0030 210 33 18 483

Kur do të funksionojë platforma për rinovimin e lejeve të qëndrimit

TV Tribuna 25 Shtator 2020

Drejtori i Drejtorisë së Emigracionit në Athinë, Ilias Hronopoulos shpjegon arsyet e bllokimit dhe i dërgon mesazh ministrisë së emigracionit: “Mos jini indiferentë ndaj problemeve të emigrantëve”

 

Platforma elektronike për mbylljen e takimeve për lejet e qëndrimit, funksionoi normalisht rreth 20 ditë.

Por më pas, kushdo që donte të mbyllte takim për rinovimin e lejes, nuk mundej ta bënte këtë gjë, pasi platforma nuk i jepte një datë të mundshme.

Tv Tribuna u interesua pranë instancave kompetente, prej nga na u tha se platforma nuk jepte data, pasi ishin plotësuar të gjitha takimet deri në 31 dhjetor 2020.

Mirëpo, si ka mundësi që një platformë elektronike , e hapur për të gjithë, befas nuk jep më takime për rinovimin, po vetëm për ata që duan të marrin në dorëzim lejen e re?

Për të mësuar diçka më shumë, TV Tribuna intervistoi në një lidhje me Skype, drejtorin e drejtorisë së emigracionit Athinë A, zotin IliasHronopoulos.

 

ILIAS HRONOPOULOS: Shikoni, kishte dhe ka akoma një problem për shërbimin e qindra aplikimeve.

Ne i kishim thënë ministrisë së emigracionit që platforma të hapet për gjithë sa u kishin mbaruar lejet e qëndrimit deri në 30 qershor dhe që iu shtynë deri në 31 dhjetor.

Ministria nuk e bëri këtë.

Ndërsa na kishte thënë që “po, do ta bëjmë”, e la platformën të lirë dhe hynte kush të donte dhe kush arriti dhe mbylli takim.

Kjo do të thotë që mbi 1.500 veta u nxorrën jashtë.

Këtë po përpiqemi, jemi në negociata, i kemi paraqitur propozime ministrisë dhe po presim përgjigje.

Do të doja që ta përshpejtojnë përgjigjen.

Dhe të mos jenë indiferentë ndaj problemeve të emigrantëve.

 

Po ç’do të bëhet me ata që lejet e qëndrimit iu skaduan pas 20 korrikut?

 

ILIAS HRONOPOULOS: Ata le të themi që lejet u skaduan në fund të korrikut, normalisht do të kenë leje që u mbarojnë në fund të marsit – fillim i prillit 2021.

Deri atëherë do të jetë hapur platforma edhe për ata.

Dhe kjo gjë do të shkojë me rotacion.

 

A ka një datë të afërt, që platforma do të fillojë të funksionojë normalisht?

ILIAS HRONOPOULOS: Ka gjasë që deri në fund të vitit të jetë i mundur depozitimi elektronik i aplikimit.

Kjo do të zgjidhë shumë probleme për njerëzit që në këto momente nuk mundin të mbyllin takim.

Kjo është një masë e dytë dhe rrënjësore.

Ka shumë mundësi që ditët e ardhshme disa nga propozimet që kemi bërë të konkretizohen.

Në këto momente nuk mund të them diçka konkrete. E vetmja që mund të them është se do të duhet çdo ditë të interesuarit të ndjekin njoftimet në faqen tonë të internetit (https://www.apdattikis.gov.gr). Çdo gjë të re do ta gjejnë aty.

Ndaje me miqte