Një i marrë në oborrin e Demokracisë
Juli NDRIKO
29 Prill 2021
Thirrja e shqiptarëve dhe presioni i ndërkombëtarëve duhet të konvergojnë në një pikë: Dorëheqjen e Metës. Dhe nëse si deklaroi vetë Meta në tekstin e tij të betimit me dorën mbi Kushtetutë se: ‘Vetëm Demokracia mund të më jepte mua mundësinë që të shërbeja edhe si Kryeministër, Kryetar Kuvendi e nga sot si President i Republikës” dorëheqja e tij me dhe pa presion duhet të na japë ne shqiptarëve mundësinë të largojmë një të marrë nga oborri i demokracisë.
Majtas e djathtas në Shqipëri diskutohen rezultatet e zgjedhjeve të 25 Prillit. Palët kundërshtojnë si përherë njëra tjetrën dhe rezultati zgjedhor edhe këtë radhë u cenua nga akuzat për shitblerje vote, intimidim i votuesit, përdorim i administratës shtetërore, tjetërsim vote etj. Por gjatë fushatës zgjedhore përveç palëve politike, ajo që bëri përshtypje ishte angazhimi i Presidentit, tonet dhe deklaratat e të cilit nuk kishin asnjë lidhje me pozicionin e lartë ku votat parlamentare e kanë vendosur.
Duhet të pranoj se ashtu si shumë të tjerë edhe unë prisja që pas fitores së PS, me dhe pa akuza, ashtu si kishte deklaruar Presidenti të jepte dorëheqjen; por kjo jo vetëm nuk ndodhi, por deklarata e tij se do të qëndroj në Presidencë dhe në 24 korrik 2022 do marrë kartën e anëtarit të LSI, me çuditi. Çudi, pasi befasisht nuk na kap më Presidenti prej të cilit nuk presim asgjë.
Ilir Meta u zgjodh President i Republikës së Shqipërisë në 28 Prill 2017, në raundin e katërt të votimit. Asokohe, Komisioni Parlamentar i Ligjeve e vlerësoi kandidaturën e paraqitur si të përshtatshme dhe në përputhje me bazën kushtetuese dhe ligjore.
Kandidatura e Metës në raundin e katërt, erdhi pasi kushtet dhe mundësitë për dialog mes mazhorancës dhe opozitës për gjetjen e një kandidature të pranueshme dështuan. Ishte koha kur opozita gjendej në shesh dhe ku prej 70 ditësh kërkonte qeveri teknike dhe zgjedhje të reja me akuzën se parlamenti aktual “kishte dalë me votat e krimit dhe mafies në zgjedhjet e manipuluara të 25 qershorit 2017”.
Fill pasi u zgjodh President, Meta u betua se do të dëshmonte vullnetin e tij të hekurt për të respektuar në germë dhe në frymë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, për të përmbushur të gjitha përgjegjësitë kushtetuese në interesin më të mirë të vendit, të kombit dhe qytetarëve shqiptar, pa kursyer në asnjë çast përkushtimin që kërkon lartësia e detyrës; integritetin, drejtësinë dhe pa-anshmërinë.
”Kushtetutshmëria, asnjanësia politike, si dhe respektimi i shtetit të së drejtës, do të jenë referencat kryesore të vendimeve dhe akteve të mia Presidenciale”- deklaroi Meta, tek hynte në rezidencën presidenciale si President i Shqipërisë, një figurë kjo e lartë për të cilin Kushtetuta, në nenin 86 të saj deklaron se është “...kryetar i shtetit dhe që përfaqëson unitetin e popullit”.
Sot, katër vjet më pas duket se as konsensusi parlamentar që e zgjodhi, as urdhërimet kushtetuese dhe as betimet e tij me dorën mbi Kushtetutë nuk e ndihmuan partiakun Meta të ushtronte detyrën për të cilën u zgjodh dhe për të qenë unitet i popullit.
Megjithëse dha dorëheqjen nga kryesimi i krijesës së tij, LSI, duke e lënë sidoqoftë si trashëgimi familjare tek bashkëshortja, Meta nuk ia doli të lartësohej në ushtrimin e detyrës si president i shqiptarëve dhe as t’i shërbente frymës së konsensusit, dialogut, bashkëpunimit e gjithëpërfshirjes në interes të forcimit të institucioneve dhe avancimit të reformave më jetike që e bëjnë Shqipërinë një vend më demokratik, më të qëndrueshëm, më të sigurt e plotësisht europian.
