0030 210 33 18 483

Një sqarim për projektligjin e paraqitur në Parlamentin Grek për pensionin kombëtar

Dr. Luan ZYKA

27 Mars 2022

Në botën e lajmeve thuhet se lajmi i mirë nuk përbën lajm, dhe lajmi i keq është lajm (sepse lajmi i keq tërheq më shumë vëmendje).

Në rastin tonë, në shtypin shqiptar të ditëve të fundit u ranë daulleve duke lajmëruar se “Parlamenti grek ka diskutuar projektligjin e ri që lehtëson dhënien e pensionit të plotë për emigrantët shqiptarë".

Po si është e vërteta ?

Në Parlamentin grek po diskutohet për ndryshimin e një pike të ligjit  Νr. 4387/16 për pensionet, dhe konkretisht për llogaritjen viteve të qëndrimit në Greqi për të marrë pensionin kombëtar prej 384 € në muaj.

Ky projektligj u referohet vetëm qytetarëve me origjinë greke që kanë ardhur në Greqi nga Shqipëria dhe ish-Bashkimi Sovjetik, dhe jo të gjithë emigrantëve që punojnë e jetojnë në Greqi, ku pjesa më e madhe janë shqiptarë.

Në shtypin shqiptar shkruhet e thuhet se ligji ndihmon të gjithë emigrantët !!!

Nuk arrij të kuptoj se, kur në Greqi dhe në Shqipëri ka me mijëra persona që dinë mirë shqip edhe greqisht, lajmet që lidhen me të dy vendet shpesh jepen jo të plota dhe shpesh të gabuara.

Projektligji i ri që po diskutohet në Parlamentin grek, zgjidh deri diku një problem të grekëve të Shqipërisë që jetojnë në Greqi, por përjashton pjesën tjetër të emigrantëve të ligjshëm që jetojnë e punojnë në Greqi, por që nuk janë me origjinë greke.

Ky dallim, përbën shkelje ligjore të frymës dhe legjislacionit të Bashkimit Europian, sepse është formuluar mbi baza racore.

Në këtë këndvështrim, duhet ta kërkojnë emigrantët shqiptarë, me nënshtetësi apo jo greke, për t’u trajtuar edhe ata njësoj si taksapaguesit me origjinë greke të ardhur nga Shqipëria dhe vendet e ish-BS.

Nga kjo pikëpamje, ky lajm për emigrantët shqiptarë nuk përbën lajm, sepse nuk u referohet atyre. Por nga pikëpamja e së drejtës, ky është lajm i cili mund të hapë rrugën e zgjerimit të ligjit për të përfshirë edhe emigrantët e tjerë në Greqi.

Por fitimi i së drejtës arrihet me kërkesa dhe lëvizje të organizuara, ashtu siç  bënë në Athinë qytetarët nga Shqipëria me origjinë greke.

 

Koncepti dhe përllogaritja e pensionit kombëtar

Në Greqi pensioni bazë i pleqërisë llogaritet si shumë e pensionit kombëtar dhe pensionit sipas kontributit të pagave dhe kohës së punësimit.

Pensioni kombëtar grek, i cili shkon në 384 euro në muaj për ata që kanë kontribuar përkatësisht të paktën 20 vjet, përbën një mjet të politikës sociale që synon të trajtojë varfërinë dhe përjashtimin social, pasi garanton një pension minimal.

Ky pension paguhet nga Buxheti i shtetit dhe jo nga kontributet e mbajtura nga rroga gjatë punësimit të punonjësit.

Ligji i vjetër kushtëzonte vlerën e pensionit kombëtar në bazë të viteve të qëndrimit të ligjshëm në Greqi.

D.m.th., që të merrje pensionin e plotë kombëtar prej 384 € duhej të kishe 40 vite qëndrim të ligjshëm në Greqi. Me projektligjin e ri nuk kërkohen 40 vite por vetëm 30 vite të ligjshme për të marrë pension të plotë kombëtar prej 384 € në muaj.

Konkretisht, me ligjin e vjetër, për çdo vit më pak se 40 vite qëndrim të ligjshëm ne Greqi, pensioni ulej 2,5 % për çdo vit të shumës së 384 € në muaj. D.m.th. nëse dikush ka 30 vite të ligjshme në Greqi do merrte 288 € pension kombëtar dhe në vit do të humbiste 1152 €.

Me projektligjin e ri, kushti është që të kesh 30 vite qëndrimi në Greqi, dhe pensioni kombëtar llogaritet i plotë 384 € në muaj.

Dr. Luan Zyka është kryetar i Komunitetit Shqiptar të Selanikut, ish sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë

Ndaje me miqte