0030 210 33 18 483

Lejet e qëndrimit dhe nënshtetësia. Problemet dhe zgjidhja e tyre. Flasin përfaqësuesit e qeverisë greke

Tribuna TV 27 Mars 2018

Me iniciativën e organizatës “Arogji-Përkrahja”, këto ditë u zhvillua një tryezë e rrumbullaktë për çështjet e emigracionit dhe nënshtetësisë.
Merrnin pjesë përfaqësueses shoqatash nga komunitetet kryesore të emigrantëve të huaj në Greqi, por ajo që ra në sy ishte përfaqësimi i mangët i shoqatave shqiptare...
Në panelin e drejtuar nga administratori i “albanians.gr”, Gaston Sanxahku, ndodheshin ndoshta disa prej ekspertëve më kompetentë për çështjet që u diskutuan:
Konstantinos Knitis, drejtor i përgjithshëm i Ministrisë së Politikës së Emigracionit
Trifonas Kollias, këshilltar i ministrit të brendshëm,
Ilias Hronopulos, drejtor i drejtorisë së emigracionit dhe shtetasve të huaj, Athinë,
Dimitris Siamatras, drejtor i gjendjes civile dhe nënshtetësisë Athinë,
Vasilis Hronopulos, departamaneti i të drejtave të njeriut, PASOK
Emira Zaimi, avokate, nënkryetare e organizatës Arogji-Përkrahja
Fatos Malaj, ndërmjetës ndërkulturor, kryetar i organizatës Arogji-Përkrahja.
Ekspertët u dhanë përgjigje mjaft prej pyetjeve të specifikuara që u drejtuan gjatë kësaj veprimtarie cilësore që zgjati rreth 3 orë dhe që për asnjë moment nuk ishte e lodhshme.
Më poshtë, vijon një përmbledhje mbi kërkesat që paraqiti “Arogji” dhe përgjigjet që iu dhanë. Përmbledhja është përgatitur nga avokatja, z. Emira Zaimi.
AROGJI: Për ndryshimin e lejes 10 vjeçare, e cila, në momentin e rinovimit, me legjislacionin ekzistues shndërrohet në 3 vjeçare (leje për punë të varur). Arogji kërkoi që të botohet një amendament, me anë të të cilit leja 10 vjeçare do të kthehet në leje afatagjatë, pa kritere për vlerën e të ardhurave.
PËRGJIGJE:
Pritet që Kodi i Ri i Emigracionit, të sanksionojë kthimin e këtyre lejeve në afatgjata, por jo me të drejtat që ofron statusi i rezidentit afatgjatë (epi makron diamenontos), sepse kriteret për këtë të fundit përcaktohen nga legjislacioni europian dhe jo ai kombëtar.
Përfaqësuesit e instancave përkatëse thanë se do të marrin në konsideratë edhe propozimin e Arogji-së që të bëhet një rregullim ligjor sa i përket periudhës së mungesës nga Greqia, që për të gjitha lejet e qëndrimit janë 6 muaj në vit, ndërsa për lejen e rezidentit afatgjatë janë vetëm 2 muaj në vit për 5 vitet e fundit para aplikimit.
AROGJI: Lidhur me dëshminë e lidhjeve të forta me Greqinë, mendojmë se është një nocion shumë abstrakt.
PËRGJIGJE:
Përfaqësuesi i ministrisë së brendshme na informoi se pritet një amendim, sipas të cilit për të dëshmuar lidhjet me Greqinë nuk do të kërkohen më dokumentet që parashikon ligji, por do të merret parasysh fakti se i interesuari qëndron në Greqi, ndërsa shërbimet e emigracionit do të pranojnë si dëshmi edhe faturat e transfertave bankare për ato kategori që nuk do të mund të vërtetojnë se kur erdhën në Greqi.
AROGJI: Na sqaroni përse ka kaq shumë vonesa në procesin e dhënies së nënshtetësisë greke.
PËRGJIGJE:
2017-a ishte një vit rekord sa i përket dhënies së nënshtetësive dhe po bëhet një përpjekje e madhe për ta përshpejtuar procesin. Një arsye shumë serioze për këto vonesa është se mangësive në personel iu shtuan edhe ndryshimet që u bënë në komisionet e nënshtetësisë, që kishin si rezultat vështirësitë në mbledhjen e komisioneve dhe rrjedhimisht një funksionim edhe më ineficent të tyre.
