Mediat greke i bëjnë jehonë fitores së Bujar Alimanit në festivalin e Varshavës
Tribuna TV
22 Tetor 2018
Mundet që mediat në Shqipëri të mos i kanë bërë ndonjë farë jehone fitores së regjisorit Bujar Alimani në Festivalin e Varshavës, ku filmi i tij “Delegacioni” fitoi Çmimin e Madh. Për të qenë më të saktë, e kanë përcjellë me dy tre rreshta, a thua se kanë më shumë vlerë të pasmet e Kim Karadashianit apo fëmija i palindur i princit Harry...
Atë që nuk e bëjnë mediat e atdheut, e kanë bërë mediat greke, që e ndjejnë Alimanin si njeriun e tyre, përderisa këtu ka kaluar një pjesë të madhe të jetës së tij krijuese dhe në disa prej filmave është dhe Greqia mes producentëve.
Një nga portalet më të frekuentuara në Greqi, “iefimerida”, publikoi të hënën një shkrim të zgjeruar me titullin “Bujar Alimani, emigranti shqiptar në Greqi që pushtoi Festivalin e Varshavës”.
TV Tribuna po e riboton të plotë shkrimin:
“Bujar Alimani u largua nga atdheu i tij me dy diploma, pikture dhe regjisurë teatri nga Akademia e Arteve të Bukura e Tiranës.
Në Greqi punoi si ndihmës regjisor në një sërë produksionesh kinematografike, deri sa gjeti një punë të përhershme si teknik skene në teatrin “Hora”. Një tjetër nder për Greqinë është Çmimi i Madh i festivalit të 34-t kinematografik të Varshavës, që fitoi filmi tashmë i tretë me metrazh të gjatë i Alimanit, “Delegacioni”. Një bashkëproduksion i Shqipërisë, Francës, Greqisë dhe Kosovës.
Bashkëqytetari ynë shqiptar, që mbërriti në Greqi në 1992 si emigrant ekonomik dhe jetoi në Athinë deri në 2012 kur u vendos në Nju Jork, 49 vjeçari sot regjisori dhe skenaristi Bujar Alimani u mbështet në projektin e tij nga institucionet e ministrisë greke të kulturës, televizioni publik ERT dhe kineastë grekë dhe u shquajt në arenën kinematografike vendase dhe ndërkombëtare, duke sjellë në avanskenë realitetin social të pjesës lindore të Perëndimit.
Filmat e tij, të ashpër dhe pretenciozë, flasin jetën e emigrantëve, për grekët dhe shqiptarët në vitet e krizës, mirëpo refuzojnë të “përkëdhelin” stereotipat e heronjve apo viktimave. Sot, vazhdon të ruajë lidhje të ngushta me Greqinë dhe komunitetin e artistëve.
Përmes këtij rrugëtimi, gjithmonë me mbështetjen e bashkëshortes së tij Tefta Bejko, por edhe të kineastëve grekë, arriti të çajë një rrugë të vetën, duke vënë vulën e tij personale në gjashtë filma deri më tani, të cilat janë lauruar në festivale të rëndësishme të filmit greke dhe ndërkombëtare.
Krijimi i tij i parë ishte filmi me metrazh të shkurtër “Katoi” (Qilari), ku evidentoi përvojën e tij të emigrantit dhe në të cilin ishte skenarist, regjisor dhe producent. Pasoi filmi “Gazi” gjithashtu me metrazh të shkurtër (2006), një produksion i ERT bazuar në tregimin e shkrimtarit grek Sotiris Dimitriou dhe ka si protagonist një grek “të kulluar”.
Filmi i tretë me metrazh të shkurtër “Busulla” i referohet zakonit ende të gjallë të gjakmarrjes në Shqipëri, ku kryqëzohen problemet e vendlindjes rrugës drejt Europës.
Pasuan dy filma me metrazh të gjatë, me tema shqiptare dhe në gjuhën shqipe, “Amnistia” (20110 e financuar nga Qendra e Kinematografisë Greke që u xhirua në burgun e Tiranës dhe ishte filmi i parë shqiptar që debutoi në Festivalin Kinematografik të Berlinit, si dhe “Krom” (2015), një bashkëproduksion i Shqipërisë, Gjermanisë, Greqisë dhe Kosovës. Dhe tani “Delegacioni”.
Ministrja greke e Kulturës, Myrsini Zorba e përgëzoi nxehtësisht Bujar Alimanin për suksesin e tij”, përfundon shkrimi në portalin “iefimerida.gr”.
Filmi “Delgacioni”
Filmi është dhe një homazh për regjisorin Artan Minarolli, që u nda nga jeta në moshën 57 vjeçare në 2015. Minarolli kishte shkruar skenarin dhe Alimani ndjeu obligimin që ta përfundonte punën e nisur nga miku i tij i talentuar.
Dhe e kurorëzoi në mënyrën më të mirë...
Subjekti: Një delegacion evropian vjen në Shqipëri për të parë nga afër se si po zhvillohen reformat demokratike, që ka ndërmarrë qeveria vendase. Drejtues i delegacionit, zoti Loherin, ka qenë bashkënxënës i Leos gjatë studimeve në Pragë. Ndërsa, Leo është në burg. Por, e nxjerrin nga burgu, për ta prezantuar Shqipërinë në sytë e delegacionit të huaj, si një vend ku bëhen reforma demokratike, por edhe për të takuar si intelektual kreun e delegacionit që do të vinte. Leo kupton se çfarë do të ndodhte dhe kërkon të vrasë veten… Por, ngjarjet në film marrin tjetër rrjedhë…”
Interpretojnë: Viktor Zhusti, Xhevdet Ferri, Ndriçim Xhepa, Richard Sammel, Kasem Hoxha, Bislim Muçaj, Jorgaq Tushe, Kristaq Skrami, Selaman Lokaj, Avdullah Gjikokaj, Fatlume Bunjaku, Armend Ismajli, Gani Morina, Artan Selimi, Imer Loshi.
Ndaje me miqte