Lame: Ligji për pronat degradoi, abuzime të shumta me 7501-in
28 Mars 2018
TIRANË, 28 Mars/ATSH/.- Kryetari i Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, ALUIZNI, Artan Lame, deklaroi sot se i gjithë bregdeti i jugut është i paregjistruar.
Në një konferencë për shtyp, Lame tha se në këto 27 vjet i gjithë bregdeti i jugut nuk është regjistruar qëllimisht, në mënyrë që të “shqyhet” se hajdutëria s’ka parti, pasi blu e kuq kanë abuzuar.
Sipas tij, ligji për pronat degradoi pas vitit 2000, ku u nda toka që ishte për t’u ndarë dhe mbeti pjesa tjetër.
“Ligji për pronat degradoi dhe u kthye në një proces degradues pas vitit 2000, sepse u nda toka që ishte për t’u ndarë dhe mbeti toka që nuk ishte për t’u ndarë. Gjithë bregdeti i jugut është i paregjistruar. Zona e Velipojës, bregdeti i Lezhës, Gjiri i Lalzit, zona e Kavajës janë zona të pa hedhura në sistemin e Hipotekave. Një pjesë e madhe e vijës bregdetare po ashtu rezulton e paregjistruar. Janë bërë abuzime me ligjin 7501, zonat janë ndarë si toka bujqësore, kur ajo është tokë bregdetare”, theksoi Lame.
Kreu i ALUIZNI-t u shpreh se “në vitin 2008, qeveria bëri kontrolle për dhënien e ATMP, në kundërshtim me ligjin qeveria vazhdoi të japë ATMP edhe pas pezullimit. Pa bërë ndarje, hajdutëria nuk ka parti, blu apo të kuq. Në Vlorë ka një tjetër veçanti. Vija bregdetare është e paregjistruar. Këtu ka ndodhur fenomeni i regjistrimeve të veçanta. Janë 450 regjistrime të veçanta dhe 450 gjyqe të veçanta”
“Në Vlorë vetë qyteti nuk është dixhitalizuar. Në zonën e Orikumit ka një pjesë të regjistruar, pastaj Karaburun e tatëpjetë është jashtë sistemit. Në Porto Palermo ka dy zona të hedhura dhe pastaj përsëri janë të pahedhura duke përfshirë edhe Sarandën. Ka qenë mënyra për ta lënë jashtë sistemit dhe për ta shqyer pronën si kanë mundur dhe dashur në të gjitha këto vite”, tha Lame.
Lame u shpreh se “problemi i pronave bllokon zhvillimin e vendit”.
Ndaje me miqte