0030 210 33 18 483

Niko Kacalidha, romancieri modern i prozës greke

Viktor NASI 03 Tetor 2020

Është kënaqësi e madhe kur ke në dorë një roman të ngjeshur 663 faqe, që të nxit dëshirën për ta lexuar me kujdes dhe vëmendje dhe për ta rilexuar. Romani i ri i Niko Kacalidhës nuk të bën vetëm përshtypje dhe të lë mbresa për nga motivi, por të jep të kuptosh që në fillim se do të lexosh një roman të shkruar me frymëzim, lirizëm, ndjenjë, dashuri e respekt të thellë për njeriun, me shpirt dhe fantazi krijuese. Trillimi dhe fantazia të bën të shikosh, të dëgjosh, të ndjesh ato që shikon, dëgjon, ndjen dhe vet shkrimtari. Niko Kacalidha ia ka arritur me mënyrën mjeshtërore të të shkruarit ta bëjë për vete lexuesin e t’ i transmetojë atij me finesë dhe qartësi mesazhe fisnike.

‘Endacaku i natës’, është një roman origjinal shkruar dhe kompozuar me një formë moderne interesante qe të vë në mendime. Ndryshe nga romani i parë ‘Rreth harmonisë dhe demonëve të tjerë’, roman tepër i suksesshëm, që u përfshi në listën e shkurtër të romaneve më të mira të vitit, me shumë elemente realiste, romani i ri, me një stil të veçantë kristalizon individualitetin e poetit dhe prozatorit Kacalidha, në hullinë e realizmit magjik. Lexuesi i vëmendshëm menjëherë e kupton se këtu në mënyrë të përkryer gërshetohet poezia me prozën moderne çka e bën aq të bukur dhe me vlera të padiskutueshme ideore, estetike, gjuhësore. Në roman gërshetohen realja me imagjinaren, fizikja me metafiziken, mitologjia me historinë, logjika me alogjiken, realizmi me surealizmin.

Duke lexuar ‘Endacakun e natës’, mu kujtuan fjalët e shkrimtarit të shquar francez Romen Rolan ‘Jeta politike e një kombi është vetëm shfaqja sipërfaqësore e ekzistencës së tij. Që të mësojmë jetën e brendshme, burimin e energjivetë tij duhet të depërtojmë në shpirtin e tij nëpërmjet letërsisë, filozofisë dhe artit në të cilat rεflektohen idetë pasionet dhe ëndrrat e popullit.’ Këshillën e Rolanit e ka zbatuar një për një Niko Kacalidha në romanin e ri. Me bindje theksoj se ‘Endacaku i natës’ është një roman që të fiksohet në kujtesë për modernitetin.

Si çdo shkrimtar dhe poet edhe Niko Kacalidha sjell të vërtetën e tij por të vërtetat e këtij romani do t’ i cilësoj si një thikë në kockë që dhemb shumë deri në klithmë. Autori gërmon në shpirtin dhe psikologjinë e të përhënurit, endacakut, ëndërrimtarit Petro Protomastora dhe të njohurve të tij me të cilët komunikon, dialogon shprehet për punën e tij si kryearkitekt për projektet për veprat madhore që ka ndërmarrë, për lëvizjen e kështjellës se Gjirokastrës mbi një karrocë gjigante homerike drejt fushës së Dropullit që të shkundet nga myku dhe gjaku i të burgosurve për të parë diell, për hapjen e tunelit gjigand të Muzinës për ta nxjerrë nga ana tjetër në brigjet me diell dhe përfundimisht për ndërtimin e urës mbi dy brigje për të krijuar linjën Sarandë Korfuz në kohërat e zymta të një bote të mbyllur. Nëpërmjet shtjellimit mjeshtëror të këtij triptiku autori ka arritur të zbulojë forcën dhe dobësitë e njeriut. Personazhi kryesor Petro Protomastora është një i përhënur.

 

Sëmundja e tij fsheh një farë shtrembërimi dhe tronditje të forcës fizike dhe fantazisë. Kështu në përplasjen e koshiencës me subkoshiencën del e fituar subkoshienca. Krijohet tek ai një dyzim i personalitetit. Njëri personalitet që drejtohet vetëm nga instiktet, nga subkoshienca, pra një karakter të ndryshëm nga ai i personalitetit të dytë që drejtohet nga koshienca e cila herë pas here shfaqet e dobët. Ditën Petroja jeton realitetin brenda mundësive që i jep koshienca e shtrembëruar dhe e dobësuar. Nata për të është e mbushur me veprimtari mendore por herë-herë dhe fizike në fantazimet e tij, në vegimet dhe ëndrrat të cilat përbëjnë botën e veçantë që e lidh me botën e përtej varrit dhe me botën reale. Nëpërmjet Protomastoras një gjetje mjaft e goditur romaneske ku mbështetet shtjellimi, krijon tri botë: botën e brendshme të të përhënurit, botën e përtej varrit dhe botën reale. Të tri botët komunikojnë lirshëm pa kufij midis tyre.

