0030 210 33 18 483

Miratohen ndryshimet në Kodin e Nënshtetësisë

TV TRIBUNA 11 Tetor 2020

Parlamenti grek ka miratuar ndryshimet në Kodin për Nënshtetësinë.

Dispozitat e reja, që do të hyjnë në fuqi vitin e ardhshëm, përbëjnë një përmbysje në raport me praktikën e deritanishme.

Kështu, tash e tutje, cilido që dëshiron të marrë nënshtetësinë greke, duhet që fillimisht të kalojë nga një seancë provimi, mbi njohuritë e tij rreth gjuhës, historisë, gjeografisë, kulturës dhe funksionimit të institucioneve shtetërore.

Vetëm pas marrjes së çertifikatës përkatëse ai do të ketë të drejtë të aplikojë për marrjen e nënshtetësisë greke.

Duke prezantuar ndryshimet para parlamentit, ministri i brendshëm, Panajotis Theodorikakos, tha se një nga arsyet madhore të reformimit lidhet me vonesat mjaft të mëdha në procesin e dhënies së nënshtetësisë greke.

Theodorikakos:

Vonesat evidentohen në kategorinë e natyralizimit të shtetasve të huaj alogjenë. Të njerëzve që kërkojnë të bëhen qytetarë grekë në bazë të nenit 5 të Kodit të Nënshtetësisë Greke. Në këtë moment që po flasim, janë duke u trajtuar rreth 30.000 aplikime të kësaj kategorie, disa prej të cilave janë bërë që para 10 vjetësh! Sipas legjislacionit të deritanishëm, shtetasit e huaj që kanë aplikuar për nënshtetësinë greke, ftohen në stadin përfundimtar të japin intervistë para një komisioni që konstaton njohjen dhe përdorimin e mirë të gjuhës sonë, por edhe njohuritë që disponojnë për historinë greke, kulturën, institucionet politike, etj.

Këto komisione (sot funksionojnë 19 të tilla në gjithë vendin), po dëshmohen veçanërisht jofunksionale, pasi mblidhen zakonisht dy herë në muaj. Shpesh madje mbledhjet anulohen, pasi anëtarët ndodhen në shërbime të ndryshme. Dhe këto vonesa tërheqin pas gjithë aplikimet, përderisa të njëjtët nëpunës ftohen të vlerësojnë tërësinë e aplikimeve.

 

Duke iu referuar shifrave, ministri i brendshëm tha se në rastin më të mirë janë bërë 4.100 intervista në një vit, ndërsa vitet e tjera janë bërë zakonisht 1000 më pak, në kohën që çdo vit depozitohen nga 6.000 – 8.000 aplikime të reja.

 

Theodorikakos

Është e qartë pra, se kemi problem shumë të madh.

Sistemi i sotëm me intervistat nga komisionet është i padobishëm, e përjetëson problemin dhe shton edhe probleme të tjera të mëdha.

Prandaj avancojmë në këtë iniciative legjislative.

Me objektivin që ta bëjmë natyralizimin e alogjenëve shumë më objektiv dhe transparent.

Synojmë gjithashtu në dhënien sa më shpejt të nënshtetësisë greke për gjithë nata që përmbushin kushtet ligjore dhe në luftimin e marrëdhënieve klienteliste dhe të raporteve korruptive.

Të cilat ma merr mendja se nuk mund të mohoni që ekzistojnë prej dekadash.

Po i vemë një fund një herë e përgjithmonë marrëdhënieve klienteliste dhe korrupsionit.

Prandaj dhe sanksionojmë zëvendësimin e intervistave me një sistem mbarëgrek të provimeve me shkrim. Ashtu siç janë provimet që jep çdo i ri, çdo nxënës liceu që të futet në universitet; me synim marrjen e Çertifikatës së Njohurive të Mjaftueshme për Natyralizimin.

Provimi ka të bëjë me njohjen e gjuhës greke në një nivel analog me B1 si dhe njohuritë për historinë, kulturën, gjeografinë dhe institucionet politike të vendit.

Domethënë, do të çertifikohen me një mënyrë të drejtë dhe të menjëhershme njohuritë që konsiderohen të domosdoshme për pjesëmarrjen e barabartë dhe të pavarur në jetën publike të Greqisë.

