Nënshtetësia greke, tarifa bëhet 550 euro, ulet me një vit e gjysmë koha e pritjes
Tribuna TV
15 Dhjetor 2018
Amendamentet e reja që lidhen me nënshtetësinë do të paraqiten në parlamentin grek në ditët e para të janarit 2019, me synimin që të votohen sa më shpejt dhe po kaq shpejt të fillojë zbatimi i tyre.
Këtë e ka konfirmuar sekretari i posaçëm për nënshtetësinë në ministrinë e brendshme greke, Lambros Baltsiotis.
Baltsiotis foli në konferencën me temë “Dhënia e nënshtetësisë greke: Arritje, sfida dhe perspektiva”.
Konferenca u organizua nga ministria e brendshme greke dhe Komisariati i Lartë i OKB-së.
Në fjalën e tij, zoti Baltsiotis vuri në dukje se, edhe pse në kulmin e krizës, në vitin 2015, qeveria aktuale greke “korrigjoi një padrejtësi të madhe, që u privonte të drejtën e marrjes së nënshtetësisë greke mijëra fëmijve të emigrantëve që u lindën apo u rritën në Greqi”.
Më tej, zoti Baltsiotis iu referua përmbajtjes së amendamenteve të reja që do të paraqiten së shpejti në parlament.
Përmirësohet testi i natyralizimit: Aplikantët do të ftohen të përgjigjen me sukses në 20 nga 30 pyetjet, të cilat do të përzgjidhen nga një total 300 pyetjesh konkrete. Gjithë përgjigjet e këtyre pyetjeve do të jenë të disponueshme për cilindo, në një faqe interneti ku do të kenë akses që të gjithë.
Ulet tarifa e pagesës, nga 700 euro që është sot, bëhet 550 euro.
Jepet zgjidhja për ata persona që kishin aplikuar, po për shkak të krizës u larguan nga Greqia: Nëse ata nuk kanë munguar për më shumë se 18 muaj dhe rikthehen në Greqi, dosja e tyre do të shqyrtohet sërish.
Legjislacioni grek përshtatet me kuadrin europian, duke përfshirë në procedurat për marrjen e nënshtetësisë greke persona që i përkasin grupeve sociale në nevojë:
- Të moshuar, mbi 65 vjeç
- Persona me sëmundje mendore apo sëmundje të rënda psikike, të cilët deri tani ishin të përjashtuar nga procesi i dhënies së nënshtetësisë greke.
Për herë të parë unifikohen shërbimet e dhënies së nënshtetësisë. Si rezultat i kësaj, koha e shqyrtimit të kërkesës do të ulet një vit e gjysmë.
TV Tribuna do t'i njohë shikuesit e lexuesit me përmbajtjen e plotë të amendamenteve, sapo ato të dorëzohen në parlament.
Ndaje me miqte