0030 210 33 18 483

Ligji i ri: 3 hapat për marrjen e nënshtetësisë greke

TV TRIBUNA 24 Tetor 2020

HAPI 1:

ÇFARË KUSHTESH DUHEN PLOTËSUAR

Shtetasi i huaj që dëshiron të bëhet qytetar grek me natyralizim, duhet:

1) Të jetë në moshë të rritur kur të depozitojë kërkesën për natyralizim.

2) Të mos jetë dënuar në mënyrë të parevokueshme me privim lirie për vepra të rënda penale që i kreu gjatë një periudhe 10 vjeçare para depozitimit të kërkesës për natyralizim.

3) Të mos jetë në proces depërtimi apo proces tjetër që lidhet me statusin e qëndrimit të ligjshëm në Greqi.

4) Të ketë qëndruar në mënyrë të ligjshme në Greqi për shtatë vite rresht para depozitimit të kërkesës.

5) Të ketë një leje të fuqishme qëndrimi (p.sh., 10 vjeçare, rezident afatgjatë, etj.).

6) Të njohë në mënyrë të mjaftueshme gjuhën greke, me qëllim që të përmbushë detyrimet që burojnë nga identiteti i qytetarit grek,

7) Të ketë njohuri të mjaftueshme për historinë dhe gjeografinë greke, kulturën greke dhe zakonet e popullit grek, si dhe mënyrën e funksionimit të institucioneve politike dhe shtetërore të shtetit,

8) Të ketë aftësinë që të marrë pjesë aktivisht dhe në mënyrë thelbësore në jetën politike të vendit, duke respektuar parimet themelore që e karakterizojnë,

9) Të jetë integruar normalisht në jetën ekonomike dhe sociale të vendit, duke e bërë (Greqinë) qendrën e vazhdueshme të veprimtarive jetike të tij.

 

HAPI 2:

ÇFARË DOKUMENTASH KËRKOHEN

1. Kërkesa për natyralizim paraqitet në shërbimin lokal të nënshtetësisë dhe shoqërohet nga dokumentet e mëposhtme:

a) Fotokopje e saktë e pasaportës së vlefshme

b) Një nga lejet e fuqishme të qëndrimit

c) Çertifikata për njohuritë e mjaftueshme për natyralizim (PEGP)

d) Çertifikatë lindjeje origjinale, e legalizuar dhe e përkthyer zyrtarisht.

e) Deklaratat tatimore (ekatharistiko simioma) të viteve që i korrespondojnë kohës së qëndrimit të ligjshëm në Greqi, mbi bazën e të cilave rezulton se ka përmbushur detyrimet tatimore.

f) Numri i amzës së sigurimeve shoqërore (AMKA).

g) pagesa elektronike (paravolo) me vlerë 550 euro.

Për riparaqitjen e kërkesës për natyralizim paravolo caktohet në 200 euro.

Homogjenët, shtetasit e vendeve të tjera anëtare të BE-së, paguajnë për çdo aplikim për natyralizim paravolo me vlerë 100 euro.

 

HAPI 3:

PROCEDURA, PROVIMI DHE INTERVISTA

Procedura e natyralizimit, provimi dhe intervista

Në projektligjin e ri për nënshtetësinë, që pritet të miratohet nga parlamenti grek ditët e ardhshme, sanksionohet sistemi i provimeve me shkrim, në vend të paraqitjes individuale para komisionit, siç bëhet deri më tani.

Provimet do të zhvillohen dy herë në vit.

Në provime do të marrë pjesë cilido që dëshiron të aplikojë për nënshtetësinë greke.

Më poshtë vijojnë dispozitat përkatëse, siç janë bërë publike nga sekretariati për nënshtetësinë i ministrisë së brendshme.

1. Shtetasi i huaj që dëshiron të natyralizohet si grek, ftohet të marrë pjesë në provim me shkrim, me qëllim që të certifikohet përmbushja e kushteve të nenit të mësipërm.

