0030 210 33 18 483

Mbi librin e ri të Brikena Qamës "Dëshirat e mia perëndojnë çdo mbrëmje"?

Armela HYSI 17 Dhjetor 2018

Kam shkruar në shtyp dhe në promovimet e kaluara për të tre librat e mëparshëm të Brikenës; kisha një rol në krijimtarinë e saj, duke qenë se jam dhe redaktorja e nùna e saj e parë për librin që qe zanafilla e këtij udhëtimi: "Pëshpërimat brenda meje" dhe recensente tek libri i saj i dytë: "Bota poshtë takave"; prandaj ecuria e saj poetike nuk ka sesi të mos jetë dhe një detyrim shpirtëror i imi, si poete, si një njeri i afërt.

Por edhe se duke qenë pjesë - të gjithë ne, pjesë e komunitetit shqiptar të Greqisë,- besoj se nuk mjafton të grindemi, apo të bëjmë vërejtje për vëmendje, nga pjesa tjetër e lexuesit, apo analistëve e Letrave në Shqipëri, pa bashkuar vetë zërat, pa identifikuar vetë së pari, lexuar, mbështetur poetët e shkrimtarët tanë të ardhur; ata që kanë bërë një emër që më parë, apo dhe të krijuar këtu, siç është dhe Brikena.

Pa krijuar pra, mesazhin e qartë dhe tejet real e konkret se  këtu bëhet një letërsi e vërtetë, nuk është as sporadike, as utopike e as lokale.
Në letërsi askush nuk hyn duke të hapur rrugën, duke të treguar dikush vendin. Secili bën një vend unik me autentizmin dhe vërtetësinë e tij, kjo është dhe sprova e madhe e krijuesit, aq më tepër e poetit. Mbështeja ama, është e dëshiruar.

Kështu që mbledhja e artdashësve dhe njerëzve të letrave për të festuar ardhjen mes nesh të një libri të ri, është në çdo rast një simbol – gjithashtu – atdhedashurie, lidhje e miqësie të mëtejshme  me njëri-tjetrin dhe padyshim një vepër frymëdhënëse për fëmijët tanë që rrisim këtu, me ndjenjën e nderimit dhe njohjes së gjuhës shqipe e kulturës sonë sa të lashtë, aq edhe në evolim të përherëshëm.
Prandaj pra, për të gjitha këto, nuk mund të mos përshëndesja me një farë krenarie e hareje ardhjen e librit të saj të ri.

Por ekzistojnë edhe ca shkaqe të tjera, të ardhur tashmë, pas leximit të librit “Dëshirat e mia perëndojnë çdo mbrëmje”,  ishin ato shënimet me laps që bëj në azhurin e faqeve të tij që në të shumtat e rasteve thoshin:  “Bukur” apo nënvizimet e vargjeve të ndryshëm dhe një konfirmim që i bëra vetes kur përfundova gjithë librin:

Se tek ky libër unë gjej më shumë bukuri dhe stilin e Brikenës dhe një frymë të vërtetësisë së saj. Ajo tani është krejt e lirë dhe më e spastruar nga ndikimet që sado të bukura apo të mira, ato e bëjnë pis poezinë e saj të brendshme. Në këtë libër duken përvojat e vetë Brikenës që të gjithë njohim dhe duam. Si dhe mësimet që do t' iu japi përvojave të saj.

Po të flasim në trajtën poetike formati i shkurtër e ndihmon autoren Qama më tepër se i gjati. Këtu nuk mund të mos fshihet një simbiozë talenti dhe eksperience, tanimë, – sepse formati i shkurtër ka dhe më tepër tentativa të përqendrojë edhe vëmendje më të lartë nga lexuesi, edhe po nuk pate një qartësi artistike e filozofike të balancuar nuk e humbet lehtësisht estetikën, kështu që nuk mund të mos i meritojë lëvdatat.

Kjo poezi jep një ide që në dukje do të ngjajë me kalimthin e një zëri nga jashtë dritares, sepse është dhe një poezi astike, por si një zë-tingull-zhurmë-oshëtim-sirenë-sekuencë muzikore që fashitet pas një çasti; ama të mbush sipas çdo rasti me dhjetra emocione që lidhen me binomin “poet - lexues” dhe vetëm me ç' ka kaluar ai vetë, ashtu vijnë dhe ato. Të mbushin ndoshta me dhjetra pyetje, për origjinën dhe për përfundimin e burimit të asaj gjithëfarësie tingujsh që përmenda, të trembin ndoshta, ndoshta-ndoshta të bëjnë të kujtosh, të telefonosh, ose të duash të telefonosh, por të mbahesh çastin e fundit, akoma dhe të qash, të qeshësh,  apo të kërcesh, (pse jo dhe të gjitha bashkë), ndërsa fashitja ta ka mohuar duke ta bërë më të dëshiruar.

Brikenës i shkon ky format sepse ka qëllim të përcaktuar në poezinë e saj. Si një lojë ku do të “duket dhe zhduket, po të mbetet në mendje për më gjatë”.
Qëllimet e njerëzve që shkruajnë janë gjithmonë vetjake dhe të aq llojshme sa tërësia e bashkësisë së shkruesve.

Sigurisht; jo të gjithë janë artistë, por qëllimi është gjithmonë art i një arritjeje, kjo s' mohohet dot nga askush. Të gjesh ama pozicionimin si krijues, është jo vetëm lavdëruese dhe e bukur; është një trajtë shenjtërie dhe e vlefshme për festime, si një llojë pagëzimi, si një llojë ndërgjegjësimi dhe trajektoreje hyjnore. Ky është shqyrtimi praktikues i poezisë në të katërtin libër tashmë – dhe duhet thënë se tek secili ndjehet fryma e Qamës dhe fryma e kohës ku deponon e deponojmë, po tek "Dëshirat e mija perëndojnë çdo mbrëmje" Qama e ka kuptuar sa vlen fjala e shkruar dhe e ka lënë më të lirë, më ajrore, të çliruar dhe të vërtetë se kurrë. Kjo, padyshim, me dashje apo pa, ka ardhur si një gërmim natyror, prandaj nuk ka njeriu veçse t' i falet.

...

Një pikë e fundit që dua të theksoj, është se Brikena që njohim, siç e njohim secili nga ne, është një person i shumanshëm. Në poezinë e saj, ajo ama, është një person që e kufizon tematikën në drejtime më vetjake dhe dy-relatore në këtë libër; është më ëndërrimtare, më vashërore se në të përditshmen reale. Kjo mund të vihet re edhe sikur vetë poetja do të ruajë një qashtërsi dhe naivitet të hershëm, pasi ka nevojë për të dhe kur e lexojmë, kujtohemi, se si të gjithë kemi nevojë për këtë qashtërsi e naivitet.

Ndaje me miqte