0030 210 33 18 483

Nënshtetësia greke, kushtet dhe dokumentacioni që kërkohet (1)

TV Tribuna 10 Shtator 2020

Në projektligjin e ri që ka përgatitur ministria e brendshme e Greqisë, janë formuluar rishtas kushtet që duhet të plotësojë një shtetas i huaj që dëshiron të marrë shtetësinë greke.

Riformulimi i kushteve ka sjellë dhe ndryshime në dokumentacionin që kërkohet në shoqërim të kërkesës për natyralizim.

Kushtet themelore për natyralizimin (Politografisi)

1. Qytetari i huaj që dëshiron të bëhet shtetas grek me natyralizim duhet:

a) Të njohë në mënyrë të mjaftueshme gjuhën greke, me qëllim që të përmbushë detyrimet që burojnë nga identiteti i qytetarit grek,

b) Të ketë njohuri të mjaftueshme për historinë dhe gjeografinë greke, kulturën greke dhe zakonet e popullit grek, si dhe mënyrën e funksionimit të institucioneve politike dhe shtetërore të shtetit,

c) Të ketë aftësinë që të marrë pjesë aktivisht dhe në mënyrë thelbësore në jetën politike të vendit, duke respektuar parimet themelore që e karakterizojnë,

d) Të jetë integruar normalisht në jetën ekonomike dhe sociale të vendit, duke e bërë (Greqinë) qendrën e vazhdueshme të veprimtarive jetike të tij.

Për verifikimin e integrimit ekonomik të aplikantit, merren parasysh pasja e një pune të qëndrueshme në vend dhe përgjithësisht aktiviteti ekonomik i tij, por edhe përmbushja në vazhdimësi e detyrimeve tatimore dhe të sigurimeve shoqërore, kundrejt shtetit.

Për verifikimin e integrimit social të aplikantit merret parasysh posaçërisht krijimi i lidhjeve familjare me një qytetar grek, pjesëmarrja e tij në veprimtari vullnetare, ekipe sportive, veprimtari të bashkisë si dhe aktivitete të shoqërisë civile.

2. Me vendim të sekretarit të përgjithshëm të nënshtetësisë përcaktohet vlera e të ardhurave vjetore minimale, që nuk mund të jenë më të ulëta nga të ardhurat vjetore të punonjësit të pakualifikuar, si dhe elementët më të posaçëm që do të përbëjnë prova për integrimin ekonomik të aplikantit.

 

Dokumentat që kërkohen për natyralizimin

1. Kërkesa për natyralizim paraqitet në shërbimin lokal të nënshtetësisë dhe shoqërohet nga dokumentet e mëposhtme:

a) Fotokopje e saktë e pasaportës së vlefshme

b) Një nga titujt e mëposhtëm të qëndrimit

c) Çertifikata për njohuritë e mjaftueshme për natyralizim (PEGP)

d) Çertifikatë lindjeje origjinale, e legalizuar dhe e përkthyer zyrtarisht.

e) Deklaratat tatimore (ekatharistiko simioma) të viteve që i korrespondojnë kohës së qëndrimit të ligjshëm në Greqi, mbi bazën e të cilave rezulton se ka përmbushur detyrimet tatimore.

f) Numri i amzës së sigurimeve shoqërore (AMKA).

g) pagesa elektronike (paravolo) me vlerë 550 euro.

Për riparaqitjen e kërkesës për natyralizim paravolo caktohet në 200 euro.

Homogjenët, shtetasit e vendeve të tjera anëtare të BE-së, paguajnë për çdo aplikim për natyralizim paravolo me vlerë 100 euro.

Ndaje me miqte