0030 210 33 18 483

Lejet e qëndrimit, së shpejti aplikohet online

TV TRIBUNA 20 Qershor 2019

Ministria e Emigracionit ka njoftuar e po përgatit tre shërbime online, të cilat pritet të ofrojnë lehtësi për gjithë të interesuarit.

Ato janë:

1.Platformë elektronike për mbylljen e takimeve në shërbimet me një qëndrim pranë administratës së decentralizuar në të gjithë Greqinë.

Siç bëri të ditur sekretari i përgjithshëm i politikës së emigracionit, Miltiadis Klapas, kjo platformë aktualisht është vënë në funksionim pilot në drejtorinë e emigracionit dhe shtetasve të huaj të Pireut.

2.Platformë elektronike për njohjen e lejeve të qëndrimit të shtetasve nga vendet e treta. Ky aplikacion u ofron mundësinë shërbimeve dhe përdoruesve të certifikuar që të konstatojnë përmes telefonit celular autencitetin e lejes së qëndrimit.

Kjo platformë është e disponueshme faktikisht në shërbimet e ndryshme publike që kryejnë veprime me shtetasit nga vendet e treta, duke lehtësuar këto veprime.

3.Platformë elektronike për të aplikuar on line për marrjen dhe rinovimin e lejes së qëndrimit.

Kjo platformë pritet të instalohet deri në vjeshtë.

Duke marrë fjalën në veprimtarinë për prezantimin e tri platformave, ministri i Politikës së Emigracionit, Dimitris Vitsas, tha se “ministria po kujdeset për 550.000 njerëz që kanë ardhur në Greqi deri në vitin 2014 (përfshi emigrantët që ndodhen këtu prej tre dekadash), por edhe për 75.000 të tjerë që erdhën në Greqi pas vitit 2016.

Përpjekja jonë konsiston në kapërcimin e pengesave burokratike dhe në forcimin e eficencës së ministrisë”, tha z. Vitsas.

“Në këtë kuadër përfshihet edhe takimi elektronik që zgjidh shumë probleme lidhur me shpejtësinë e procedurave, por edhe shërbimet tona do ta bëjnë më mirë punën e tyre”.

Ndërsa zëvendësministri i politikës së Emigracionit, Angelos Tolkas, tha se aktivizimi i instrumenteve elektronikë synon ndër të tjera përmirësimin e nivelit të shërbimeve, sa për të interesuarit, aq edhe për punonjësit e këtyre shërbimeve. Gjithashtu forcën përpjekjet për reduktimin e burokracisë dhe forcimin e transparencës.

 

SI FUNKSIONON PLATFORMA E MBYLLJES SË TAKIMEVE

Siç thamë, platforma po provohet në drejtorinë e shtetasve të huaj dhe emigracionit në Pire.

Të interesuarit që duan të mbyllin takim për rinovimin e lejes së qëndrimit, duhet ta bjnë këtë me e-mail, një muaj para skadimit të lejes ekzistuese.

Si veprohet.

  1. Hyni në adresën e administratës së decentralizuar të Atikës (http://www.apdattikis.gov.gr/)
  2. Në linkun YPOTHESEIS POLITON shtypni Randevu sti D/nsi Allodapon & Metanstefsis (DAM) Notiu Tomea, Pirea & Nison
  3. Shtypni Proypotheseis gia na kleiso randevu meso ilektroniku taxidromiu (e-mail)
  4. Aty mund të gjeni gjithçka kërkohet, dokumentacionin, por edhe formularin që duhet të plotësoni e ta dërgoni me email në adresë të shërbimit.
  5. E zbrisni formularin, plotësojeni me kujdes për veten tuaj dhe për pjesëtarët e familjes që keni në ngarkim dhe pastaj dërgojeni në adresën rdvpireas@attica.gr dhe emërtojeni dërgesën si RDV.
  6. Shërbimi do t’ju përgjigjet brenda pesë ditëve (ditë pune), duke ju dërguar datën e takimit si dhe dokumentacionin që duhet të keni me vete. Data caktohet automatikisht në bazë të sistemit dhe nuk ndryshon.

KUJDES!!!

Takimet mbyllen vetëm përmes e-mailit.

Takimet mbyllen vetëm për drejtorinë e Pireut dhe jo për në ministri apo pjesën tjetër të Atikës.

Takime mund të mbyllin vetëm ata që kanë leje qëndrimi (jo vërtetim blu). Domethënë, për ata që duan ta rinovojnë lejen e qëndrimit apo për ta rinxjerrë (në rast se ju ka humbur apo ndërroni pasaportën) dhe që leja që do të rinovohet është nxjerrë nga ky shërbim.

Gjithashtu, takime mund të mbyllin ata që banojnë në bashkitë:

Glyfada, Elliniko-Argirupoli, Alimos, Nea Smirni, Moskato-Tavros, Kalithea, Paleo Faliro, Agios Dimitrios

Dhe:

Pire, Keratsini-Drapetsoba, Nikea-Rendi, Koryadallos, Perama, Salamina, Egina-Agistri, Trizonia-Methana, Poros, Ydra, Spetses, Kythera. 

Ndaje me miqte