0030 210 33 18 483

Ligji për patentat shqiptare në Greqi hyn në fuqi

TV TRIBUNA 02 Shkurt 2020

Ligji për njohjen e patentave shqiptare në Greqi është dekretuar nga presidenti i republikës greke dhe është publikuar në gazetën Zyrtare.

Kjo do të thotë se që nga dita e nesërme, e hënë 3 shkurt, gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi, mund të shkojnë në drejtoritë e transportit të vendbanimit që të aplikojnë për kthimin e patentës shqiptare në patentë greke.

Patenta duhet të jetë e vlefshme, domethënë të mos ketë skaduar.

Procesi bazohet në udhëzimin e Bashkimit Europian që parashikon se e vetmja gjë që nevojitet, është një vërtetim mjekësor se interesuari është në gjendje që të drejtojë një mjet motorik.

Natyrisht, është një proces që kërkon një periudhë kohore të realizohet.

Fotokopja e patentës shqiptare, bashkë me të dhënat e mbajtësit, do të dërgohet në drejtorinë e transportit rrugor në Shqipëri, me qëllim që të vërtetohet autenciteti i saj.

Pas kthimit të përgjigjes, normalisht do të bëhet ndryshimi i patentës.

Ende nuk dihet se sa do të jetë kostoja e procesit të kthimit të patentës nga shqiptare në greke.

Ndërkaq, zyra e buxhetit të shtetit, në informacionin dërguar parlamentit grek, ka nënvizuar se humbjet buxhetore konsistojnë në mospagimin e paravolave që normalisht kapin shifrën 138 euro, si dhe mosinkasimin e tatimeve që do të paguanin në shtet autoshkollat.

Gjithsesi, zyra e buxhetit ka konkluduar se humbjet në buxhet do të jenë rreth 20 euro për çdo patentë.

Nuk dihet në se kjo shumë do t’i bashkangjitet vlerës së prodhimit të patentës greke biometrike, që tani kushton 30 euro.

Gjithsesi, në ditët e ardhshme pritet që ministria e infrastrukturës dhe transporteve të nxjerrë sqarimet përkatëse, me qëllim që të orientojë gjithë të interesuarit.

Ndaje me miqte