Pak orë para fillimit të sfidës së radhës të Champions League, mbetet ende e paqartë se sa ndeshje do të zhvillohen pa pjesëmarrjen e spektatorëve, në zbatim të masave që kanë marrë qeveritë e vendeve të ndryshme për shkak të Koronavirusit.
Të martën, sipari ngrihet me ndeshjet Valencia-Atalanta që do të zhvillohet pa spektatorë dhe Laipcig-Totteham.
Një ditë më vonë, të mërkurën, stadiumi Parc des Princes në Paris do të jetë pa spektatorë në ndeshjen PSG-Borussia Dortmund, pas vendimit të qeverisë franceze që të ndalojë grumbullimet me më shumë se 1.000 persona.
Gjithashtu, qeveria katalanase ka vendosur që ndeshja Barcelona-Napoli, javën e ardhshme të zhvillohet me dyer të mbyllura, gjë që pritet të konfirmohet edhe nga UEFA.
Sipas të gjitha gjasave, edhe Juventus-Lion javën e ardhshme do të luhet pa spektatorë. Juventinët kërkuan që ndeshja të zhvillohej në Maltë, mirëpo autoritetet malteze nuk pranuan.