Kremtohet 80 vjetori i Mjeshtrit të Madh, Miho Gjini
Tribuna TV
10 Prill 2018
Në Athinë është kremtuar 80 vjetori i lindjes së studiuesit dhe shkrimtarit Miho Gjini, një nga kritikët më të njohur e më aktivë të skenës dhe ekranit.
Merrnin pjesë miq e dashamirës të autorit, shkrimtarë e artistë, si dhe përfaqësues të ambasadës së Shqipërisë në kryeqytetin helen.
Mbi jetën dhe veprën e Miho Gjinit foli kryetari i lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë në Greqi “Liter-art”, Skënder Demolli.
I ardhur enkas nga Tirana, Prof. Dr. Josif Papagjoni, kritik arti, tregoi për të pranishmit momente nga jeta dhe puna krijuese e Gjinit.
I njohur në rrethet artistike si kritiku më i mirë i teatrit në Shqipëri, në vitet ’60 - ‘70, Miho Gjini përjetoi kalvarin e diktaturës, duke njohur internimin e më pas burgimin si pasojë e goditjes që shteti komunist i dha letërsisë dhe artit në fillim të viteve 1970.
Menjëherë pas përmbysjes së komunizmit emigroi në Greqi, duke mos iu ndarë për asnjë moment pasionit të tij të hershëm e duke ndjekur me vëmendje çdo shfaqje teatri në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi.
Autor i 27 librave letrarë, publicistikë, por sidomos monografi, mbi teatrin, kinematografinë dhe gjigandët e skenës dhe ekranit shqiptar, Miho Gjini është nderuar vite më parë nga presidenti i Republikës me titullin Mjeshtër i Madh.