Mediat greke për ngjarjen në Bularat
TV Tribuna
28 Tetor 2018
Mediat greke thonë se 35 vjeçari që u vra pasditen e sotme në Bularat, tentoi të ndalonte policinë shqiptare që të hiqte flamurin grek nga varrezat e ushtarëve që ndodhen në këtë fshat.
Duke iu referuar mediave shqiptare, portali Proto thema shkruan se “Konstantinos Katsifas e ngriti flamurin grek në varrezat ushtarake të Bularatit. Pak më vonë policia shqiptare e zbriti flamurin dhe ai nisi të qëllojë me kallashnikov”, shkruan proto thema.
Proto thema publikon edhe njoftimin zyrtar dhe një video të shpërndarë nga policia e shtetit.
Një tjetër portal, “zougla.gr”,shkruan se 35 vjeçari shtiu në ajër kundër policisë, në përpjekje që t’i ndalonte të ulnin flamurin grek që ishte ngritur më herët në varrezën ushtarake të të rënëve në luftën italo-greke.
Televizioni Ant1, njofton se “35 vjeçari u qëllua në kokë dhe në kraharor pasi më parë kishte “kositur” makinën e policisë”.
Mediat greke citojnë si burime të lajmeve mediat shqiptare, ndërsa i vrari herë paraqitet si minoritar grek nga Bularati e herë si shtetas grek, me origjinë nga Janina.
Ende nuk ka ndonjë reagim zyrtar nga Athina.
Ndërsa bën përshtypje edhe fakti se, dy orë pas ngjarjes, nuk ka asnjë referim në televizionin publik apo agjencinë shtetërore të lajmeve.
Ndaje me miqte