Koment hyrës nga drejtori i TV Tribuna, Robert Goro
Prej më shumë se një viti është miratuar ligji i amenduar për marrjen e nënshtetësisë greke. ndër dispozitat e tjera, është edhe ajo që përcakton se për intervistën do të përdoret një banke prej 300 pyetjesh, ku do të përzgjidhen 30 pyetjet që do t’i drejtohen aplikantit gjatë intervistës. Nëse përgjigjet në 20 nga pyetjet, atëherë e kalon testin.
Edhe pse ishte thënë zyrtarisht se banka e pyetjeve do të përgatitej sa më shpejt dhe se brenda janarit 2019 do të publikohej në një faqe të veçantë interneti, po vjen viti 2010 dhe ende nuk është publikuar gjë.
Rrjedhimisht, testet do të zhvillohen mbi bazën e librit të vjetër, hartuar që në vitin 2001, që vazhdon edhe sot e kësaj dite të gjendet në faqen e internetit të ministrisë së brendshme.
Natyrisht, e gjithë kjo flet për një mungesë totale serioziteti dhe përgjegjësia nuk mund të kërkohet vetëm te një person apo te një instancë shtetërore. Mirëpo, jemi të sigurt se të vetmit që nuk kanë asnjë përgjegjësi në këtë mes janë emigrantët. Që për më tepër kanë paguar dhe nga “700 kokrra leku” të nxjerra me mund e sakrificë (bëhet fjalë për aplikimet para gjysmës së 2019-s, pse më pas paravolo u ul në 550 euro, që përsëri është shumë. Aq më tepër po të krahasohet me nivelin e shërbimit që ofrohet...
Gjithsesi, e vetmja gjë që mund të bëjmë ne dhe që e bëmë, ishte të uleshim e ta përkthenim librin me lëndën nga “peshkohen” pyetjet dhe t’ua ofrojmë lexuesve tanë, ashti siç kemi bërë dhe më herët, duke e paraqitur në trajtë vizuale.
Për ata që duan ta lexojnë në greqisht, libri gjenden në faqen e internetit të ministrisë së brendshme. Mjafton të klikoni në adresën e mëposhtme:
Titulli: LIBËR ME INFORMACIONE SINOPTIKE PËR HISTORINË, GJEOGRAFINË DHE KULTURËN GREKE
Përgatitur nga Ministria e Brendshme e Greqisë
Greqia, atdheu im i dytë
“Shqiponja fluturon kudo në ajër dhe për njeriun trim atdhe është e gjithë toka”
Euripidi (436-338 p.e.s.)
Libri fillon me një përshëndetje nga ministria e brendshme
I dashur mik, e dashur mike,
Ky libër është shkruar posaçërisht për ty që dëshiron të bëhet Greqia atdheu yt i dytë.
Do të të ndihmojë të kuptosh cili është ky vend, cili është kontributi që i ka dhënë njerëzimit dhe cilët janë grekët.
Nuk kërkojmë që ti të mohosh rrënjët e tua, as të humbasësh identitetin tënd.
Përkundrazi, ajo që dëshirojmë është të integrohesh më lehtë në shoqërinë greke, ku përndryshe jeton dhe kontribuon, duke njohur historinë, kulturën, doket dhe zakonet e grekëve.
Do të duhet të dish se grekët gjatë gjithë rrugëtimit të tyre historik shquhen për shpirtin e tyre të lirë, besnikërinë ndaj demokracisë, barazisë dhe drejtësisë.
Karakterizohen nga përkushtimi i tyre ndaj të drejtave të njeriut, mikpritjen dhe mirënjohjen.
Janë gjithashtu të lidhur me ortodoksinë, por në të njëjtën kohë respektojnë dhe çdo besim tjetër fetar.
Shteti grek kërkon nga ti që t’i kuptosh gjithë këto karakteristika dhe të respektosh normat dhe rregullat që dominojnë në këtë vend.
