Myrtis, vajza e "ringjallur"? nga Antikiteti shkon në Tiranë
Tribuna TV
11 Shtator 2018
Myrtis, vajza 11 vjeçare që jetoi në Athinën antike para 2.400 vjetësh (430 p.e.s.), pasi vizitoi muzeumet më të mëdhenj të Greqisë, do të udhëtojë për jashtë shtetit. Kësaj here në Shqipëri, duke marrë me vete për herë të parë edhe vepra arti që i përkasin galerisë së saj.
Myrtis vdiq gjatë luftës së Peloponezit, midis Spartës dhe Athinës, nga një epidemi tifoje. Publiku i sotëm e njeh atë falë rikrijimit digjital që i bëri grupi i profesorit të stomatologjisë Manolis Papagrigorakis.
Vajza që sendërton me saktësi pamjen e një fytyre siç ishte në periudhën e antikitetit, do të jetë “mysafire” në selinë e Kryeministrisë, ku do të ekspozohen edhe veprat e artit.
“Rëndësia e ekspozitës konsiston në faktin se për herë të parë pas 24 shekujsh kemi para nesh një fytyrë pikërisht siç ishte në atë periudhë. Prandaj dhe e titulluam ekspozitën “Balla për ballë me të shkuarën”, i tha agjencisë ANA-MPA prof. Papagrigorakis, duke shtuar: “Madje edhe sot dhjetra mijëra njerëz vdesin nga tifoja. Për këtë arsye, organizata e Kombeve të Bashkuara e ka shpallur Myrtisin mike të objektivave të Mileniumit (Millenium Goals Friend)”.
“Iniciativa e Ambasadës Greke në Tiranë që të ftojë Myrtisin, në bashkëpunim me prezencën e OKB në Shqipëri, zyrën e zëvendëskryeministres dhe kryebashkiakun e Tiranës, përbën një nderim për grupin tonë shkencor”, thotë prof. Manolis Grigorakis.
Veprat e artit janë pjesë e koleksionit që u krijua me punime të dhuruara nga autorët, 21 prej të cilëve do t’i ekspozojnë në Tiranë.
“Artisti, që krijon për të bërë të përjetshme të tashmen, është i vetmi fitues në luftën ndaj kohës. Dhe vepra e tij është lidhësja ndërmjet të shkuarës dhe të ardhmes, ura ndërmjet përvojës vetiake dhe të përgjithshme, por edhe ura midis dy popujve tanë, po t’i referohemi ekspozitës në fjalë”, thotë më tej prof. Grigoriakis, duke shtuar se ekspozita është e përshtatur për personat me probleme pamore.
Myrtis u drejtohet të rejave dhe të rinjve të Shqipërisë, të cilët Ambasada Greke në Tiranë i fton që të njohin një bashkëmoshataren e tyre, e cila kishte fatin e keq të vdiste herët, por edhe fatin e mirë që të udhëtojë në botë pas 24 shekujsh...
Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga 14 shtatori deri më 6 tetor 2018.
Ndaje me miqte