Nuk mundet askush të marrë pjesë në jetën publike të Greqisë, nëse nuk ka dëshmuar njohuritë e veta në gjithë këto nivele.

Dua gjithashtu të vë në dukje se, sa i përket njerëzve që u përkasin kategorive të posaçme mësimore (p.sh., disleksikë, të moshuar nga 62 vjeç e lart, etj.), jepet mundësia e provimit me gojë para një komisioni të posaçëm. Besoj se ndaj kësaj askush nuk mund të ketë kundërshtime.

Marrja e çertifikatës do të përbëjë tash e tutje kusht të domosdoshëm për paraqitjen e kërkesës për natyralizim.

Dhe në fund të procedurës  do të bëhet një intervistë shumë e shpejtë para tre kuadrove të shërbimit, me synim të vetëm, verifikimin e elementëve të identitetit dhe integrimin ekonomik dhe social.

Konsideroj se askush nuk mund të verë në diskutim objektivitetin, barazinë, gjithëpërfshirjen dhe transparencën e gjithë kësaj procedure.

Dua gjithashtu të sqaroj se këto provime do të bëhen në mënyrë konstante dy herë në vit për gjithë ata që duan të bëhen qytetarë grekë.

 

Në projektligjin e votuar janë sanksionuar disa përmirësime, në raport me variantin e mëparshëm që ishte hedhur për konsultim publik dhe për diskutim në komisionin parlamentar.

Kështu :

Pagesa për pjesëmarrjen në provime, nga 250 euro që ishte në draft, bëhet 150 euro.

Pjesëmarrja në provime konsiderohet e suksesshme dhe kandidati merr çertifikatën, nëse grumbullon 70% të pikëve të mundshme.

Në draftin e mëparshëm, duhej të merrte 80% të pikëve.

Kandidatët që kanë kaluar vitin e 62-të të moshës do të testohen në provim vetëm me gojë, para një komisioni prej tre anëtarësh.

Në draftin e mëparshëm, mosha ishte 67 vjeç.

Një tjetër ndryshim, jashtëzakonisht i rëndësishëm, është ai që lidhet me nivelin e të ardhurave që duhet të kenë kandidatët për marrjen e nënshtetësisë greke.

Ministri i brendshëm e prezantoi gjerësisht këtë ndryshim, duke vlerësuar se hiqet një pengesë e madhe për një numër mjaft të madh njerëzish që nuk do të mund të merrnin nënshtetësinë, edhe pse plotësonin gjithë kushtet e tjera.

Theodorikakos

E kam fjalën konkretisht për nenin 3, paragrafi 2, ku thuhej:

“Me vendim të sekretarit të përgjithshëm të nënshtetësisë përcaktohet niveli i të ardhurave të kërkuara që nuk mund të jetë nën nivelin minimal të të ardhurave vjetore të punëtorit të pakualifikuar”.

Kjo i korrespondon një shume rreth 7.700 euro të ardhura vjetore.

Pas diskutimit që u bë, paraqesim variantin e përmirësuar që zëvendëson paragrafin në fjalë.

“Me vendim të ministrit të brendshëm përcaktohen elementët e specifikuar që përbëjnë dëshmi për integrimin ekonomik e social të aplikuesit për periudhën kohore që merret në shqyrtim”.

Avancuam në këtë përmirësim sepse, siç ka dëshmuar jeta, nuk mundet askush që të përmbushë me ligj gjithçka që ndodh në vend dhe në mbarë njerëzimin.

Dhe kjo ka të bëjë me gjendjen ekonomike, rënien  ekonomike që kemi përjetuar p.sh. muajt e fundit për shkak të koronavirusit, si dhe pasojat e përgjithshme të pandemisë së koronavirusit.

Besojmë se në këtë mënyrë rregullojmë me masë dhe me logjikë një problem që do të mund të rezultonte dhe të bëhej pengesë për një numër shumë të madh njerëzish që dëshirojnë të bëhen qytetarë grekë dhe që i përmbushin gjithë kushtet e tjera që parashikon Kodi i Nënshtetësisë si dhe reforma në të cilën po avancojmë me ligjin e sotëm.

Ndaje me miqte