UASHINGTON, 25 prill /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha se disa pjesë të marrëveshjes së mundshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë ende duhet të “përmirësohen” – ndërsa shtoi se ai beson se procesi po ecën në drejtimin e duhur.
“Ka disa ende pika specifike – elementë – të kësaj marrëveshjeje që duhet të përmirësohen dhe ne jemi të angazhuar, pikërisht me këtë proces”, tha Lavrov për transmetuesin amerikan CBS dje në mbrëmje.
“Ka disa shenja se po ecim në drejtimin e duhur,” tha Lavrov, duke shtuar se Rusia është e gatshme të arrijë një marrëveshje.
“Deklarata e tij erdhi pas një sulmi të kombinuar rus me raketa dhe dronë në Kiev – që shkaktoi vdekjen e të paktën 12 personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve”, sipas autoriteteve ukrainase.
Sulmi shkaktoi kritika të drejtpërdrejta nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili i kërkoi presidentit rus Vladimir Putin të ndalonte dhunën.
“Vladimir, NDALO!”, shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social”, një ditë pasi kritikoi ashpër presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për refuzimin e tij për të pranuar pushtimin rus të Krimesë dhe e akuzoi atë për zgjatjen e luftës.
“Nuk jam i kënaqur me sulmet ruse në Kiev. Jo të nevojshme dhe në një kohë shumë të keqe”, shkroi presidenti amerikan, duke bërë thirrje për arritjen e një marrëveshjeje për paqen.
SHBA-ja ka kërcënuar vazhdimisht se do të tërhiqen nga negociatat nëse nuk arrihet një marrëveshje së shpejti.
Ukraina ka më shumë se tre vjet që mbrohet nga pushtimi i plotë rus.