Ministri i brendshëm: Askush që jeton i ligjshëm nuk mund të përjashtohet nga nënshtetësia greke
Tribuna TV
21 Shkurt 2019
Ministri i brendshëm grek, Aleksis Haritsis, ka publikuar një shkrim në mbrojtje të politikave të SYRIZA-s për dhënien e nënshtetësisë emigrantëve.
Përmbajtjen e shkrimit po ia përcjellim publikut tonë:
Në qershor 2015, në mesin e një periudhe të vështirë për vendin tonë, u votua me konsenus të gjete ndërpartiak ligji që arriti me sukses balancimin ndërmjet vendimit të gjykatës së lartë që kishte shpallur si antikushtetuese dispozitat e “ligjit Ragousi” dhe perceptimin dominant në Europë se dhënia e nënshtetësisë në moshë sa më të re fëmijve të lindin e rriten në një vend anëtar i shumëfishon lidhjet me atë vend. Kujtoj se ai ligj shënoi dhe mosmarrëveshjen tonë të parë ideologjike me ANEL (Grekët e Pavarur”, që votuan kundër.
Nga viti 2016, që filloi zbatimi i legjislacionit përkatës dhe deri më sot, 66 mijë të rinj e të reja kanë marrë nënshtetësinë greke. Madje është interesante se vetë shërbimet tona, kuadrot e administratës, pavarësisht bindjeve politike, avancuan me entuziazëm në zbatimin e ligjit: para tyre kishin bashkënxënësit, miqtë dhe bashkëstudentët e fëmijve të tyre.
Kështu, jemi krenarë për këtë “rritje skandaloze me 136% në dhënien e nënshtetësisë”, siç na akuzon shtypi opozitar, pra dhënien e nënshtetësisë fëmijve që u lindën dhe u rritën këtu dhe jo vetëm për arsye parimore, por sepse në gjithë demokracitë moderne kjo masë konsiderohet e domosdoshme për kohezionin social dhe për progresin madje dhe ekonomik të shoqërive.
Mirëpo vonesat e mëdha që u vërejtën, diferencimet e mëdha në vendimet për natyralizim (politografisi) dhe fenomenet e “parregullsive” administrative e detyruan qeverinë që të ndërmarrë krijimin e sekretariatit të posaçëm për nënshtetësinë. Në një vit e gjysmë të funksionimit të sekretariatit, politikat që u ndoqën lëvizën mbi këto akse: unifikim, transparencë publike dhe përshpejtim i procedurave të nënshtetësisë.
Lejomëni të qëndroj pak te kjo e fundit, pasi vërehet një kritikë me gjasë mosbesuese: Nuk besoj se, me përjashtim të Agimit të Artë, ekziston një njeri në sistemin tonë politik, që ta gjykojë si të drejtë faktin që dikush i cili ka 20 vjet që jeton në Greqi (pse kjo është koha mesatare) dhe aplikon për natyralizimin do të duhet të presë edhe 3-6 vite të tjerë që të shqyrtohet kërkesa e tij. Dhe këtu konsiston një tjetër objektiv i yni, ai i rregullimit administrativ, d.m.th., i krijimit të një kuadri që respekton qytetarin, zbaton legjislacionin, mënjanon çdo ndërhyrje, eliminon tarafllëkun dhe korrupsionin. Për ne kjo është gjithashtu një politikë e majtë.
Mirëpo, mjaft herët, kjo përpjekje për të racionalizuar çështjen e nënshtetësie hasi në reflekset populiste dhe ekstremiste. Në mars 2018 sanksionuam mundësinë që gjithë ata që kanë një prezencë të ligjshme prej 12 vjetësh në vend, pavarësisht tipit të lejes së qëndrimit, që aplikojnë për natyralizimin.
Mirëpo, ky shans që u dha dhe që vlen gjithandej – domethënë që askush i cili qëndron ligjërisht për një sërë vitesh në vend nuk mund të përjashtohet përjetësisht nga e drejta e natyralizimit-, nuk u godit vetëm nga zoti Voridis (shënimi ynë: deputet i demokracisë së re) në parlament, por shkaktoi deri dhe pyetje në Parlamentin Europian nga eurodeputetja zj. Kaili, e cila pretendoi - dua të besoj nga mungesa e informimit- se qeveria “po promovon greqizimin e 850.000 emigrantëve”.
Përpjekja jonë që të trajtojmë, mes të tjerash, edhe vonesat që vërehen (në Atikë p.sh., aplikimet e atyre që kërkojnë nënshtetësinë për shkak të lindjes/arsimimit në Greqi shqyrtohen pas më shumë se dy vjetësh dhe natyralizimet pas të paktën tre vjetësh), perceptohen si tentativa të qeverisë për të manipuluar këtë grup të popullsisë (emigrantët)...
Ky qëndrim, në masën që nuk buron nga qëllime partiake që përpiqen me një mënyrë ekstreme populiste të zgjojnë reflekset ekstremiste të djathta, ky qëndrim pra e ka të pamundur të kuptojë më normalen: këta bashkëqyetarët tanë duhet të gëzojnë shërbime dhe shtet që funksionon, aq më tepër kur për këto shërbime kanë paguar një tarifë të lartë. Për fat të keq, duket se në Greqi disa shqetësohen kur zbatohen këto gjëra elementare që përbëjnë shtetin e të drejtës dhe parimet e demokracive liberale, parime që supozohet, ata i mbrojnë.
Ndaje me miqte