Merrni një letër e laps dhe mbani shënime
Juli NDRIKO
12 Prill 2021
Shqipëria duhet t’u takojë shqiptarëve dhe jo politikanëve dhe që kjo të ndodhë, merrni një letër e laps dhe shkruani premtimet e sotme për të mos lejuar gënjeshtrat e reja të nesërmen!..
Në 25 Mars, në Shqipëri nisi fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare, një fushatë e cila që në nisje nuk premtonte asgjë të zakonshme. Ndryshe nga fushata e mëparshme, kjo e sivjetmja përkoi me periudhën e pandemiσë dhe masat kufizuese për shkak të rrezikut të infektimit, si rregull duhet të kushtëzojnë aktivitetet elektorale. Por, nuk ndodhi kështu dhe hapja e fushatës së PD-së në sheshin “Nënë Tereza”, tregoi se kufizimet e pandemisë nuk do të ishin të mundura për t’u zbatuar.
Nisja e fushatës njëherësh tregoi qasjet e ndryshme deri në kundërshti të strategjive të fushatës në kampet kundërshtare PS-PD dhe aleatët, pasi ndërsa PS zgjodhi si hapje fushate gjuhën denigruese të kundërshtarit, PD, foli për nevojën e ndryshimit në Shqipëri dhe deklaroi se që ndryshimi të ndodhë duhet rrotacioni i pushtetit dhe ardhja në pushtet e PD.
Në ditën e hapjes së fushatës, Lulëzim Basha, ndonëse duhet të kishte nisur aktivitetin në orën 17, i la mbështetësit të prisnin për të qenë në shesh në të njëjtën orë me nisjen e aktivitetit politik të PS dhe teksa PS e quajti këtë provokim dhe papërgjegjshmëri, mesazhi shkoi përtej kësaj: Veçse e pazakonshme pasi ndikohet nga pandemia, fushata elektorale e 2021 nuk do të ishte aspak e qetë.
Deri tani nuk kanë munguar incidentet, që nga përplasja e militantëve në Elbasan, sulmi mbi disa zyra të PS në Vlorë, tek incidentet mes një sipërmarrësi, mbështetës i PS dhe një kandidati të PD po në Elbasan, tek përfshirja e Presidentit në një përplasje deri dhe fizike mes policisë në zyrat e FRD-së deri tek raportimi më i fundit, mbi grevën e punonjësve të Alb Kontrollit, e cila ka bllokuar ende deri tani që shkruajmë, fluturimet nga dhe për në Aeroportin e Rinasit në Tiranë. Bllokimi, si deklaron Qeveria është nxitur nga Presidenti dhe PD, deklaratë që është kundërshtuar menjëherë nga subjektet e cilësuara.
Gjithçka deri tani nuk premton asgjë të qetë dhe në këto kushte ecejakjet diplomatike dhe mesazhet e ndërkombëtarëve, kërkojnë vetëpërmbajtje, kujdes në gjuhën e përdorur dhe fokus në programet elektorale.
Kampet përballë njëra tjetrës nuk kanë strategji të njëjta elektorale dhe nëse PD vjen me një program dhe fushatë të programuar më së miri, PS ka pak ose aspak gjasa të ketë një program ku mbështet kërkesën e saj për një mandat të tretë. Kjo, pasi si deklaron vetë Kryeministri Edi Rama, kërkesa e tij dhe e forcës që drejton për mandatin e tretë mbështetet në tri arsye të rëndësishme: “Për të hequr përfundimisht COVID-19 nga jetët e shqiptarët, për të kthyer të gjithë të pastrehët nga tërmeti në banesa dhe për ta bërë drejtësinë të pathyeshme”.
Përtej këtyre deklarimeve, retorika e Kryeministrit është, si deklaron edhe vetë, t’ju kujtojë shqiptarëve se cilët janë ata të tjerët që kërkojnë votën e tyre, duke evidentuar se janë një çetë me 40 hajdutë që nuk kanë asgjë të re për t’ju sjellë shqiptarëve nga çfarë iu kishin sjellë 8 vjet më parë. “Ne duhet të mbarojmë punët e nisura”, deklaron Rama, duke akuzuar kundërshtarët, se sidoqoftë jo vetëm që janë alternativë e pareformuar, por njëherësh po bëjnë dëm duke infektuar në takimet e “stisura” qytetarët shqiptar.
Në krahun tjetër, ka mjaft optimizëm, i cili nuk mbështetet nga sondazhet e deritanishme që e nxjerrin PS-Në në avantazh, por që perceptohet nga takimet e Bashës, që grumbullon rreth vetes njerëz pavarësisht pandemisë.