Atëherë, të jesh i sigurt se ky vend do të të përqafojë dhe do të bëhet me të vërtetë atdheu yt i dytë.
Dionisis Solomos (1798-1859)
Ode për lirinë
Poema “Ode për Lirinë” (që strofat e para u bënë Himni i Greqisë), u shkrua në 1823, kur Revolucioni Grek që çoi në çlirimin e Greqisë nga Turqit ndodhej në vrullin e parë dhe shënonte suksese të vazhdueshme.
Solomos ishte atëherë 25 vjeç dhe jetonte në Zakynthos.
HIMNI KOMBËTAR
Të njoh nga presa
E shpatës së tmerrshme
Të njoh nga pamja
Që shtrohet në tokë.
Nga eshtrat e shenjta
Të grekëve dalë
Si dikur e burrëruar
Tungjatë, tungjatë, o Liri!
Muzikën e Himnit e ka kompozuar në 1864 muzikanti nga Korfuzi Nikolaos Mantzaros (1795-1874).
PJESA I / GJEOGRAFIA E GREQISË
POZITA GJEOGRAFIKE
Greqia është vendi më jugor i Europës kontinentale dhe shtrihet në skajin jugor të gadishullit të Ballkanit.
KUFIJTË
Në tokë Greqia kufizohet në verilindje me Shqipërinë, në veri me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë dhe në verilindje me Turqinë.
Greqia ka kufij detarë me Turqinë në lindje dhe me Shqipërinë në veriperëndim.
Gjatësia e kufijve tokësorë të Greqisë është:
Me Shqipërinë: 246,70 km.
Me Maqedoninë e Veriut: 256,31 km
Me Bullgarinë: 458,70 km.
Me Turqinë: 203 km.
SIPËRFAQJA
Sipërfaqja e Greqisë është 131.957 kilometra katrorë.
DETET QË LAGIN GREQINË
Greqia laget nga tre dete, që janë të gjitha pjesë e Mesdheut Lindor
a) DETI JON. Shtrihet ndërmjet Greqisë dhe Italisë dhe pjesa më e ngushtë (kanali i Otrantos) gjendet ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë.
Deti Jon ka luajtur gjithmonë një rol të rëndësishëm në historinë e Greqisë, si zona e kontaktit të saj me Europën perëndimore.
b) DETI EGJE. Ky det ka një rëndësi të madhe gjeopolitike, sepse bashkon detin Mesdhe me detin e Zi.
Shtrihet ndërmjet brigjeve lindore të Greqisë dhe brigjeve perëndimore të Turqisë.
Egjeu konsiderohet djep i helenizmit dhe është deti që mikpriti qytetërimin e parë të madh europian (Kreta Minoike).
c) Deti Libik. Është deti që shtrihet nga brigjet jugore të Kretës deri në brigjet afrikanoveriore.
BRIGJET
Brigjet e Greqisë kanë një gjatësi me shumë se 15.000 km.
Forma e brigjeve greke është e komplikuar dhe karakterizohet nga prania e shumë gadishujve, ku më kryesori është Halkidiki në Maqedoni.
Gjiret më të rëndishëm të Greqisë në detin Jon dhe nga veriu në jug janë gjiri Ambrakik (Amvrakikos), Korinthik (Korinthaiakos), Kuiparisiakos, Mesiniakos dhe Lakonikos.
Në detin Egje: gjiri i Kavalas, Strimonikos, Thermaikos, Pagasitikos, Saronikos dhe Argolikos.
GREQIA ISHULLORE
RRETH 1/5 E TERRITORIT TË Greqisë përbëhet nga ishuj të mëdhenj e të vegjël.
Shumica e këtyre ishujve gjenden në detin Egje.
Ishulli më i madh grek është Kreta dhe vijojnë Evia dhe Lesvos.
Shumë prej ishujve grekë gjenden të grumbulluar në grupe, më kryesoret nga të cilët janë: Cikladet (Kyklades), Dodekanezi (Dhodhekanisa) dhe Eptanezi (Eptanisa).
