Një ambasador si Bashkim Zeneli...
Robert Goro
19 Dhjetor 2018
Tejet i zhgënjyer, në telekronikat mbi prezantimin e librit “Miqësi e trazuar” të ish ambasadorit Bashkim Zeneli, pashë se mungonte në mënyrë demonstrative ministria e jashtme e Shqipërisë. Prania e presidentit të vendit dhe e kryetarit të parlamentit, e theksonte edhe më shumë atë mungesë.
Ndoshta për të konfirmuar konstatimin e shtruar prej Henri Çilit në parathënien e librit, që i cilësonte si specie në zhdukje profilet si të ambasadorit në fjalë.
Vetë Bashkim Zeneli, me një pezm që mua më ngjan ulëritës, shënon diku në rreshtat e fundit të librit të tij: “Që nga shkurti i vitit 2006 e deri më sot që po mbyll së shkruari këtë libër, mbeta i papunë. Ata që ishin dje në qeverisje, nuk më mbajtën, sepse isha “i majtë”! Këta që erdhën pas tyre, nuk më afruan asgjë, sepse, siç duket, e dinin që nuk jam “i djathtë”! Nuk ka ndryshe...
Nëse fjalët e mia e ngushëllojnë sadopak, do të thoshja që arsyeja e vërtetë e “injorimit” nga të dy palët ishte se atyre nuk u duhej një ambasador i kalibrit Zeneli.
(Me këtë nuk dua të ul ambasadorët e tjerë, para apo pasardhës të tij. Por ja që me autorin e librit “Miqësi e trazuar” pata një lidhje e bashkëpunim më të ngushtë, -nga i cili besoj përfituam të dy në sensin profesional)...
Ky kalibër i veçantë shfaqet edhe në faqet e librit voluminoz që unë nuk do të quaja thjesht “kujtime”. Më shumë më ngjan me një “Doracak për diplomatë të përkushtuar”.
Mandati i Bashkim Zenelit në Athinë filloi e mbaroi në një periudhë kur marrëdhëniet dypalëshe ndodheshin në një nivel me të vërtetë të mirë (duke ruajtur gjithsesi frymën e mosbesimit reciprok që i karakterizon tradicionalisht). Mendoj se sfida më e madhe e një ambasadori është pikërisht gjatë periudhave të tilla. Dhe kam qenë dëshmitar i disa momenteve që m’u rikthyen në kujtesë gjatë leximit të librit, se si menaxhoi me mençuri disa situata me të vërtetë mjaft të nxehta, apo të tjera që në dukje ishin të lehta, por që menaxhimi me lehtësi do të mund të krijonte komplikacione të rënda.
Kështu p.sh., këmbëngulja e ambasadorit për t’u shtyrë vizita e ministrit të jashtëm grek në Shqipëri, në prag të zgjedhjeve të korrikut 2005, me synim finalizimin -gjatë asaj vizite- të marrëveshjes për çështjen e varrezave.
Apo ndonjë urdhër i nxituar i kryeministrit Nano -për ndonjë notë proteste pa shumë sens- që përsëri ambasadori Zeneli me mjaft durim ç’është e vërteta, i argumentonte se përse nuk duhej zbatuar; dhe arrinte t’ia mbushte mendjen...
Apo ngjarja mjaft e rëndë e rrëmbimit të një autobusi dhe mbajtjes peng të pasagjerëve, nga dy të rinj shqiptarë në Athinë, ku Zeneli bashkë me pjesëtarë të stafit qëndroi për 22 orë në vendngjarje, duke komunikuar vetë me rrëmbyesit e duke i bindur ata që të lironin gradualisht pengjet e në fund të dorëzoheshin.
Apo, zgjidhja që i kërkoi ministrit grek të rendit që të munden të udhëtojnë për në atdhe emigrantët pa leje qëndrimi – një zgjidhje e cila zbatohet edhe sot e kësaj dite.
Nuk dua të zgjatem me shembuj te tjerë e të “djeg” kërshërinë e lexuesve potencialë të librit.