I ndryshëm nga Rama në arrogancën e tij dhe shpalosjen e shpërfilljes ndaj kundërshtarit, lideri i opozitës së bashkuar Lulëzim Basha ka zgjedhur të jetë lideri modern, me tone të ulëta dhe i buzëqeshur në bisedat me njerëzit, duke shpalosur në çdo takim me target grupet e ndryshme, pjesë nga programi elektoral i PD. Ndryshe nga çdo fushatë e deritanishme që nga 1992, Basha ka zëvendësuar premtimet me angazhimet. Një term që e përdor në çdo dalje publike, bashkë me deklaratën se nëse në mandatin e tij të parë angazhimet e tij nuk përmbushen, shqiptarët nuk duhet ta votojnë për një mandat të dytë.
Minimumi 110 mijë vende të reja pune për shqiptarët, paga minimale 36 mijë lek të reja në muaj, ulja e taksës mbi të ardhurat personale në 9%, duke ruajtur fashën mbrojtëse ekzistuese prej 30 mijë lekësh, taksë 9% të fitimit mbi të gjitha bizneset me një xhiro vjetore mbi 14 milionë lekë të reja, ulja e sigurimeve shoqërore në vlerën 18%, totali i taksave dhe tarifave vendore i bizneseve të vogla e të mesme jo më i lartë se 0.5% e xhiros, anulimi i taksës prej 24 lekë të reja për litër mbi karburantin, çdo litër karburant do t’ju kushtojë 240 lekë më pak të vjetra për operatorët turistik, rritja e pensioneve me të paktën dyfishin e normës së inflacionit dhe në çdo rast jo më pak se 5% në vit, ulja e çmimit e energjisë elektrike dhe çmimin e karburante, mbulimi shpenzimet arsimore për tarifat universitare për 90% të studentëve që vijnë nga familje me të ardhura me pak se 640 mijë lekë të vjetra në muaj, tekstet shkollore do të jenë falas për të gjithë ciklin parauniversitar, çdo familje do të përfitoj për të porsalindurit një pagesë mujore prej 3 mijë lekë të reja për 5 vitet e para të jetës, Qeveria do të paguaj 100% interesat bankare për çdo kredi që do të marrin çiftet e reja për të blerë një apartament apo një banesë, 20 mijë çifte dhe familje të reja që do të kenë strehim përmes skemës së subvencionimit të interesave në mandatin e parë, 100 milionë euro mbështetje direkte, si dhe sigurimin e fondeve për çdo kulturë bujqësore ose blegtorale. Dhe në fund, hyrja në Evropë. Basha premton se ashtu si mundësoi hyrjen e Shqipërisë në NATO dhe lëvizjen e shqiptarëve pa viza, do të mundësojë dhe bashkimin e Shqipërisë me Evropën, si ëndrra e vjetër dhe e artikuluar me rënien e komunizmit në parullën: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.
Të gjitha këto janë shtyllat e programit të rimëkëmbjes së Shqipërisë nëse shqiptarët do ‘ti besojnë qeverisjen PD-së, por në masë ka kaq pak shpresë. Si do t’ia dalë Basha të realizojë programin ambicioz kur borxhi publik është në masën 90%, kur parashikimet e Bankës Botërore flasin për një rritje të ngadaltë deri në masën 5% etj.? Për të realizuar angazhimet e marra që prekin pothuaj çdo qelizë të shoqërisë ai deklaron se do ti japë fund korrupsionit dhe buxhetin e nevojshëm do e përfitojë nga ndërprerja e kontratave koncesionare të paligjshme dhe nga lufta me oligarkët, që janë pasuruar falë “miqësive” me Ramën dhe praktikave korruptive.
Fushata vazhdon bashkë me premtimet/angazhimet e shpalosura, por mes gjuhës së premtimeve të dëgjuara tani e 30 vjet, ajo që mbetet është që shqiptarët të marrin letër e laps dhe të shkruajnë, në mënyrë që 4 vjet më pas të mos mbeten sërish në dëgjimin e premtimeve të përsëritura, por të kenë mundësi të bëjnë bilancin e premtimeve me realizimet e ndodhura. Sa më shumë ta bëjë këtë çdo shqiptar dhe votues, aq më shpejt Shqipëria do të shkëputet nga tranzicioni i stërzgjatur dhe njëherësh do të mundësojë një klasë politike të pjekur dhe të ndërgjegjshme. Shqipëria duhet t’u takojë shqiptarëve dhe jo politikanëve dhe që kjo të ndodhë, merrni një letër e laps dhe shkruani premtimet e sotme për të mos lejuar gënjeshtrat e reja të nesërmen!..
Ndaje me miqte