Portali më i madh grek për çështjet e ekonomisë dhe financave, Oikonomikos Taxidromos, i bën jehonë arritjeve të Shqipërisë fqinje në fushën e turizmit, duke theksuar që në fillim të shkrimit se të ardhurat nga turizmi gjatë vitit 2023, u rritën me 72%, duke kapur shifrën 1,84 miliardë euro.
“Shqipërinë e vizituan gjatë vitit të kaluar 10,2 milionë turistë të huaj, domethënë 35% më shumë nga një vit më parë, çka konfirmon se viti i kaluar ishte shumë i mirë për këtë sektor të ekonomisë”, vëren Oikonomikos Taxidronos.
Të dhënat e para për 2024-n, tregojnë se rritja e numrit të mbërritjeve nga jashtë do të vazhdojë, duke dëshmuar se turizmi ka hyrë në një stad zhvillimi që pritet të vazhdojë të paktën në plan afatshkurtër, shton Oikonomikos Taxidromos.
Më tej oikonomikos taxidromos i referohet një fakti tepër pozitiv për ekonominë e Shqipërisë. Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit financiar Standard & Poor’s (S&P) konfirmoi për Shqipërinë vlerësimin në “B+”, me perspektivë “të qëndrueshme”, në rishikimin më të fundit të datës 27 mars 2023.
Sipas Oikonomikos Taxidromos, agjencia prestigjoze ndërkombëtare, ka vlerësuar rezistencën e vendit dhe menaxhimin me korrektesë të financave publike në mes të sfidave të shumëfishta.
Vlerësimi me B+ pasqyron aftësinë e vazhdueshme të Shqipërisë t’u rezistojë tronditjeve si tërmeti i 2019-s, pandemia e Covidit dhe rrjedhojat makroekonomike të luftës në Ukrainë.
Pavarësisht këtyre pengesave ekonomia e Shqipërisë u rrit në mënyrë impresionuese me një mesatare vjetore 5,8% tre vitet e fundit, duke përmirësuar në të njëjtën kohë parametrat e financave publike.
Standard & Poor’s ia dedikon stabilitetin ekonomik pjesërisht një shpërthimi të rëndësishëm turistik, që ndihmoi të shtohen eksportet e shërbimeve thuajse 15% të GDP-së në harkun kohor 2019-2023, duke forcuar në mënyrë esenciale pozitën e jashtme të Shqipërisë.
Më tej, Standard & Poor’s vuri në dukje angazhimin e autoriteteve shqiptare që të përmirësojnë financat publike në kombinim me rritjen e fuqishme ekonomike, dhe e reduktoi borxhin publik nga 74,5% në 2020, në rreth 58% vitin e kaluar, përfundon Oikonomikos Taxidromos.