Cikladet kanë marrë këtë emër, ngase krijojnë një qark rreth Dilos, ishullit të shenjtë të grekëve të antikitetit.
Dodekanezi ka rëndësi të madhe turistike dhe veçanërisht Rodos që ka miliona vizitorë çdo vit.
Eptanezet gjenden në detin Jon dhe kanë këtë emër pasi ishujt më të mëdhenj janë shtatë. Më i madhi ndër ta është Kefalonia, ndërsa i njohur në gjithë botën për bukurinë natyrore është Korfuzi.
RELIEVI
A) Malet e Greqisë
Terreni i Greqisë është përgjithësisht malor. Malet rrallë mund ta kalojnë lartësinë 2.500 metra, por kanë një shtrirje të madhe.
Kjo karakteristikë ndikon në kufizimin e tokës së kultivueshme dhe krijon vështirësi në komunikacion.
Komplekset malore të Greqisë mund të ndahen në tre grupime:
a) PINDI, në pjesën e vet jugore Pindi lidhet me malet e lartë të Greqisë kontinentale (Parnasos, Gjona, Vordhusia, etj.).
b) Sistemi i maleve të Maqedonisë Qendrore dhe perëndimore si dhe të Greqisë qendrore (Varnus, Vermio, Askio, Olimpos, Ossa, etj). Këtij grupi i përket dhe mali më i lartë i Greqisë, Olimpos, 2.904 m.
c) Sistemi i maleve të Peloponezit dhe Kretës
Ky sistem konsiderohet vazhdim i Pindit. Përfshin male të mëdhenj, ku më i larti është Psiloritis dhe Lefka Ori të Kretës, si dhe Tavgetos në Peloponez.
B) Fushat e Greqisë
Fushat e Greqisë janë të pakta dhe vetëm dy prej tyre kanë shtrirje të konsiderueshme (Thesaloniki – Janitsa dhe fusha e Thesalisë).
KLIMA E GREQISË
Për shkak të pozitës gjeografike dhe fqinjësisë me detin, Greqia ka një klimë të butë mesdhetare, me dy stinë kryesore, një të lagësht dhe një të thatë. Stina e lagësht zgjat nga tetori deri në mars dhe stina e thatë nga prilli deri në shtator.
HIRDOGRAFIA (lumenj dhe liqene)
a) Lumenjtë e Greqisë
Përgjithësisht janë të vegjël dhe të paktë. Vetëm Aheloos, Aliakmonos dhe Pinios janë relativisht të gjatë.
Përveç lumenjve që burojnë në territorin grek, Greqinë e përshkojnë edhe lumenj që burojnë në vendet fqinje, si: Vjosa, Strimonos, Nestos dhe Evros.
b) Liqenet natyrore të Greqisë janë gjithashtu të vegjël.
Liqeni më i madh është Trihonida në Greqinë kontinentale me sipërfaqe gati 100 km2, ndërsa liqenet më të shumtë kufizohen në 10-45 km2. Dy prej këtyre liqeneve (Prespa e madhe, Prespa e Vogël), nuk i përkasin ekskluzivisht Greqisë.
FLORA DHE FAUNA
Greqia është parajsa e botanistëve, pasi flora e saj, më e pasura në Europë, përfshin më shumë se 6.000 lloje bimësh.
Një karakteristikë e veçantë e florës greke përbën prania e shumë specieve endemike, domethënë specie që mbijnë vetëm në një vend të caktuar dhe jo gjetkë.
E pasur është dhe fauna greke, e cila ndërkaq i është nënshtruar ndikimit nga faktori njerëzor. Shumë lloje kafshësh janë pakësuar në maksimum, ndërsa të tjera rrezikojnë të zhduken. Për këtë arsye, mjaft zona të vendit, kryesisht ujore, gjenden nën mbrojtje.