Por ama, nuk mund të rri pa thënë edhe këtë: ajo godina kaq prestigjoze në të cilën u vendos ambasada Shqiptare në vitin 2003, dhe që e bën çdo bashkatdhetar të ndihet krenar edhe sot e kësaj dite, ishte vepër e vizionit dhe këmbënguljes së Bashkim Zenelit, e askujt tjetri!
Është e vërtetë se Bashkim Zeneli hyri në diplomaci nga politika, në të cilën kishte hyrë nga gazetaria. Në librin e tij me titullin mjaft të goditur, “Miqësi e trazuar”, shquajmë më shumë gazetarin, pastaj diplomatin e thuajse aspak politikanin. Ose më saktë, politikani shquhet në një trajtë tashmë të harruar për standardet e habitatit shqiptar.
Duke shfletuar librin, e ndjen se Bashkim Zeneli e ka parë veten e tij të lidhur ngushtë me qindramijëra bashkatdhetarët që emigruan në Greqi në fillim të viteve 1990-të. Nostalgjia e tij për këta njerëz, duket se ka mbetur po aq e gjallë sa dhe në momentin e njohjes me ta; dhe të gjitha këto momente përbëjnë ndër pjesët më interesante të librit. Bisedat me të burgosuri, dialogjet me emigrantë të thjeshtë në zona të ndryshme të Greqisë, letërkëmbimet, përshkrimet me detaje të veprimtarive kulturore artistike të komunitetit, që dëshmojnë pikërisht atë lidhje të ngushtë shpirtërore që ambasadori krijoi me bashkatdhetarët në Greqi. Duket se Bashkim Zeneli, përfaqësuesi i shtetit amë në vendin ku ata përballeshin me kaq halle e probleme, ndihej njëkohësisht, vëlla, mik e shok, prind e bir i tyre.
Thonë se një diplomat duhet të mbajë mend ditëlindjen e një femre, por jo dhe moshën e saj. Në librin e tij Bashkim Zeneli shfaqet ashtu siç është në të vërtetë, ashtu siç është shfaqur gjithmonë: i hapur, i sinqertë, e sidomos i mençur.
Që në ditën e parë të ardhjes së tij në Athinë, Bashkim Zeneli tregoi se misioni që i kishte ngarkuar vetes ishte të krijonte e të forconte urat e miqësisë e bashkëpunimit (fjalë tepër prozaike, por që marrin peshë të veçantë në këtë rast). Në rastin e Shqipërisë e të Greqisë, kushti paraprak për ndërtimin e urave është mungesa e paragjykimeve reciproke. Fakti se Zeneli vazhdon të flasë me kaq dashuri për Greqinë dhe grekët; se edhe 12 vjet pas largimit ai realitetin nuk e vështron bardh e zi, por ashtu siç e percepton në të vërtetë vetëdija e tij; ky fakt pra, mendoj që dëshmon se Bashkim Zeneli e ka vënë gurin e vet në urën metaforike ndërmjet të dy vendeve. Që për hir të së vërtetës duhet thënë që ngjan pak me kalanë e Rozafës, apo me urën e Artës, siç e gjejmë mitin përkatës në folklorin grek...
Sidomos në këtë periudhë, kur marrëdhëniet midis Athinës dhe Tiranës po përjetojnë një tjetër stinë të ftohtë, mendimi i Zenelit, sugjerimet e Zenelit, do të mund të ishin “erërat e ngrohta” që do ta zbutnin acarin.
Mirëpo, e thamë qysh në fillim: kalibrat si Bashkim Zeneli nuk bëjnë për këtë epokë post-truth ku përherë e më shumë, dhe në mënyrë globale, po davaritet politika e rrjedhimisht edhe diplomacia...
Libri “Miqësi e trazuar” prezantohet në Athinë
Ambasadori Bashkim Zeneli do të jetë i pranishëm në prezantimin e librit të tij për bashaktdhetarët në Athinë.
Veprimtaria do të zhvillohet të premten, 21 Dhjetor, ora 18.30 në Hotel Novus. Adresa: Karolu 23 në Athinë.
Hyrja e lirë për të gjithë publikun
Ndaje me miqte