Kriza ekonomike e Turqisë po ndjehet në tregjet globale
Zëri i Amerikës
20 Gusht 2018
Një luftë tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë rreth një pastori amerikan të ndaluar, tashmë po shkakton pasoja në ekonominë globale. Një rënie e ndjeshme e vlerës së lirës turke, së bashku me inflacionin dhe rrezikun e falimentimit të kredive, po kërcënojnë të tërheqin në vorbull edhe ekonomitë e tjera, veçanërisht tregjet në zhvillim. Siç njofton korrespondetja e Zërit të Amerikës për çështjet diplomatike, Cindy Saine, problemet e Turqisë po shkakojnë efekte zinxhir deri në vende si Argjentina dhe Indonezia, duke ndikuar në vlerën e monedhave aziatike dhe shkaktuar luhatje të vlerave të monedhave në mbarë botën.
Ishte një javë e trazuar për tregjet globale, me rënien e aksioneve të premten në Evropë dhe pamje të përzjerë në Azi, ku tregjet në zhvillim si India dhe Indonezia, janë veçanërisht të prirura të ndikohen nga efektet e ekonomisë së trazuar turke.
Shtetet e Bashkuara e kanë kërcënuar Turqinë me sanksione të tjera, nëse nuk lirohet pastori Andrew Brunson. Megjithatë, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Heather Nauert e ka bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të fajësohen për problemet ekonomike të Turqisë.
“Situata financiare e Turqisë është krijuar prej shumë kohësh. Daton që para vendosjes së sanksioneve të vendosura me 1 gusht.”
Analistët pajtohen se problemet ekonomike të Turqisë janë më të thella, dhe e kanë fillesën para kundërshtisë së tanishme mes Presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe Presidentit Donald Trump. Amanda Sloat është analiste në Institutin Brookings.
“Struktura e ekonomisë së Turqisë është e paqëndrueshme, në kuptimin që bazohet kryesisht në rritjen e shpejtë, tek kreditë e lira, mbështetja tek projektet në sektorin e ndërtimit dhe pjesa më e rrezikshme, është se ajo varet tek borxhi i jashtëm, kryesisht në dollarë. Me rënien e vlerës së lirës përballë dollarit, me 40 përqind vetëm këtë vit, kjo e bën më të komplikuar dhe më të kushtueshme për Turqinë që t’i paguajë borxhet.”
Investitorët po vërejnë me kujdes lidhjet mes Tuqisë dhe vendeve të Azi-Paqësorit, që janë mes 20 burimeve kryesore të importeve të Tuqisë, të udhëhequara nga Kina. James Bevan është specialist investimesh me firmën CCLA.
“Nuk do të kemi një krizë si e viteve 90-të, sepse nuk rrezikojmë nga efekti zinxhir i Turqisë që kishte mes vendeve kryesore aziatike në vitet 90-të. Por mendoj se forcimi i kritereve të huamarrjes globale dhe kushtet e likuiditetit do të kenë pasoja negative për tregjet në zhvillim, sepse ato kanë qënë përfituesit kryesorë nga kreditë globale dhe nga lëvizja e fondeve gjatë viteve të fundit.”
Megjithatë, shumica e analistëve mbeten thellësisht të shqetësuar rreth ekonomisë së Turqisë, veçanërisht nëse firmat turke do të jenë në gjendje të paguajnë huatë.
Ndaje me miqte