Legjislacion: të drejtat që ofron leja biometrike e qëndrimit
TV TRIBUNA
25 Gusht 2019
Greqia ka adoptuar me më shumë se dhjetë vjet vonesë udhëzimet e Komisionit Europian për lejet biometrike të qëndrimit.
Dhe po me vonesë ka publikuar edhe të drejtat që ka poseduesi i kësaj lejeje.
Në nenin 21A të Kodit të Emigracionit është bërë kjo shtesë:
Trajtim i barabartë i punonjësve të pajisur me leje unike qëndrimi (biometrike).
1. Punonjësit e pajisur me leje qëndrimi unike gëzojnë të njëjtin trajtim me vendasit sa i përket:
a) të drejtën e hyrjes dhe qëndrimit në territorin grek si dhe qarkullimin e lirë, me kufizimet që parashikon ligji (zona të sigurisë, etj.),
b) të drejtën për të ushtruar veprimtarinë për të cilën kanë marrë vizën hyrëse.
c) kushtet e punësimit, përfshirë limitin minimal të moshës për punë, konditat e punës, përfshirë kushtet e pagës dhe të largimit nga puna, orarit të punës, të lejeve dhe ditëve të pushimit, si dhe kërkesat lidhur me shëndetin dhe sigurinë në vendin e punës.
d) të drejtën për grevë dhe veprimtarinë sindikale, sipas legjislacionit kombëtar, lirinë e grumbullimit, të aderimit dhe pjesëmarrjes në shoqata punonjësish apo punëdhënësish apo çdo lloj shoqate profesionale, përfshirë avantazhet që ofrohen nga këto organizata ndërmjet të cilave të drejtën e negocimit dhe lidhjes së kontratave kolektive, të gjoitha këto, me rezervën e dispozitave që lidhen me rendin publik dhe sigurinë publike.
e) edukimin dhe kualifikimin profesional.
f) njohjen e diplomave dhe aftësive të tjera profesionale, sipas legjislacionit kombëtar.
g) dispozitat e legjislacionit kombëtar lidhur me degët e sigurimeve shoqërore.
h) aty ku ekzistojnë marrëveshje dypalëshe, pagesën e pensionit të pleqërisë në nivelin që parashikon legjislacioni kombëtar apo legjislacioni i vendeve anëtare të BE-së.
i) Aksesin në asetet dhe shërbimet që disponohen për publikun, përfshirë procedurat për sigurimin e strehimit dhe të shërbimeve të informacionit dhe konsulencës që ofrojnë shërbimet e punësimit.
j) Avantazhet tatimore, me kusht që punonjësi të konsiderohet se ka banesë tatimore në territorin grek.
2. Punonjësit që transferohen në një vend të tretë ose trashëgimtarët e këtyre punonjësve që jetojnë në një vend të tretë dhe përfitojnë të drejta prej tyre, marrin pensionet e ligjshme që u takojnë në bazë të punësimit të mëparshëm, me të njëjtat kushte si dhe kur punonjësit vendas shkojnë në një vend të tretë.
3. E drejta e trajtimit të barabartë nuk u ofrohet:
- Sa i përket dispozitave të legjislacionit kombëtar që kanë të bëjnë me kompensimet familjare dhe kompensimet e papunësisë, për shtetasit e vendeve të treta që kanë ardhur për studime, si dhe atyre që punojnë me vizë pune.
- Sa u përket kompensimeve dhe kredive studentore dhe kompensime apo kredi të tjera që kanë të bëjnë me edukim apo kualifikim profesional dhe që lejohet të punojnë me vizë pune.
- Sa u përket avantazheve tatimore, në rastet kur banesa tatimore apo qëndrimi i familjes së punonjësit që kërkon kompensimet, nuk gjendet brenda territorit grek.
- Sa i përket aksesit në procedurat e strehimit për qytetarë të vendeve të treta që nuk punojnë.