Ndryshimet në ligjin për emigracionin: Anët e këqija dhe anët e mira
Tribuna TV
19 Maj 2018
Organizata e emigrantëve “Arogji - Përkrahja” është pozicionuar mbi ndryshimet në ligjin për emigracionin, që votoi ditët e fundit parlamenti grek.
“Arogji” kishte paraqitur gjatë një seance në komisionin përkatës parlamentar vërejtjet dhe sugjerimet e veta, disa prej të cilave janë pranuar nga ligjvënësit.
Si tha për TV Tribuna drejtuesi i Arogji Fatos Malaj, organizata gjykon se ligji i ri sjell shumë ndryshime për emigrantët, ndryshime sa pozitive, aq edhe negative. Si një pikë shumë negative konsiderohet shfuqizimi i këtyre dispozitave të mëparshme:
- Parashikimet e nenit 19 të ligjit 4251/2014, që u lejonte gjithë atyre që kishin hyrë në Greqi para të paktën tre vjetësh, të aplikonin për leje qëndrimi për arsye të jashtëzakonshme;
- Gjithashtu shfuqizohet dispozita që u jepte mundësinë atyre që kishin pasur në të kaluarën qoftë dhe një leje të vetme qëndrimi, të aplikonin për leje për arsye të jashtëzakonshme, mjafton që të mos kishin munguar nga Greqia për një periudhë më shumë se dyvjeçare;
- Leja e qëndrimit për arsye të jashtëzakonshme që do të jepet tash e tutje, do të jetë për ata që dëshmojnë se kanë krijuar lidhje me Greqinë dhe jetojnë këtu të paktën për shtatë vjet pa ndërprerje. Të interesuarit mund ta vërtetojnë qëndrimin e tyre ose me dokumente private, ose shtetërore; mjaft që këto dokumente të kenë data të sakta. Organizata e emigrantëve “Arogji” me propozimet që i paraqiti parlamentit, influencoi që të sanksionohen përfundimisht në ligj edhe dokumentet private, pasi projektligji parashikonte vetëm dokumentet e dhëna nga institucionet shtetërore.
Ndërkaq, ligji ka edhe disa elementë pozitivë, të cilat mendojmë se janë:
- Shtimi i vlefshmërisë së lejes së qëndrimit për arsye të jashtëzakonshme, e cila do të ketë kohëzgjatje tre vjet dhe paravolo do të kushtojë 300 euro, ndërsa deri tani kjo leje qëndrimi kishte vlefshmëri dy vjeçare dhe kushtonte po 300 euro.
- Njëjtësimi i institucionit të martesës me bashkëjetesën e vërtetuar;
- Përfshirja në mundësinë e bashkimit familjar:
a) Si pjesëtar i familjes së shtetasit grek/ shtetasit europian përveç bashkëjetuesit edhe i fëmijve dhe prindërve të një kategorie tjetër, që referohet në ligj si “çdo pjesëtar tjetër i familjes së qytetarit grek apo i bashkëshortit/bashkëjetuesit tjetër, pavarësisht nënshtetësisë, përderisa ky person ka përkujdesjen e qytetarit grek apo të bashkëshortit/bashkëjetuesit.
b) Në mundësinë e bashkimit familjar të qytetarëve të vendeve të treta përveç bashkëshortit/es dhe fëmijve të mitur apo fëmijve deri 21 vjeç, edhe të afërmit e bashkëshortit/es, domethënë prindërit e tyre shtetas të vendeve të treta për të cilët do të mund tashmë të aplikohet për bashkim familjar, në varësi të kritereve që do të vendosë ligji.
Sa u përket aplikimeve që faktikisht janë bërë, ligji përcakton se ato do të shqyrtohen me kriteret e ligjit të mëparshëm. Edhe ky ishte një propozim i organizatës “Arogji”, që gjithashtu u paraqit gjatë seancës në komisionin parlamentar.
Siç përcaktohet në ligj, dispozitat e reja do të hyjnë në fuqi tre muaj pas publikimit të ligjit në Gazetën Zyrtare, domethënë pas 15 gushtit 2018. Organizata Arogji pret edhe daljen e qarkoreve shpjeguese me të cilat do të specifikohen më mirë gjithë dispozitat e ligjit të ri.
Ndaje me miqte