Lejet për arsye të jashtëzakonshme. Me çfarë dokumentesh vërtetohet qëndrimi 7 vjeçar në Greqi
Tribuna TV
27 Shtator 2018
Me ligjin e ri, të drejtën e aplikimit për leje të jashtëzakonshme do ta kenë vetëm ata që faktojnë se ndodhen në Greqi për një periudhë 7 vjeçare.
Ky afat rezulton pas publikimit në gazetën zyrtare të qeverisë greke amendamenti i ligjit të miratuar në muajin maj, sipas të cilit u hoq afati 3 vjeçar dhe u vendos afati prej shtatë vjetësh.
Amendamenti përcakton se cilat janë dokumentet me të cilat të interesuarit do të faktojnë qëndrimin e vazhdueshëm në Greqi, për një periudhë prej shtatë vjetësh.
Veç gjithë dokumenteve të lëshuara nga autoritetet shtetërore, pranohen edhe dokumente të tjera si, fatura të telefonisë celulare, (me kusht që të jenë në emër të personit që do të aplikojë), gjithashtu fatura për transferta parash (p.sh., me Western Union apo Money Gram), si dhe akte noteriale.
Kujtojmë se për personat që faktikisht kanë aplikuar me qëndrim trevjeçar, dosja e tyre do të shqyrtohet sipas dispozitave të ligjit të mëparshëm.
Në tekstin e amendamentit të votuar thuhet ndër të tjera:
“Përcaktojmë dokumentet që vërtetojnë qëndrimin e vazhdueshëm shtatëvjeçar të shtetasit të vendit të tretë, që kërkon të pajiset me leje për arsye të jashtëzakonshme. Këto dokumente janë si më poshtë:
- Dokumente të dëshmojnë kryerjen e shkollës në institucione publike të arsimit, vetë ata ose fëmijët e tyre,
- vërtetime se kanë aplikuar për marrjen e një leje qëndrimi provizore apo përfundimtare,
- leje pune apo vërtetim se kanë bërë kërkesë për leje pune,
- kopje të vendimeve refuzuese ndaj kërkesave për pajisje apo rinovim të lejes së qëndrimit,
- leje të mëparshme qëndrimi, pavarësisht nga autoriteti që e ka lëshuar,
- kopje të deklaratave tatimore të viteve të mëparshme
- kopje e akt pajisjes me nipt fiskal (AFM),
- vërtetime për siguracion në entet qendrore të sigurimeve shoqërore,
- librezë shëndetësore
- fatura nga ndërmarrjet publike (DEH, OTE, ujësjellës), si dhe nga kompani të telefonisë celulare apo fikse, në emër të aplikantit,
- fatura nga institucionet monetare që veprojnë nën patronazhin e Bankës së Greqisë,
- fatura për transferta parash në vendet e origjinës,
- vërtetime se kanë ndjekur mësime të gjuhës greke nga institucione arsimore publike apo të tjera, por që veprojnë nën patronazhin e ministrisë së arsimit,
- vendime gjyqësore,
- vendime për dëbim administrativ apo të largimit nga Greqia që nuk janë ekzekutuar,
- deklarata ngjarjesh që lidhen me gjendjen civile,
- vërtetime për kurimin në institucionet spitalore,
- akte noteriale që u hartuan në prezencë të aplikantit,
- referim në librin e incidenteve të rajonit të policisë,
- akt urdhërimi për largimin nga vendi,
- vërtetim për nxjerrjen e kartës së pajtimit (abonesë) për mjetet e transportit publik,
- dokumente të tjerë që janë lëshuar nga një autoritet shtetëror.
Ndaje me miqte