LAJMI I FUNDIT: Njohja e patentave, Marrëveshja i dërgohet parlamentit për ratifikim
TV TRIBUNA
15 Janar 2020
Njohja e patentave shqiptare në Greqi ndodhet vetëm një hap larg konkretizimit.
Komisioni parlamentar e miratoi marrëveshjen mesditën e të mërkurës 15 janar dhe tashmë do ta dërgojë në parlament që të votohet në një nga seancat e ditëve të ardhshme.
Është e rëndësishme që komisioni e ka miratuar masivisht marrëveshjen: pesë nga gjashtë partitë parlamentare janë shprehur “Pro”.
Në raportin e hartuar pas mbledhjes dhe që iu dërgua kryesisë së parlamentit, thuhet ndër të tjera:
Komisioni Parlamentar i Tregtisë u mblodh më 15 janar 2015, nën drejtimin e kryetarit Jorgos Vlahos, me temë shqyrtimin e projektligjit të ministrisë së Infrastrukturës “Ratifikim i Marrëveshjes ndërmjet Republikës Helenike dhe Republikës së Shqipërisë për njohjen e ndërsjelltë të lejeve të drejtimit të mjetit”.
Në mbledhje asistuan zëvendësministri i infrastrukturës, Joanis Kefalojanis dhe kuadro të tjerë kompetentë.
Gjatë debatit në komision, fjalën e morën deputetët e maxhorancës, të opozitës kryesore, të partisë KINAL, të partisë komuniste, të Zgjidhjes greke dhe të MeRA25.
Përfaqësuesit e Demokracisë së re, të SYRIZA-s, të KINAL, të partisë komuniste dhe të MeRA25, rekomanduan votimin në parlament të projektligjit, ndërsa përfaqësuesi i Zgjidhjes Greke u rezervua të pozicionohet gjatë debatit në seancën plenare të parlamentiT.
Si përfundim, komisioni, pasi mori parasysh opinionet e raportuesve të posaçëm dhe të anëtarëve, propozon miratimin e projektligjit në parim dhe nen për nen dhe rekomandon votimin e tij nga ana e parlamentit".
Ende nuk dihet data e saktë kur do të votoihet marrëveshja, por vlerësohet se është çështje ditësh.
Pas miratimit në parlament, pritet dalja e qarkores shpjeguese se do të procedohet për konvertimin e patentave shqiptare nga bashkatdhetarët tanë në Greqi.
TV Tribuna, ashtu si deri tani, do ta ndjekë nga afër këtë çështje dhe do të informojë në kohën e duhur e me saktësi.
Marrëveshja për njohjen e patentave shqiptare në Greqi u nënshkrua në Sunio (Athinë), në maj 2018. Ajo u ratifikua në korrik 2018 nga parlamenti shqiptar, por u desh një vit e gjysmë që më në fund të ndërmarrë edhe parlamenti grek hapat e nevojshëm.
Ratifikimin e marrëveshjes e kishte paralajmëruar në tetor 2019, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, në takimin me homologun e tij shqiptar, Edi Rama.