0030 210 33 18 483

Mitsotakis: Kthim i një qiraje mujore për qiramarrësit dhe 250 euro për pensionet e ulëta

TV TRIBUNA 22 Prill 2025

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ka njoftuar masa për mbështetjen e qiraxhinjve dhe të pensionistëve me pensione të ulëta.

Shpallja e tyre pasoi publikimin e të dhënave për performancën ekonomike të Greqisë, publikim i bërë nga Eurostat.

Siç rezulton nga të dhënat, 2024-a u mbyll për Greqinë me një suficit rekord, me vlerë 11,4 miliardë euro.

Vlera e masave që shpalli kryeministri përllogaritet në rreth 1 miliard euro dhe kanë për qëllim të mbështesin pensionistët, por edhe të përballohet problemi i mprehtë i shtrenjtësisë së qirave.

Kyriakos Mitsotakis:

Zhvillimi i fundit sigurisht që kurorëzon një politikë e cila kombinon rimëkëmbjen e vendit me kujdesin social, por me themel stabilitetin financiar.

Është e njëjta politikë që pranojnë gjithë agjencitë financiare ndërkombëtare, por edhe ajo çka mban të palëkundur stabilitetin tonë të brendshëm në një botë të trazuar.

Ndërsa njëkohësisht mund të prodhojë edhe rezultate të kapshme, duke përgënjeshtruar demagogët e nihilizmit dhe të mizerjes.

Kjo po ndodh vitet e fundit, kjo po vërtetohet edhe tani. Madje kësaj here me iniciativa që inkorporojnë një ndryshim të madh strukturor.

Sepse ato që do të shpall sot, do të zbatohen brenda 2025-s, pikërisht ngase i dedikohen ecurisë pozitive vjetore.

Por njëkohësisht do të përbëjnë dhe masa të përhershme, jo emergjente dhe ndërhyrje të adresuara si më përpara.

Sepse progresi në dimensionet fiskale publike është e karakterit strukturor.

Mbi bazën e sa më sipër, burimet e reja nga performanca pozitive e ekonomisë do të disponohen në tre drejtime:

Së pari, që t’i jepet përgjigje problemit të strehimit.

E di se sa vështirë ia dalin mbanë bashkëqytetarët e mi që jetojnë me qira dhe lehtësimi i tyre është për mua prioriteti i parë.

Prandaj vendosëm që çdo vit dhe konkretisht në muajin nëntor, shteti t’u kthejë qiraxhinjve një qira të plotë, kështu që të lehtësohen shpenzimet e tyre. Ndërsa në të njëjtën kohë do të ecin edhe programet e tjera, domethënë “Spiti mou II” dhe “Anakeinizo”.

Masa e dytë përfshin rreth 1,5 milionë pensionistë me pensione të ulëta, të moshuar pa siguracion dhe persona me invaliditet, kategori të cilat nga sivjet do të mbështeten me bazë të përhershme me 250 euro të pastra. Dhe kjo shumë do të paguhet çdo vit, në fund të nëntorit.

E fundit, vendimi i tretë i qeverisë ka të bëjë me rritjen me 500 milionë euro në vit të programit të investimeve publike, me qëllim përshpejtimin e veprave publike, si dhe aksione me karakter social në të gjithë territorin, por edhe, përmes atmosferës së paqëndrueshme ndërkombëtare, të shtohen investimet që të vazhdojë krijimi i vendeve të reja të punës.

Ndaje me miqte