Lidhjen e bën Petroja si endacak, si vegimtar dhe ëndërrimtar i natës. Në gjumë ai shndrrohet kryemjeshtër, arkitekt, udhëton pa caqe, i tregon lexuesit vende, male, pyje, lumenj, detin, florën dhe faunën. Në vegimet e natës, ky njëri që ka kryer studime të larta dhe flet me një gjuhë të pasur dhe që ka detyruar shkrimtarin të përdorë një gjuhë shumë të pasur greke për admirim, harton projekte dhe për t’ i realizuar, dialogon me të njohurit e tij të gjallë e të vdekur. Herë e ndjen veten Sizif të kohëve moderne dhe herë Promete. Ëndrrat e tij tregojnë mite, heronj të lashtësisë antike greke, por dhe ngjarje të luftës për çlirim, qëndrimin e patundur, bindjet e bashkëfshatarëve të tij në gjyqet e shumta që nuk i shqiten nga mëndja. Ditën Petro Protomastora e kalon thuajse pa ndonjë veprimtari të veçantë. Duke ecur me vështrimin nga qielli flet me vete rrugëve, pëshpërit për projektet hartuar në vegimet e tij dhe banorët e qytetit bregdetar janë të informuar për përpjekjet që bën për të zhvendosur kalanë e mirënjohur të Gjirokastrës nga errësira në dritën e luginës dhe nëpërmjet një tuneli të madh ta çojë pranë detit. Në mënyrë të vazhdueshme u thotë të njohurve dhe lajmi është bërë i njohur se arkitekti do të ndërtojë urën e madhe mbi det Sarandë-Korfuz, për të lidhur dy brigje. Petro Protomastora është i pranishëm, gjithnjë në ëndrrat dhe vegimet, në çdo ngjarje, krijon dhe rrëfen mite, por dhe të vërteta të hidhura për dekada të tëra.

Ndjehet perandor në sallën perandorake të kalasë imagjinare dhe jep këshilla, bisedon me të vdekurit, me hijet dhe fantazmat. Niko Kacalidha, duke zhbiruar botën e brendshme të personazhit të tij, na njeh me humnerën e errët të subjektivizmit, kërkon në skutat e subkoshiencës së personazhit, në instiket, fluturimet fantastike, në ëndrrat dhe vegimet psikike. Petro Protomastora rrëfen,  flet për njerëz e ngjarje, art, kulturë, arkeologji, shkencë dhe vet pas vdekjes u kthye për banorët e qytetit bregdetar në një mit. Shpirti i tij shëtit në qytet, ndjek transformimet pas viteve ‘90 me vërejtjet për realitetin e sotëm. Elementi kohë trajtohet si një vijë e drejtë me një fillim dhe shtrirje në pafundësi pa u segmentuar në fragmentarizmin e saj. Segmentet e përcaktuara, për efekt studimi si lashtësia, e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja, pa caqe, si në një labirint, nuk e pengojnë rrjedhën e kohës. Ato janë caktuar për t’ i trajtuar ngjarjet në kufijtë kohorë dhe në enklavat e tyre. Niko Kacalidha synon të sigurojë jetëgjatësi në atë që është e çastit, për të përjetësuar të tanishmen historike. Nga sa më sipër theksojmë se romani ‘Endacaku i natës’ është kristalizim i çastit,  është ura midis të shkuarës dhe të ardhmes, midis përvojës vetjake dhe asaj të përgjithshme. Gjuha është një model se si e përdor autori fjalorin e pasur të gjuhës greke me nivel të lartë gjuhësor dhe stilistik në këtë vepër të cilën do ta quaja me bindje, një nga romanet më të bukurat të letërsisë së sotme greke.

Të 39 kapitujt, janë modele proze dhe besoj se kritika letrare do të rikthehet e do të angazhohet për studime gjuhësore, stilistike dhe estetike. ‘Endacaku i natës’ është si një enciklopedi moderne ku njihesh me mitologjinë, letërsinë antike greke, krijimtarinë popullore, këngët, vallet, doket, zakonet e dasmës dhe të vdekjes, veshjet karakteristike popullore, me kolosët e letërsisë botërore, Servantesin, Shekspirin, Dostojevskin, me truallin, gjeografinë dhe historinë e Epirit, shkencën e ndërtimeve etj. Vihen në kontrast historia e ndritur e kombit me realitetin mbytës, të padurueshëm, me mungesën e lirisë dhe të të drejtave, që të dëshpëron, të detyron të humbasësh dinjitetin dhe krenarinë kombëtare.

Nëpërmjet simbolit, alegorisë, humorit popullor, sarkazmës, groteskut, me mjeshtëri dhe finesë artistike fshikullohet diktatura dhe lufta e klasave si ligj bazë i saj. Romani dallohet për fjalor të pasur me shprehje popullore, fjalë të urta karakteristike të Epirit të lidhura bukur me të folurit dhe shprehjet e Petro Protomastorës dhe të miqve të tij, të gjallë e të vdekur gërshetuar me një gjuhë letrare të nivelit të lartë. Çdo personazh natyrshëm përdor fjalorin e tij, i cili përcakton formimin kulturor të secilit me fjalë të dramës, të tragjedisë, komedisë dhe shkencës sipas skenave të veçanta, tragjike, dramatike, komike, shkencore pa e vështirësuar lexuesin. Në fillim të romanit si kredo gjejmë fjalët e Dostojevskit ‘Do t’ ju them një të fshehtë: të gjitha ato mbase nuk kanë qenë fare ëndërr! Sepse këtu ka ndodhur diçka, diçka me vërtetësi kaq të lemerishme, që nuk do të mundja ta shihja në ëndërr’.  Romani ka për për bazë një realitet të caktuar. Mitet janë mite, trillimi dhe fantazia krijuese janë të pranishme, por historisë dhe realitetit nuk mund t’ u fshihemi dhe as t’ i fshehim. Me siguri ‘Endacaku i natës’ shënon një sukses të ri për poetin dhe prozatorin Niko Kacalidha dhe për krejt letërsinë e sotme greke.

Ndaje me miqte