Vitet e fundit shteti ka intensifikuar aktivitetin për mbrojtjen e mjedisit natyror, ndërsa në të njëjtin drejtim aktivizohen edhe organizatat ekologjike.
POPULLSIA
Sipas regjistrimit të vitit 2001, popullsia e Greqisë është 10.939.771 persona.
QYTETET E GREQISË
Kompleksi më i madh urban i Greqisë është Athina bashkë me Pireun dhe bashkitë fqinje, me një popullsi më shumë se 3.000.000 banorë.
Pason Selaniku, ndërsa katër qytete të tjerë (Patra, Iraklio, Larisa, Volos), i kalojnë 100.000 banorët.
Athina është një nga 10 qytetet më të mëdhenj të Europës dhe një nga qytetet më të lashtë në botë.
Emri i saj i dedikohet perëndeshës Athina dhe historia e saj filloi para mijëra vjetësh, kur mbreti dhe heroi Thiseas, i bashkoi vendbanimet e vogla të zonës në një qytet të vetëm.
Athina është ndërtuar në pellgun e Atikës, një rajon me klimë të shkëlqyer dhe bukuri karakteristike.
Nga viti 1834 Athina është kryeqytet i shtetit grek dhe selia e qeverisë.
Monumentet e rëndësishme historike të Athinës vizitohen çdo vit nga miliona vizitorë.
Përbën gjithashtu qendrën më të rëndësishme ekonomike të vendit, përderisa këtu gjendet pjesa më e madhe e industrisë dhe e fuqisë punëtore.
Selaniku, qyteti i dytë më i madh i Greqisë, është ndërtuar në veri, pranë një fushe të madhe. Prandaj zona u banua që në kohët prehistorike, por qyteti u krijua në vitin 316 ose 315, kur mbret i Maqedonisë ishte Kasandros.
Emri i qytetit i dedikohet Thesalonikit, gruaja e mbretit Kasandros dhe motra e Aleksandrit të Madh.
Një karakteristikë e veçantë e Selanikut është se ishte gjithmonë një qytet i madh, ndërsa Athina dikur ishte një fshat i parëndësishëm.
Sot Selaniku është një nga qytetet më të bukur të gadishullit ballkanik dhe një qendër e rëndësishme ekonomike dhe komunikacioni.
Njësitë gjeografike të Greqisë
Greqia ndahet në 10 zona më të vogla që emërtohen Njësi gjeografike. Këto zona janë:
1. THRAKA. Mbulon pjesën verilindore të Greqisë.
2. MAQEDONIA. Njësia më e madhe sa i përket sipërfaqes dhe mbulon pjesën më të madhe të Greqisë veriore. Qyteti më i madh është Selaniku.
3. EPIRI. Mbulon pjesën veriperëndimore të vendit. Qyteti më i madh është Janina.
4. THESALIA. Përbën pjesën qendrore të Greqisë kontinentale. Qyteti më i madh është Larisa.
5. GREQIA KONTINENTALE. Gjendet në jug të Epirit dhe të Thesalisë. Qytetet kryesore: Agrinio, Lamia, Halkida.
6. ZONA E KRYEQYTETIT. Konsiderohet njësi më vete, pasi ka një numër të madhe të popullsisë dhe karakterizohet nga kushte të veçanta ekonomike dhe sociale.
7. PELOPONEZI. Ndahet nga Greqia kontinentale nëpërmjet gjirit Korinthik dhe kanalit të Korinthit. Qyteti më i madh është Patra.
8. KRETA. Përbën njësi të veçantë gjeografike, ngase ka sipërfaqe të madhe. Qyteti më i madh është Iraklio.
9. ISHUJT E DETIT JON
Përfshin dhjetra ishujt e detit Jon. Qyteti më i madh është Korfuzi.
10. ISHUJT E DETIT EGJE
Përfshin shumicën e mijëra ishujve të detit Egje. Qyteti më i madh është Rodosi.