0030 210 33 18 483

Nënshtetësia Greke, shtyrje afati për aplikimet

Tribuna TV 13 Gusht 2018

Në mesin e muajit qershor, TV Tribuna kishte njoftuar se kush dëshironte të aplikonte për nënshtetësinë greke duhej ta bënte këtë deri më 9 korrik. Natyrisht, siç e theksonim qysh në fillim, fjala ishte për të ashtuquajturin brezi i dytë, pra për fëmijtë tanë.

Njoftimi ynë bazohej në shkresën urgjente të sekretarit të posaçëm për nënshtetësinë, që u drejtohej gjithë periferive dhe u kërkon që të njoftojnë me çdo mjet e mënyrë të interesuarit se aplikimet do të pranohen ekskluzivisht deri më 9 korrik  2018. Si vërtetim për aplikimin brenda kësaj date do të merret numri i protokollit që jep periferia apo fatura e postës apo e shërbimit Kurier për dërgimin e aplikimit.

Kishte dy kategori specifike, që rrezikonin të mbeteshin jashtë dispozitave të nënshtetësisë, ata që në korrik 2015 kishin mbushur moshën madhore dhe ata që po atë kohë, kishin kryer studimet e larta.

Menjëherë pas dhënies së këtij  “ultimatumi”, të paktën dy organizata emigrantësh, "2 Generation" dhe "Arogji", reaguan me insistim duke kërkuar që qeveria ta shtynte këtë afat, pasi këto dy kategori emigrantësh, nevojiteshin kohë që të grumbullonin dokumentacionin e nevojshëm.

Për fat, apeli i tyre nuk ra në vesh të shurdhët.

Qeveria ka dhënë një shtesë afati, deri më 31 dhjetor.

Shtyrja e afatit sanksionohet në një nen të vetëm, që përfshihet në një ligj i cili u publikua në gazetën zyrtare në fund të korrikut. Është neni 272 që përcakton:

Në nenin 2 të ligjit 4332/2015, bëhet ky ndryshim:

“Për shtetasit e huaj që gjatë hyrjes në fuqi të këtij ligji (të 2015-s) përmbushin kushtet e paragrafëve 1 dhe 2 të nenit 1B to Kodit të Nënshtetësisë Greke dhe tashmë kanë moshë madhore, u jepet afat deri më 31 dhjetor 2018 që të paraqesin aplikimin që parashikohet nga këto dispozita”.

Në dispozitat që u referohet amendamenti përfshihen:

a) Shtetas të huaj që më datën 9 korrik 2015 kishin mbushur moshën madhore dhe kishin përfunduar me sukses arsimimin në 9 klasë të nivelit të parë dhe të dytë, apo gjashtë klasë të nivelit të dytë, qoftë si të mitur, qoftë si të rritur.

Dhe

b) Shtetas të huaj që më datën 9 korrik 2015 kishin mbushur moshën madhore dhe kishin përfunduar me sukses arsimimin në shkollën e lartë AEI ose TEI, përderisa disponojnë dëftesën e lirimit nga shkolla e nivelit të dytë.

 

VINI RE:          

Bashkatdhetarët që u përkasin dy kategorive të lartpërmendura, të shkojnë menjëherë dhe të paraqesin aplikimin, pse në rast të kundërt e humbasin të drejtën e marrjes së nënshtetësisë greke mbi bazën e këtyre dispozitave.

MOS HARRONI: Afati është deri më 31 dhjetor 2018!

Ndaje me miqte