Ndahet nga jeta mjeshtri i humorit shkodran, Gëzim Kruja
ATSH
05 Prill 2020
TIRANË, 5 prill/ATSH/ – Mjeshtri i humorit shkodran Gëzim Kruja u nda nga jeta sot në moshën 80-vjeçare. Ai u shua sot paradite, ndërsa lajmi është konfirmuar nga familja. Gjendja e tij ka qenë e rënduar, ndërsa kohët e fundit e kishte të pamundur të fliste për shkak të sëmundjes.
Dalja e tij e fundit për mediat ishte në festën e 80-vjetorit të lindjes në dhjetor të vitit të kaluar, që miqtë e teatrit i organizuan. Vepra e fundit që ngjiti në skenë Gëzim Krujën ishte në vitin 2018.
Humoristi shkodran lindi në 4 dhjetor 1939. Gëzim Kruja karrierën humoristike e nisi që në moshën 13-vjeçare. Fillimet me estradën amatore nisën që në kohën kur ishte ushtar më 1958. Më pas vazhdoi aktivizimin në vitin 1960 me estradën profesioniste të Shkodrës. Gëzim Kruja mbaroi në vitin 1979 Institutin e Lartë Pedagogjik, dega e Gjuhës dhe Letërsisë në Shkodër.
Ai kaloi një jetë në skenën shkodrane të humorit, ku spikati me rolet e tij të shumta. Gëzim Kruja shkroi 15 komedi, 10 recitate, 2 libra me monologë gazmor, ndërsa interpretoi mbi një mijë role në skeçe të ndryshme në 52 vite. Në vitin 2004 mori titullin “Krenaria e Qytetit”, ndërsa një vit më pas “Naim Frashëri i Artë” dhe në 2010 “Mjeshtër i Madh”.
Ndaje me miqte