Rasti i parë me koronavirus në Greqi është konfirmuar në Selanik. Bëhet fjalë për një grua me moshë 38 vjeç, e cila kishte udhëtuar në Italinë e veriut.
Në këto momente po bëhet “gjurmimi” i kontakteve që ajo ka pasur pas kthimit nga Italia, ndërsa të afërmit e saj do të vendosen vullnetarisht në karantinë.
Njoftimin e bëri Sotiris Tsiodras, përfaqësues i ministrisë greke të shëndetësisë për koronavirusin, që tha se “sëmundja mbetet e lehtë në shumicën e rasteve”, por shtoi se “gjithsesi duhen zbatuar rregullat e higjienës”.
Përfaqësuesi i ministrisë së shëndetësisë tha më tej se gjithë ata që kanë udhëtuar në Italinë e Veriut, do të duhet “të jenë vigjilentë dhe në rast se paraqesin simptoma të qëndrojnë në shtëpi dhe të komunikojnë me autoritetet shëndetësore”.