Koronavirusi, fermerët grekë kërkojnë punëtorë shqiptarë
TV Tribuna
14 Prill 2020
Masat kundër Koronavirusit kanë prekur mjaft rëndë edhe bujqësinë greke. Fermerët kanë dhënë alarmin, të shqetësuar se produktet e tyre do të mbeten arave dhe do të shkatërrohen, pasi nuk kanë krahë pune për t'i mbledhur.
Në këto kushte, shpresa e vetme pritet të vijë nga Shqipëria. Më saktë, punëtorët që vijnë për punë sezonale dhe që sot ndodhen të bllokuar në atdhe, edhe pse disa prej tyre i kishin marrë vizat e punës në ambasadën greke në Tiranë.
Aktivizimi i këtyre punëtorëve, madje në kushtet që vazhdojnë masat kufizuese kundër koronavirusit, konsiderohet si një zgjidhje e mundshme, siç ka deklaruar ministri grek i zhvillimit bujqësor, Makis Voridis.
Në një intervistë për radion Tema 104,6, ministri Voridis ka deklaruar se që të realizohet kjo, pra të vijnë punëtorë nga Shqipëria, pritet miratimi nga komisioni i sëmundjeve infektive, por edhe një marrëveshje me palën shqiptare. Ka një shqetësim, kryesisht për muajin e ardhshëm, ngase janë mbyllur kufijtë me Shqipërinë dhe ka një numër punëtorësh bujqësoie që vijnë prej andej dhe ekziston frika se nuk do të vijnë.
Ne po punojmë që të gjejmë një skemë me qëllim që, nga njera anë të vijnë -pra, të mos kemi probleme me prodhimin- , por nga ana tjetër duhet të garantojmë zbatimin e masave sanitare.
Tani po punojmë që të gjejmë një zgjidhje. Ata do të vijnë si punëtorë të komanduar, me një proces më të kontrolluar që do ta bejmë sa më elastik që të mundim, duke shmangur burokracirat, do të futen në karantinë për një periudhë, do t'i nënshtrohen testit molekular dhe pastaj do të dalin në ara.
Jemi në komunikim me fermerët. Fermerët e pranojnë.
E para është që të vendosë Komisioni i Sëmundjeve Infektive, për kohën që ata do të rrinë në karantinë.
Dhe e dyta, duhet të diskutojmë me Shqipërinë për mënyrën me të cilën do të bëhet kontrolli ndërkufitar, me qëllim që të bëhet e mundur lëvizja e këtyre punëtorëve.