Qeveria greke ka shpallur pesë masa emergjente për të përballur një përhapje të mundshme të koronavirusit edhe në Greqi.
Ndër këto masa përfshihet pezullimi i funksionimit të vendeve të mbyllura, që nga shkollat e deri te teatrot dhe kinematë, kufizim të qarkullimit të mjeteve të transportit publik, si dhe “mobilizimin” e klinikave private dhe hoteleve.
Siç bëri të ditur zëdhënësi i qeverisë greke, Stelios Petsas, masa e parë ka të bëjë me mundësinë e imponimit të kontrolleve parandaluese në portat hyrëse dhe dalëse të Greqisë, por edhe të petullojë përkohësisht komunikimet ajrore, detare, hekurudhore dhe tokësore, me vende ku ka përhapje të madhe të koronavirusit.
Më tej, në rast të shtrirjes së madhe të virusit në Greqi, parashikohet pezullimi i shkollave të të gjitha niveleve, vendeve ku ushtrohen ceremonitë fetare, mjedise të veprimtarive sportive dhe artistike, si dhe kufizimin e qarkullimit të mjeteve të transportit publik.
Masat e tjera i japin mundësinë qeverisë që të forcojë njësitë e kujdesit shëndetësor, me qëllim që të përballohet një epidemi e mundshme.