Mbikalimi Morandi, arrin në 39 numri i viktimave
Zëri i Amerikës
16 Gusht 2018
Autoritetet në Itali thanë se numri i viktimave pas rrëzimit të një ure të martën në Xhenova, ka arritur në të paktën 39 vetë. Një numër njerëzish ende figurojnë të humbur. Ekipet e shpëtimit po i vazhdojnë kërkimet në mesin e rrënojave të Urës Morandi, që u shemb gjatë një stuhie të fuqishme.
Makinat që ndodheshin mbi urë ranë nga një lartësi prej 45 metrash, së bashku me copëra të mëdha betoni, mbi magazinat e një parku industrial që ndodhej nën urë. Sipas autoriteteve, të gjitha viktimat ishin në mesin e personave që ndodheshin në makina mbi urë dhe asnjë prej tyre nuk ishin nga njerëzit që ndodheshin poshtë, ose pranë saj.
Shefi i Përgjithshëm i Karabinierisë italiane Riccardo Sciuto, tha të mërkurën se numri i viktimave deri tani ka arritur në 39 vetë dhe 15 të tjerë janë të plagosur. Në mesin e viktimave ishin tre fëmijë. Sipas burimeve nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë, mes viktimave të tragjedisë si Xhenovës. ishin edhe dy të rinj shqiptarë, Marjus Djerri dhe Admir Bokrina.
Shefi i Karabinierisë tha se duke patur parasysh numrin e makinave që ndodheshin mbi urë në momentin e shembjes, ka ende shpresa për të gjetur persona të tjerë të mbijetuar në mesin e rrënojave.
"Jemi duke bërë vlerësime mbi bazën e numrin të makinave që po kalonin urën. Bazuar tek kjo hipotezë, pra duke patur parasysh se mbi urën ndodheshin 35 makina, besojmë se mund të ketë edhe njerëz të tjerë.”- tha zoti Sciuto.
Ekipet e shpëtimit i vazhduan kërkimet të mërkurën për të dytën ditë me radhë, në mesin e tonelatave të betonit dhe shufrave të deformuara të çelikut nga rrëzimi i urës në autostradën e Xhenovës.
Ministri i Transporteve i Italisë, Danilo Toninelli, të mërkurën fajësoi kompaninë që menaxhon urën, “Autostrade per l'Italia”, duke thënë se ajo nuk e kishte zbatuar kontratën. Toninelli po ashtu tha se qeveria do të fillojë një hetim mbarëkombëtar për të gjitha urat dhe tunelet e vjetra.
Ura bashkonte dy autostrada të rëndësishme që lidhin Italinë me Francën. Ajo u ndërtua në vitin 1967 dhe vitet e fundit kishte shkaktuar shqetësim në mesin e inxhinierëve, ngaqë kishin vënë re një degradim të saj.
Zëvendëskryeministri i Italisë Matteo Salvini tha se fatkeqësia e së martës tregon se Italia duhet të shpenzojë më tepër për infrastrukturën e saj, edhe në se kjo do të kërkonte shkeljen e rregullores së buxhetit të Bashkimit Europian.
Ndaje me miqte