0030 210 33 18 483

Nënshtetësia greke, cilët kanë afat deri më 9 korrik 2018

Tribuna TV 01 Korrik 2018

Dy kategori emigrantësh nga brezi i dytë, që përfitojnë nënshtetësinë në bazë të dispozitave të ligjit të vitit 2015, dhe nuk kanë aplikuar akoma, duhet të nxitojnë.

Ata kanë afat deri më 9 korrik 2018. Pas kësaj date nuk do të pranohet asnjë aplikim, të paktën që të merrte më lehtësisht nënshtetësinë.

Një shkresë e firmosur nga sekretari i posaçëm për nënshtetësinë, Llambros Baltsiotis, u drejtohet gjithë periferive (administrata e decentralizuar) dhe u kërkon që të njoftojnë me çdo mjet e mënyrë të interesuarit se aplikimet do të pranohen ekskluzivisht deri më 9 korrik  2018. Si vërtetim për aplikimin brenda kësaj date do të merret numri i protokollit që jep periferia apo fatura e postës apo e shërbimit Kurier për dërgimin e aplikimit.

Sipas sekretariatit për nënshtetësinë, dy janë kategoritë që duhet ta përfundojnë aplikimin deri më 9 korrik:

1.Ata shtetas të huaj që më 9 korrik 2015 kishin kapur moshën madhore dhe kishin kryer me sukses nëntë (9) klasë shkollë të nivelit të parë apo të dytë, (domethënë fillore dhe gjimnaz, apo gjimnaz dhe lice), apo gjashtë klasë të nivelit të dytë.

2.Shtetasit e huaj që më 9 korrik 2015 kishin përfunduar studimet në arsimin e lartë, AEI apo TEI, me kusht që të kenë edhe dëftesën e lirimit nga një shkollë e nivelit të dytë (lice).

Nëse ndokush prej jush apo fëmijtë tuaj u përkasin këtyre dy kategorive, mos neglizhoni, por bjerini mbrapa tani, se nuk ka shumë kohë...

 

Kushtet dhe procedura për marrjen e nënshtetësisë greke nga brezi i dytë

Siç përcakton Ligji 4232 që u publikua më 9 korrik 2015 në Gazetën Zyrtare, të drejtën për marrjen e nënshtetësisë për shkak të lindjes në Greqi apo të ndjekjes së shkollës në sistemin arsimor grek e kanë:

1. Fëmija i shtetasve të huaj që lind në Greqi, themelon të drejtën e marrjes së nënshtetësisë, me premisat që vijojnë:

a) Të jetë regjistruar në klasën e parë të shkollës fillore greke dhe të jenë duke vazhduar shkollë greke gjatë paraqitjes së aplikimit.

b) Njeri prej prindërve të ketë qëndrim të ligjshëm të vazhdueshëm në Greqi për një periudhë kohore pesë vjet para lindjes së fëmijës.

Nëse fëmija u lind para përmbushjes së pesëvjeçarit të qëndrimit të ligjshëm, e drejta e marrjes së nënshtetësisë nga fëmija themelohet kur të mbushen dhjetë vjet qëndrimi i ligjshëm i prindit.

c) Njeri prej prindërve të ketë qëndrim të ligjshëm dhe gjatë kohës së paraqitjes së aplikimit të disponojë të paktën njerin prej titujve të mëposhtëm të qëndrimit:

- Leje rezidenti afatgjatë

- Leje qëndrimi me afat të pacaktuar

- Dokument çertifikimi të rezidentit të përhershëm të qytetarot të Bashkimit Europian

- Titull qëndrimi të refugjatit politik apo të përfituesit të mbrojtjes ndërkombëtare

- Buletin të posaçëm homogjeni (kartë homogjeni), shoqëruar nga leja e qëndrimit e vlefshme e tipit unik

- Leje qëndrimi të brezit të dytë

- Buletin qëndrimi të përhershëm të pjesëtarit të familjes së shtetasit të BE.

 

Si aplikohet për nënshtetësinë

1- Për marrjen e nënshtetësisë, nga fëmijtë që kanë lindur në Greqi:

- Prindërit e fëmijës paraqesin një kërkesë-deklaratë, shoqëruar nga dokumentet e nevojshme. Këto paraqiten në shërbimin kompetent të Administratës së Decentralizuar, në juridiksionin e së cilës ndodhet bashkia e vendbanimit.

-Koordinatori i Administratës së Decentralizuar, brenda gjashtë (6) muajsh që nga paraqitja e kërkesë-deklaratës, me një vendim të tij që publikohet në Gazetën Zyrtare, porosit bashkinë e vendbanimit që ta regjistrojë aplikantin në regjistrin e popullatës. Nënshtetësia greke merret që nga publikimi i vendimit të gazetën Zyrtare.

2- Për marrjen e nënshtetësisë nga të mitur që kanë studiuar në sistemin arsimor grek

- Shtetasi i huaj i mitur që ka banim të përhershëm dhe të ligjshëm në Greqi, themelon të drejtën e përfitimit të nënshtetësisë greke, për shkak të studimit në shkollat greke përderisa ka kryer me sukses ose nëntë (9) klasë të nivelit të parë dhe të dytë arsmior (domethënë fillore + gjimnaz), ose gjashtë (6) klasë të nivelit të dytë (gjimnaz dhe lice). Ndjekja e arsimit parashkollor (kopshtit) nuk përllogaritet. Përfundimi i suksesshëm i shkollimit çertifikohet me vërtetimin përkatës nga autoritetet kompetente.

- Deklaratë-kërkesa për marrjen e nënshtetësisë paraqitet nga vetë i interesuari në shërbimin kompetent të Administratës së Decentralizuar, në juridiksionin e së cilës ndodhet bashkia e vendbanimit.

- Koordinatori i Administratës së Decentralizuar, brenda gjashtë (6) muajsh që nga paraqitja e kërkesë-deklaratës, me një vendim të tij që publikohet në Gazetën Zyrtare, porosit bashkinë e vendbanimit që ta regjistrojë aplikantin në regjistrin e popullatës. Nënshtetësia greke merret që nga publikimi i vendimit të gazetën Zyrtare.

3- Për marrjen e nënshtetësisë nga persona që kanë kryer arsimin e lartë në Greqi

- Shtetasi i huaj që jeton vazhdimisht dhe ligjërisht në Greqi dhe ka kryer studimet e larta në një universitet (AEI) apo shkollë të lartë tekniko-profesionale (TEI), themelon të drejtën e marrjes së nënshtetësisë, përderisa disponon dëftesë lirimi nga shkolla e nivelit të dytë të sistemit arsimor grek.

- Deklaratë-kërkesa paraqitet brenda një afati ekskluziv tre (3) vjeçar, nga dita e përfundimit të studimeve të larta apo të shkollës tekniko-profesionale.

- Deklaratë-kërkesa për marrjen e nënshtetësisë paraqitet nga vetë i interesuari në shërbimin kompetent të Administratës së Decentralizuar, në juridiksionin e së cilës ndodhet bashkia e vendbanimit.

- Koordinatori i Administratës së Decentralizuar, brenda gjashtë (6) muajsh që nga paraqitja e kërkesë-deklaratës, me një vendim të tij që publikohet në Gazetën Zyrtare, porosit bashkinë e vendbanimit që ta regjistrojë aplikantin në regjistrin e popullatës. Nënshtetësia greke merret që nga publikimi i vendimit të gazetën Zyrtare.

Pagesa

Dorëzimi i deklaratë-kërkesës shoqërohet nga pagesa e një tarife (paravolo) me vlerë 100 (njëqind) euro.

Ndaje me miqte