0030 210 33 18 483

Lajmi i fundit nga Kapshtica: Si mund të kaloni kufirin

Robert GORO 24 Mars 2020

Pas përpjekjesh disaditore, TV Tribuna është lidhur më në fund të martën paradite me pikën greke të kalimit kufitar të Kapshticës.
Oficeri i rojes na ka konfirmuar se kufiri funksionon për hyrje dhe dalje nga Greqia, natyrisht, duke zbatuar me rreptësi gjithë rregullat e vendosura për shkak të masave anti Koronavirus.  
Kështu, lejohet të hyjnë apo dalin nga territori grek gjithë qytetarët që:
- Kanë nënshtetësinë greke
- Kanë leje qëndrimi apo vërtetim blu
- Nënshkruajnë deklaratën se pas hyrjes në Greqi do të qëndrojnë në karantinë në banesë për 14 ditë

Kujdes! Për t'u mundësuar kalimi, ata duhet të kenë patjetër me vete Vërtetimin e vendbanimit (Veveosi Katoikias Eidikis Hrisis). 
Vërtetimi sigurohet vetëm nëpërmjet internetit. Për të marrë vërtetimin duhet të klikoni në adresën https://www.aade.gr/bebaiosi-katoikias-eidikis-hrisis
Klikoni ne rubrikën EISODOS STHN EFARMOGH dhe aty do të vendosni kodet (Username dhe Password) që keni marrë në zyrën e tatimeve për t'i përdorur në platformën "taksis.net".
Vërtetimi shfaqet menjëherë, me gjithë të dhënat tuaja, siç janë në regjistrim tatimor.
E zbrisni vërtetimin dhe e ruani në celularin tuaj. (Nëse keni mundësi ta printoni, aq më mirë).

Transporti
Sipas masave që komunikoi pardje qeveria greke, me makinat private lejohet të udhëtojnë vetëm dy persona, drejtuesi i mjetit dhe një pasagjer.
Përveçse me mjetet private, të interesuarit mund të mbërrijnë në Follorinë me autobusat e KTEL-it dhe që andej të marrin taksi që do t'i çojë në pikën e kalimit kufitar, gjithmonë duke respektuar rregullin që veç drejtuesit të taksisë, të jetë vetëm një pasagjer. 

Gjobat
Sa u përket atyre që u ka kaluar afati i qëndrimit tremujor, gjobat zbatohen rregullisht. 

Lëvizja në tokën shqiptare
Në kuadrin e masave kufizuese që ka marrë shteti shqiptar, mbërritja në pikën kufitare të Kapshticës është shumë e vështirë. Prandaj, qytetarët që duan të largohen nga Shqipëria për në Greqi dhe që përmbushin kushtet (nënshtetësi, apo leje qëndrimi, apo vërtetim blu), duhet të telefonojnë në Policinë e shtetit, në numër telefoni 112 apo 129.

Kakavija
Situata është krejt e kundërt në Kakavijë, ku siç na informoi para tre ditësh gazetari Engjell Serjani që shkoi në vend dhe bisedoi me drejtues të pikës së kalimit kufitar, është e ndaluar kategorikisht lëvizja në të dy anët e kufirit. "Shtetasit shqiptarë dhe grekë janë ndaluar të lëvizin kategorikisht në të dy anët e kufirit. Nga autoritetet respektive, janë lejuar vetëm disa persona për urgjenca shëndetësore dhe për raste vdekjesh, por edhe për këto raste, personat duhet të jenë të paisur me dokumentacion bindës për policinë kufitare”.

Kërkojmë ndjesë
Televizioni Tribuna kërkon ndjesë që gjatë këtyre ditëve ka informuar se ndalohet rreptësisht kalimi i kufirit nga të gjitha pikat kufitare Greqi-Shqipëri. Ndërkohë që informacioni i fundit nga Kapshtica tregon se kufiri mund të kalohet.

Në këto momente kritike, angazhimi ynë është që të përcjellim vetëm informacione të sakta dhe të verifikuara zyrtarisht. Gjatë gjithë këtyre ditëve jemi përpjekur të lidhemi me burimet zyrtare, po ka qenë e pamundur, për shkak edhe të funksionimit me personale të reduktuar të shërbimeve publike dhe institucioneve shtetërore në Greqi dhe në Shqipëri.
Ndaj ndjesës tonë shpresojmë të kemi mirëkuptimin tuaj.

Ndaje me miqte