AROGJI: Çfarë ndryshimesh pritet të votohen ditët e ardhshme sa i përket nënshtetësisë?
PËRGJIGJE:
Një amendament, sipas të cilit të drejtën që të aplikojnë për marrjen e nënshtetësisë greke do ta kenë tashmë edhe ata që kanë kryer shkolla vendase apo të huaja (në Greqi), të cilat kanë zbatuar programin e detyruar arsimor grek. Deri tani, njiheshin vetëm shkollat e sistemit publik.
- Nënshtetësia me natyralizim (politografisi) do t’u jepet atyre që kanë 12 vjet qëndrim të ligjshëm në Greqi me një titull të rregullt qëndrimi dhe jo vetëm me leje qëndrimi (d.m.th., do të merren parasysh edhe periudhat kur aplikantët kishin vërtetimin blu apo vërtetim të posaçëm).
- Shfuqizohet dispozita që i lejonte aplikimin kujtdo që kishte çdo lloj titulli qëndrimi, por vetëm nëse leja e parë kishte dalë nga marsi 2005 e më vonë.
- Me amendamentin që u votua më 23 mars 2018, do të mund të aplikojnë për nënshtetësinë edhe persona që kanë leje qëndrimi për kryerje investimi dhe leje 10 vjeçare apo pa afat.
- Për procesin e intervistës do të krijohet një bankë pyetjesh që do të afishohet në internet. Do të jenë gjithsej 300 pyetje, ndërsa të intervistuarit do të pyeten për 30 prej tyre, me nivele alternative vështirësie.
- Do të ketë një klauzolë të posaçme për aplikantët me moshë mbi 65 vjeç, sa i përket mënyrës së pyetjes së tyre në komisionet e natyralizimit (politografisi).
AROGJI: Në rastin e aplikimit për nënshtetësi për arsye të lindjes apo kryerjes së mësimeve në Greqi, çertifikatat shpeshherë kanë gabime, të cilat duhet të korrigjohen me vendime gjyqësore. Kërkojmë nxjerrjen e një qarkoreje që t’u lejojë drejtorive të administratës së decentralizuar të marrin parasysh çertifikatat e lindjes të lëshuara në vendin e origjinës të aplikantit, përderisa nuk kanë gabime. Ndërsa për të rriturit, që marrin nënshtetësinë me natyralizim, korrigjimet e rastit të bëhen me një akt të kryetarit të bashkisë, për të kursyer kohë.
PËRGJIGJE:
Do ta studiojmë.
AROGJI: Fëmijët me aftësi të kufizuara që u lindën në Greqi, nuk kanë mundësinë të përmbushin kriterin kohor të mësimit në sistemin arsimor publik, për arsye se ndjekin shkolla speciale.
PËRGJIGJE:
Në amendimin që do t’i bëhet kodit të nështetësisë parashikohet që të përfitojë edhe kjo kategori fëmijsh.
AROGJI: Përsëri për nënshtetësinë, ç’do të bëhet me fëmijtë, dy prindërit e të cilëve e kishin humbur lejen e qëndrimit dhe tashmë morën sërish për arsye të jashtëzakonshme?
PËRGJIGJE:
Për këtë nuk ka ende ndonjë parashikim ligjor.
AROGJI: Ç’ do të bëhet për të përballuar problemin e mungesave në personel që kanë shërbimet e emigracionit dhe të nënshtetësisë, përderisa nëpunësit janë disproporcionalisht shumë më pak se sa numri i qytetarëve nga vendet e treta që paraqiten përditë në këto shërbime. Rezultati është të krijohen vonesa të mëdha në nxjerrjen e lejeve të qëndrimit dhe në dhënien e nënshtetësisë, por edhe të sorollaten sa qytetarët, sa edhe punonjësit që punojnë në kushte shumë të vështira.
PËRGJIGJE:
Çdo ditë e ngremë këtë shqetësim para eprorëve tanë në qeveri, por askush nuk e ve ujin në zjarr. Punojmë me vetmohim, dhe vazhdojmë të bëjmë presion.

KONKLUZION: Shpresojmë që këto propozime të merren parasysh nga ministria dhe të bëhen ndryshimet e domosdoshme. Nëse kjo realizohet, mendojmë se do të përmirësohet në mënyrë të ndjeshme, sa përditshmëria e emigrantëve, aq edhe funksionimi i shërbimeve ndaj tyre.

Ndaje me miqte