Pasi dekretoi dhe çdekretoi datën e zhvillimit të zgjedhjeve lokale 2019 me argumentet se kështu i shërbente mirëfunksionimit të demokracisë, ai njëherësh u bë pengesë në dekretimin e ministrave të Edi Ramës. Ligje të tëra, përfshirë dhe ata me peshë si Statusi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të RSH, për organizimin dhe funksionimin e gjykatës kushtetuese, për vlerësimin kalimtar të punonjësve të policisë, Gardës dhe Shërbimit të Brendshëm dhe Ankesave në policinë e shtetit, për përfundimin e proceseve dhe të kalimit të pronësisë, për karrierën ushtarake në forcat e armatosura të RSH etj., etj., nuk u dekretuan prej tij, me argumente, thelbi i të cilave ishte gati i njëjtë, se ato cenonin parime kushtetuese, prishnin balancën e pushteteve dhe mundësonin kontrollin e ekzekutivit në strukturat e pavarura të shtetit.
Teksa tensioni rritej, kandidaturat për Gjykatën Kushtetuese dhe proceset që pasuan e nxehën dukshëm përplasjen Kuvend – Qeveri - Presidencë, aq sa mazhoranca nisi dhe një proces shkarkimi, duke arsyetuar se kishte bërë shkelje kushtetuese. Procesi që nuk pati viktima, nuk e qetësoi situatën dhe përplasjet që arritën kulmin me fushatën zgjedhore të 25 prillit, ku në një veprimtari të ethshme politike, Meta harroi betimin si i paanshëm dhe detyrimin kushtetues për këtë dhe thirri shqiptarët ’...të rrëmbenin armët dhe të mprehnin sfurqet në mbrojtje të votës më 25 Prill’. Thirrja e ngjashme me thirrjen për luftë u pasua nga të tjera, në të cilat u vetëshpall si mbrojtësi i demokracisë së shqiptarëve, mes të cilëve dhe ata më inteligjentët nuk e ndanin dot më se cili ishte presidenti i tyre dhe cili kryetari i LSI-së.
Mes dalldisë që e kapi nga një humbje e ndjerë për partinë e tij, nga e cila nuk u shkëput dot kurrë dhe që rezultoi e vërtetë nga vota shqiptarëve në 25 Prill, deklaratat e tij përfshinë dhe atë të dorëheqjes nëse Rama fitonte 70 mandate.
Rezultatet folën për një votë popullore pro Ramës, i cili siguroi shumicën e nevojshme për të qeverisur, plot 74 mandate. Në kushtet kur Edi Rama shpalli fitoren e certifikuar dhe nga KQZ, normalisht të gjithë pritëm dorëheqjen e Metës nga posti që mori gabimisht dhe që asnjëherë nuk mundi ta ushtronte. Por kjo nuk ndodhi.
Askush nuk mund të kuptojë më Metën, i cili vrau Presidentin dhe ende rri në karrigen e tij, përveçse duke e menduar atë si të çekuilibruar dhe të marrë. Marrëzi që u çertifikua dhe nga deklarata më e re e bërë prej tij, nga karrikja e ushtruesit më të lartë të detyrës qeveritare, se më 24 korrik të 2022 do të marrë teserën e LSI-së.
Për të gjitha këto, më shumë se me opozitën, dorëheqjen e nevojshme të Lulit, humbjen e Monës dhe fitoren e Edit, shqiptarët duhet të kërkojnë urgjent dorëheqjen e Presidentit. Referendumi popullor që pretendoi Meta kundër Ramës duhet të drejtohet ndaj Presidentit të Republikës, shkeljet kushtetuese të të cilit e kanë plotësuar shkakun shkarkimit të tij nga detyra. Por nëse shkarkimi bëhet nga Kuvendi dhe kjo do të ishte një procedurë që do t’i mundësonte atij qëndrimin në detyrë deri në korrik të 2022, presioni për dorëheqjen e tij duhet të nisë që sot. Shqiptarë e ndërkombëtarë duhet të ndihmojnë në largimin e një të marri që ka marrë peng unitetin e vendit dhe që ndonëse deklaroi se me zgjedhjen president do të linte pas bashkë me 25 vitet e tij në Kuvend çdo debat apo përkatësi politike që kish pasur për t’iu përgjigjur lartësisë së re të detyrës së Presidentit të Republikës, nuk ia doli.
Thirrja e shqiptarëve dhe presioni i ndërkombëtarëve duhet të konvergojnë në një pikë: Dorëheqjen e Metës. Dhe nëse si deklaroi vetë Meta në tekstin e tij të betimit me dorën mbi Kushtetutë se: ‘Vetëm Demokracia mund të më jepte mua mundësinë që të shërbeja edhe si Kryeministër, Kryetar Kuvendi e nga sot si President i Republikës” dorëheqja e tij me dhe pa presion duhet të na japë ne shqiptarëve mundësinë të largojmë një të marrë nga oborri i demokracisë.
Ndaje me miqte