Duket se së shpejti në zyrat e shërbimit të emigrantëve nuk do të ketë grumbullime kaq të mëdha dhe sorollatje kaq të gjata çka i detyronte hallexhinjtë të zinin radhën që pas mesit të natës.
Tash e tutje emigrantë nuk do të qëndrojnë më në radhët e pafundme për të marrë lejen e qendrimit.
Në një akt normativ që publikohet në numrin e fundit të Fletores zyrtare, përcaktohet se lejet e qëndrimit do të dërgohen me shërbim kurier në adresën e banimit të personit që i takon leja.
Lejet e qëndrimit i dorëzohen shtetasit të vendit të tretë ose përfaqësuesit të tij ligjor, nga shërbimi i administratës së decentralizuar apo të drejtorisë së përgjithshme të politikës së emigracionit, përmes shërbimit kurier, me faturën e dorëzimit dhe kopjen e vendimit përkatës, thuhet në aktin normativ.
Ministria e emigracionit e ka argumentuar marrjen e kësaj mase me akumulimin e madh të lejeve të qëndrimit të miratuara gjatë periudhës së fundit, por që nuk mund të tërhiqen nga emigrantët pasi zyrat e shërbimeve përkatëse janë mbyllur në zbatim të masave kundër koronaviorusit.
Gjithsesi, ky është një hap pozitiv drejt shurajes së radhëve të gjata para zyrave të emigracionit, që përbëjnë një pamje të zakonshme 22 vitet e fundit, që kur filloi legalizimi i emigrantëve në Greqi.
Sepse nuk është vetëm dërgimi me postë i lejeve të qëndrimit.
Por edhe emigrantët që kanë për të dorëzuar dokumente shtesë, mund t'i dërgojnë po me postë (rekomande), apo me shërbim kurrier në zyrat e emigracionit.