Kushti primar për të marrë pjesë në provime është pagesa e tarifës së provimit me vlerë 150 euro.

Për të marrë certifikatën, shtetasi i huaj duhet të kalojë me sukses provimet e gjuhës greke të nivelit B1, me gojë dhe me shkrim, si dhe në  njohuritë mbi historinë dhe gjeografinë e Greqisë, kulturën greke dhe institucionet politike dhe shtetërore të vendit.

Këto njësi tematike shqyrtohen nëpërmjet një përzgjedhjeje të rastësishme nga një bankë temash me të paktën 300 pyetje, e cila hartohet e mbahet me kujdesin e sekretariatit të përgjithshëm të nënshtetësisë.

Në bankën e temave ka cilido qytetar akses të lirë, përmes portalit të ministrisë së brendshme.

Në provimi i mësipërm përjashtohen ata që kanë mbaruar me sukses në një lice të vendit që zbaton programin arsimor shtetëror apo kanë mbaruar një universitet të vendit apo kanë marrë një titull PhD nga një universitet në Greqi.

2. Pjesëmarrja në provime konsiderohet e suksesshme, kur kandidati grumbullon 70% të pikëve të mundshme. Shtetasi i huaj mund të marrë pjesë përsëri në provime, në rast se dështon në provimin e parë.

Shtetasit të huaj që ka kaluar me sukses provimet,  i jepet Çertifikata për Njohuritë e Mjaftueshme për Natyralizimin (PEGP).

3. Për aplikantët për nënshtetësi greke, që e kanë kaluar vitin e 62 të moshës, për ata që kanë të çetrifikuar zyrtarisht 67% invaliditet, si dhe për ata që e kanë të pamundur të marrin pjesë në provime për shkak të paaftësisë së diagnostikuar nga komisionet kompetente, njohuritë e  nevojshme për natyralizim certifikohen në testim me gojë para një komisioni të posaçëm të përbërë prej tre anëtarësh.

4. Drejtoria rajonale e nënshtetësisë, pas aplikimit për natyralizim – shoqëruara me dokumentacionin që parashikon ligji, verifikojnë nëse dosja është e plotë, si dhe formalitetet e tjera. Nëse këto kushte nuk plotësohen, shefi i shërbimit rajonal të nënshtetësie, e refuzon aplikimin.

5. Në rast se kushtet plotësohen, punonjësi i shërbimit rajonal të nënshtetësisë, kërkon në rrugë institucionale nga ministria e drejtësisë, dëshminë e penalitetit, si dhe i drejtohet organeve kompetente për të dhënë mendimin e tyre nëse aplikanti ka probleme që lidhen me sigurinë publike.

6. Drejtoria rajonale e nënshtetësisë, e fton aplikantin në intervistë, me qëllim që të konstatohet aftësia e pjesëmarrjes së tij në jetën politike të vendit, si dhe integrimi i mjaftueshëm në jetën ekonomike dhe sociale të vendit.

7. Intervista, procesverbali i së ciklës ruhet në dosjen e aplikantit, zhvillohet nga dy nëpunës të drejtorisë rajonale të nënshtetësisë dhe në përfundim të saj bëhet vlerësimi i përgjithshëm i aplikantit dhe hartohet propozimi i argumentuar për pranimin apo refuzimin e kërkesës për natyralizim.

Marrja e nënshtetësisë greke e fëmijës, kur prindi ka bërë natyralizimin

Fëmija i shtetesit/shtetases së huaj që u natyralizua greke, merr nënshtetësinë greke pa asnjë formalitet tjetër, nëse gjatë ditë së betimit të prindit është i mitur, i pamartuar dhe ka qëndrim të ligjshëm në Greqi.

 

HOMOGJENËT

8. Shtetasit e huaj homogjenë, që kanë titull qëndrimi homogjeni dhe aplikojnë për natyralizim, përjashtohen nga provimi i njohjes së gjuhës, historisë, etj., mirëpo zbatohet edhe për këtë kategori intervista për integrimin ekonomik dhe social.

Ndaje me miqte