kenë të nevojshme.

Komisioni Europian gjithashtu synon të lehtësojë dhënien e statusit të rezidentit afatgjatë, që aktualisht jepet pas pesë vitesh qëndrimi të ligjshëm në një vend të BE-së.

Komisioni propozon që në këtë afat pesë vjeçar të përfshihen edhe periudhat që emigranti ka qëndruar në vende të tjera anëtare të BE-së.

Thënë më thjesht, një emigrant që shkon nga Greqia në Gjermani, mund të marre leje gjermane pa qenë nevoja t’i nënshtrohet kushtit të periudhës 5 vjeçare të qëndrimit në Gjermani.

Edhe vitet e studimeve në një vend të bashkimit Europian do të merren gjithashtu parasysh.

Paralelisht, do të përmirësohet procesi i bashkimit familjar.

Nuk do të ketë më kusht integrimin, aksesin në tregun e punës për pjesëtarët e familjes, ndërsa nëse prindi ka leje të rezidentit afatgjatë, këtë leje e marrin menjëherë edhe fëmijtë.

Përveç ndryshimeve legjislative, Komisioni Europian propozon edhe përmirësime operative.

Kështu, synohet që deri në verën e vitit të ardhshëm të vihet në funksionim një platformë elektronike, ku qytetarët e vendeve të treta do të mund të publikojnë profilin e tyre me qëllim që të ndihmojnë bizneset të gjejnë punonjës për specialitetet që kanë nevojë.

Bashkimi Europian pranon çdo vit 2,5 deri në 3 milionë qytetarë nga vendet e treta, për arsye studimi ose pune.

Emigracioni i ligjshëm forcon ekonominë europiane, deklaroi nënpresidenti i Komisionit Europian, Margaritis Schinias. Dhe shtoi:

“Ka një rezultat pozitiv në të gjitha nivelet: u ofron mundësinë emigrantëve që të përmirësojnë jetën e tyre dhe vendet pritëse i furnizon me punonjës të kualifikuar”.

Ndaje me miqte