Projektligji i ri për nënshtetësinë greke është miratuar në komisionin parlamentar dhe ka marrë rrugën për votim nga parlamenti.
Projektligji është diskutuar në katër seanca dhe përveç deputetëve kanë ndërhyrë me telekonferencë Avokati i Popullit, nënpresidenti i Unionit grek për të drejtat e njeriut dhe shefi i mbrojtjes së refugjatëve të komisariatit të lartë të OKB-së.
Ajo që bën përshtypje është se në këto seanca nuk ishte ftuar të shprehte mendim asnjë përfaqësues nga komunitetet e emigrantëve që jetojnë e punojnë në Greqi.
Sa i përket anës proceduriale, projektligji u miratua vetëm nga deputetët e maxhorancës, pra Demokracisë së re.
Partia më e madhe e opozitës SYRIZA, tha se do të shprehet gjatë seancës plenare, ndërsa gjithë partitë e tjera votuan kundër.
Gjithsesi, komisioni parlamentar ka konkluduar me rekomandimin që deputetët e parlamentit grek ta miratojnë projektligjin.
Në raport me draftin që ishte dhënë për konsultim publik, projektligjit i janë bërë disa përmirësime që i prezantoi në komision ministri i brendshëm, Takis Theodorikakos.
Ndryshimet kanë të bëjnë me vlerën e paravolos për pjesëmarrjen në provime, sasinë e pikëve që provimi të kalohet me sukses, si dhe në moshën e personave që do të japin vetëm provim me gojë.
Më konkretisht:
Paravolo, nga 250 euro që ishte në draft, bëhet 150 euro.
Pjesëmarrja në provime konsiderohet e suksesshme dhe kandidati merr çertifikatën, nëse grumbullon 70% të pikëve të mundshme.
Në draftin e mëparshëm, duhej të merrte 80% të pikëve.
Kandidatët që kanë kaluar vitin e 62-të të moshës do të testohen në provim vetëm me gojë, para një komisioni prej tre anëtarësh.