Mbyllur për shkak të Covid-19. Si komunikoni me zyrat e emigracionit
TV Tribuna
08 Prill 2020
Që prej një muaji, është pezulluar puna në gjithë zyrat e shërbimit të emigrantëve dhe të azilit, në zbatim të masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Ndërkaq, edhe pse të mbyllura për publikun, zyrat e emigracionit dhe ato të azilit vazhdojnë të punojnë, natyrisht, me personel të reduktuar.
Një nga shërbimet që zyrat vazhdojnë të bëjnë, është trajtimi i dokumentacioneve shtesë që emigrantët duhej të dorëzonin për të bërë rinovimin apo për të marrë leje fillestare.
Për këtë na pyesin edhe shumë bashkatdhetarë, që kishin afate për dorëzimin e dokumentacionit shtesë.
Shëbimet e emigracionit kanë nxjerrë një njoftim, ku thuhet se lejohet dërgimi me postë ose me kurier, i këtyre dokumentave:
1. Nëse janë kërkuar me shkrim nga shërbimi i emigracionit dokumente plotësuese, qoftë gjatë depozitimit të kërkesës, qoftë në një kohë tjetër me njoftim me shkrim dërguar në adresën e banimit të të interesuarit.
2. Çdo dokument që dërgohet ka të bëjë ekskluzivisht me vetëm një person dhe përveç dokumentave të kërkuara përmban edhe numrin e dosjes së personit të interesuar, domethënë të dosjes që ndodhet në shërbimin e emigracionit.
3. Bëhet me dije se edhe dokumentat që kanë të bëjnë me më shumë se një person (familje), duhet të dërgohen veç e veç, një zarf për secilin person, ku edhe këtu duhet numri i dosjes.
Dërgimi i dokumentave bëhet me postë rekomande, ose me kurier dhe dërgohet në adresën e shërbimit.
Bëhet gjithashtu me dije se dërgesat që nuk përmbushin të tre kushtet e mësipërme, nuk do të pranohen.